Tatimet: Gjobë kompanive që nuk regjistrojnë ortakët në QKB

585
Sigal

Kompanitë që bëjnë ndryshim të ortakut ose strukturës së ortakërisë duhet ta deklarojnë atë brenda 30 ditësh. Një ndryshim në ligjin “Për regjistrimin e biznesit” synon të rregullojë pikërisht këtë hallkë. “Aplikimi për ndryshimin e ortakut dhe/ose strukturës së ortakërisë të personit juridik, bëhet brenda 30 ditëve nga data e ndryshimit faktik të ortakut dhe/ose strukturës së ortakërisë, me përjashtim të rasteve të parashikuara nga ligji” thuhet në draft ligjin e nxjerrë tashmë për konsultim. Në rastet kur nuk respektohet ky afat ndryshimet ligjore parashikojnë edhe masa administrative si gjoba. Konkretisht moskryerja e detyrimit për regjistrimin e ndryshimit të ortakut dhe/ose strukturës së ortakërisë të personit juridik, brenda 30 ditëve nga data e ndryshimit faktik të ortakut dhe/ose strukturës së ortakërisë, me përjashtim të rasteve të parashikuara nga ligji, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë 100 000 lekë. Për shoqëritë aksionare, mosplotësimi i detyrimit të përcaktuar në pikën 4, të nenit 43, të këtij ligji, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë 100 000 lekë. Një tjetër ndryshim lidhet me personat që mund të bëjnë aplikimin fillestar për regjistrimin. Kështu në nenin 26 pika 3 bëhet një ndryshim ku nënvizohet se “aplikimi për regjistrimin fillestar të shoqërive tregtare bëhet bashkërisht nga të gjithë themeluesit ose nga administrator i shoqërisë, ose nga çdo person i autorizuar prej tyre. Aplikimi për regjistrimet e tjera bëhet nga personat përgjegjës për përfaqësimin e shoqërisë në marrëdhënie me të tretët ose çdo person i autorizuar prej tyre. Aplikimi për regjistrimin e veprimeve juridike, që lidhen pjesëmarrjet, kuotat apo aksionet, mund të kryhen, gjithashtu, dhe nga anëtari, ortaku apo aksioneri, të cilit këto i përkasin”. Ndryshimet në ligjin “Për regjistrimin e biznesit” janë nxjerrë për konsultim në një paketë bashkë me ligjin “Për procedurat tatimore” si dhe atë “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit”./Monitor