Taksa e pronës, pagesat për biznesin

1807
Sipërmarrjet do të jenë më të goditurat nga 1 prilli. Do të paguajnë normë më të lartë mbi një çmim më të shtrenjtë
Biznesi do të jetë më i godituri nga taksa e re e pronës që pas ditësh do të nisë nga zbatimi. Sipërmarrjet do të paguajnë, jo vetëm një normë më të lartë takse, por edhe mbi një çmim që do të llogaritet më i shtrenjtë. Kjo pritet të sjellë rritje të masës që do të paguajë biznesi duke filluar nga 1 prilli. “Çmimi për metër katror sipërfaqe ndërtimi për veprimtari tregtimi dhe shërbimi është 1.5 herë më i lartë se çmimi i sipërfaqeve të banimit sipas qyteteve. Në këtë kategori do të përfshihen edhe ndërtesa tregtare, ku njëkohësisht realizohen edhe procese të përziera prodhim, tregtim ose/edhe shërbime me pakicë. Në zonat që përfshihen në Bashkinë Tiranë, ky koeficient është 2 herë më i lartë”, thuhet në metodologjinë e llogaritjes së vlerës së pronës. Ndërkohë qeveria ka menduar të përjashtojë nga taksa kategoritë e personave në nevojë. Kështu, kryefamiljarët pensionistë në qytet apo fshat, kur jetojnë vetëm nuk do të paguajnë taksën e banesës. Edhe ndërtesat e banimit të kryefamiljarëve që trajtohen me ndihmë ekonomike do të përjashtohen nga taksa, ashtu si ndërtesat e banimit që shfrytëzohen nga qiramarrësi me qira të pa liberalizuara dhe banesat sociale në pronësi të bashkive. Më pas, në listën e përjashtimit janë të gjitha pronat shtetërore që përdoren për qëllime jofitimprurëse, pasuritë shtetërore nën administrimin e shoqërive publike shtetërore, ndërtesat e komuniteteve fetare në funksion të veprimtarisë së tyre, si dhe objektet e kulturës. Qeveria ka menduar të përjashtojë nga taksa e pronës edhe hotelet/resortet me 4 dhe 5 yje, që marrin “status special” po me vendim qeverie. Kjo masë, sipas saj është marrë për të stimuluar sektorin e turizmit.
Çmimet mesatare për metër katror sipërfaqe ndërtimi për ndërtesat që nuk shërbejnë për banim
a) Çmimi për metër katror sipërfaqe ndërtimi për veprimtari tregtimi dhe shërbimi është 1.5 herë më i lartë se çmimi i sipërfaqeve të banimit sipas qyteteve. Në këtë kategori do të përfshihen edhe ndërtesa tregtare, ku njëkohësisht realizohen edhe procese të përziera prodhim, tregtim ose/edhe shërbime me pakicë. Në zonat që përfshihen në Bashkinë Tiranë, ky koeficient është 2 herë më i lartë.

b) Çmimi për metër katror sipërfaqe ndërtimi për parkim të mbuluar dhe bodrume është 70 për qind e çmimit të sipërfaqeve të apartamenteve të banimit sipas qyteteve.

c) Çmimi për metër katror sipërfaqe ndërtimi për parkim të hapur është 30 për qind e çmimit të sipërfaqeve të apartamenteve të banimit sipas qyteteve.

ç) Çmimi për metër katror sipërfaqe ndërtimi të destinuara për veprimtari industriale, si: prodhim, përpunim ose magazinim të mallrave industriale, duke përfshirë fabrikat, depot, magazinat dhe objektet e tjera të ngjashme, është 50 për qind e çmimit të sipërfaqeve të banesave të zonës përkatëse sipas qyteteve.

d) Çmimi për metër katror sipërfaqe ndërtimi që përdoren për bujqësi dhe blegtori apo veprimtari mbështetëse, si grumbullim, magazinim dhe ruajtje të produkteve bujqësore dhe blegtorale është 30 për qind e çmimit të sipërfaqeve të banesave të zonës përkatëse, me përjashtim të përpunimit ushqimor.

dh) Çmimi për metër katror sipërfaqe ndërtimi të destinuara për banim në njësitë administrative jashtë qytetit përkatës, të cilat iu bashkuan njësive të vetëqeverisjes vendore pas hyrjes në fuqi të ligjit nr. 115/2014, reduktohet deri në 35 për qind, krahasuar me çmimin e zonës më të afërt, përjashtuar zonat rezidenciale. Në zonat që përfshihen në Bashkinë Tiranë, ky reduktim është deri në 30 për qind krahasuar me çmimin e zonës më të afërt.

e) Për ndërtesat e privatizuara me ligjin nr. 7652, datë 23.12.1992, “Për privatizimin e banesave shtetërore”, të ndryshuar, çmimi për metër katror është 70 për qind e çmimit sipas zonave të tabelës, vetëm në rastin e shitjes së parë.
Niveli i pagesës
Për efekt të llogaritjes së taksës për ndërtesën/njësi pronësore, baza e taksës shumëzohet me shkallën në përqindje të taksës së miratuar me ligj: 0,2%, për ndërtesën/njësinë pronësore që përdoret, shfrytëzohet për veprimtari ekonomike. 
Çfarë përdoret për banim/strehim
1 – Ndërtesa e cila u shërben njerëzve për nevoja themelore banimi, duke përfshirë shtëpitë, apartamentet, banesat dhe ndërtesat e ngjashme;
2 – Garazhet e mbyllura;
3 – Bodrumet;
4 – Çdo ndërtesë tjetër e ngjashme, mbi apo nën tokë, që nuk përdoret apo shfrytëzohet për qëllime të tjera veç atij të banimit.
Sigal