Tatimet bllokojnë pasuritë e 24 mijë bizneseve që nuk kanë paguar detyrimet financiare

580
Sigal

Sipas Drejtorisë së Tatimeve, në 6 muajt e fundit të 2018-s, janë bllokuar 2700 subjekte

Administrata tatimore ka goditur me dorë të rëndë bizneset në vendin tonë, të cilat nuk janë treguar korrekte për sa i përket detyrimeve ligjore. Në këtë mënyrë është krijuar një situatë ku shumë biznese kanë bllokuar aktivitetin e tyre, ndërsa një pjesë e kanë mbyllur funksionimin. Rreth 24 mijë bizneseve u janë bllokuar pasuritë e paluajtshme dhe të luajtshme nga administrata tatimore, për shkak se nuk kanë paguar detyrimet financiare. Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, deri në fund të muajit Dhjetor janë 23.888 subjekte dhe persona fizikë të penalizuar, ndaj të cilëve u është vendosur masa e barrës siguruese apo hipotekore nga ana e administratës tatimore. Vetëm gjatë gjysmës së dytë të vitit 2018, listës i janë shtuar rreth 2700 subjekte debitore, pasi në fund të Korrikut listoheshin 21.185 të tilla. Ndërsa gjatë muajit Dhjetor 2018 në listën e të penalizuarve janë regjistruar147 subjekte të reja. Vendosja e barrës siguruese apo hipotekore është një prej formave të mbledhjes me forcë të borxhit nga ky institucion. Bizneset e publikuar në listën e Tatimeve nuk mund të kryejnë asnjë transaksion më pasuritë e tyre deri në shlyerjen e detyrimit tatimor. Lista e tatimeve tregon se nuk bëhet fjalë vetëm për borxhe të akumuluara rishtazi nga subjektet, por një pjesë e mirë prej tyre datojnë mbi 9 vite më parë.