TAP shtrin tubat e parë në ujërat shqiptare

577
Sigal

Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) realizoi me sukses tërheqjen në breg të tubacionit të parë nënujor që shtrihet në Shqipëri. Koka tërheqëse e tubacionit arriti në pikën kilometrike 0, ku bashkohet seksioni tokësor me atë detar. Saipem, kontraktori i TAP përgjegjës për inxhinierinë, prokurimin, ndërtimin dhe instalimin e seksionit detar, po përdor për këtë proces anijen Castoro 10. me gjatësi 139 metra dhe gjerësi 31 metra, e cila po vazhdon në Shqipëri punimet për shtrirjen e tubacionin në ujërat e cekët dhe instalimin e fibrës optike. Gjithashtu po punohet për mbulimin e tubacionit në det dhe në breg. Punimet për seksionin detar të TAP në Shqipëri filluan në tetor 2018. Seksioni detar i TAP, që bashkon bregun shqiptar me atë italian, është i gjatë 105 km. Tubat do të shtrihen në shtratin e detit Adriatik: 37 km në ujërat territoriale të Shqipërisë; 25 km në ujërat territoriale të Italisë; dhe 43 km në ujërat ndërkombëtar. Pika më e thellë e gazsjellësit do të jetë më shumë se 810 metra nën nivelin e detit. Për ndërtimin e seksionit detar do të përdoren rreth 9’000 tuba, me diametër 36 inç (0.91 m), të cilët në total peshojnë afërsisht 100,000 ton.