Taksë e re e detyrueshme për banesat dhe bizneset

853
Taksa e re, sigurim i detyrueshëm për banesat e bizneset
Kryeministri deklaron marrjen e nismës ligjore për të përballuar koston e përmbytjeve. Qytetarët duhet të paguajnë, ndërsa presin dëmshpërblim
Një taksë e re mund të vendoset për të gjithë shqiptarët, të paktën për ata që zotërojnë një banesë. Sigurimi i deyrueshëm i banesave dhe bizneseve pritet të miratohet si një masë që synon të përballojë koston financiare të dëmshpërblimit nga përmbytjet. Në një moment kur qytetarët e prekur nga fatkeqësia natyrore presin vlerësimin e dëmeve dhe pagesën e tyre, qeveria ka lëshuar “bombën” e radhës, duke premtuar sigurim të detyrueshëm. Një biznes prej miliona eurosh që mund të shkojnë në xhepat e kompanive të sigurimit. 

Propozimi
Kryeministri Edi Rama u shpreh dje në Komitetin e Emergjencave Civile se ndonëse janë vetëm përmbytjet e para për këtë vit problematikat që u shfaqën janë shumë. Urgjente dhe e domosdoshme , theksoi ai, është një ndryshim ligjor që e bën të detyrueshëm sigurimin e banesave dhe bizneseve nga fatkeqësitë natyrore. “Kjo situatë nuk mund të vazhdojë më kështu. Përparësi është marrja e nismës ligjore për sigurimin e banesave dhe bizneset nga përmbytjet. Duhet sensibilizuar të marrin masa të sigurohen nga fatkeqësitë natyrore në mënyrë që dëmet e tyre të kompensohen plotësisht dhe në kohë reale në bazë të këtij mekanizmi”, u shpreh Rama. E ndërsa kjo nismë i përket të ardhmes, kryeministri u përpoq të qetësonte banorët e zonave të përmbytura, duke premtuar kompensimin e dëmeve nga buxheti i shtetit. “Sa na takon ne, do të bëjmë maksimumin siç kemi bërë herën e shkuar që nuk kemi lënë askënd pa kompensuar deri në fund për dëmet që kanë pasur. Është shumë e e rëndësishme të bashkëpunohet ngushtësisht me prefektet dhe pushtetin vendor”, deklaroi Rama.
Reagimi i opozitës
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e akuzoi Edi Ramën se i ka braktisur qytetarët dhe po bën propagandë. Duke marrë shkas edhe nga një postim i kryeministrit në rrjetet sociale, që e quajti spektakolare pamjen e Semanit tashmë te mbledhur në shtratin e tij, Basha tha se asgjë të tillë nuk ka në fshatrat nën ujë të Fierit, Vlorës apo Fushë-Krujës. Sipas tij, ka vetëm dy gjëra spektakolare: përpjekja për ta nxjerrë këtë fatkeqësi në media si sukses qeveritar dhe lënia e qytetarëve në mëshirë të fatit pa ujë, ushqime dhe drita. Lulzim Basha bëri thirrje për dëmshpërblimin për ato që i cilësoi humbje të pallogaritshme të pësuara që në fillim të dimrit të gjatë.
Sigurimi i banesave dhe bizneseve
Kompanitë e sigurimeve ofrojnë sigurim për pasuri të luajtshme (inventar, lëndë e parë, mall në proces, makineri, pajisje, linja përpunimi, etj), si dhe pasuri të paluajtshme (apartamente, vila, fabrika, zyra administrative, njësi biznesi, etj), duke dhënë dëmshpërblim për humbjen, dëmtimin ose shkatërrimin e pasurisë së siguruar në mënyrë të papritur, të paparashikuar dhe aksidentale. Megjithatë sigurimi kushton dhe për këtë duhet paguar polica përkatëse pranë kompanive të sigurimit.
Mbulimet e kompanive të sigurimit janë:
Zjarri
Rrufeja
Shpërthimi
Rënia e avionëve dhe/ose pjesëve prej tyre
Rreziqet shtesë:
Tërmeti
Rrëshqitja e tokës
Përmbytja, rritja e nivelit të ujërave
Stuhia
Vjedhja
Thyerja e xhamave
Impakti me mjetet
Zhurmat supersonike
Aktet keqdashëse
Grevat, ngujimi i punonjësve, trazirat civile 
Sigurimi i pajisjeve:
Pajisjet shtëpiake deri në 30% të vlerës së ndërtesës
Paratë dhe sendet me vlerë, duke filluar nga 500-2.500 euro për secilin
Shpenzimet e zhvendosjes së përkohshme deri në 4,000 euro
Përgjegjësia ndaj palëve të treta deri në 4,000 euro
Sigal