Taksa e pronës, ku do të paguajnë familjarët e bizneset

1133
Qytetarët mund të vazhdojnë të derdhin detyrimet bashkë me faturën e ujit. Vendimi final, nga këshillat bashkiakë
Fillimisht, informacioni që u dha nga zyrtarët e Ministrisë së Financave ishte se taksa e pronës, që nga 1 prilli do të përllogaritet mbi bazën e vlerës së tregut dhe sipas sipërfaqes siç ka qenë deri më tani, do të mblidhej tek fatura e energjisë elektrike. Por zhvillimet e fundit tregojnë për ndryshim të formës së vjeljes së saj. Do të jenë Këshillat Bashkiakë që do të përcaktojnë mënyrën sesi do të bëhet pagesa, duke hedhur kështu poshtë variantin për arkëtim të saj nga OSHEE. Në Fletoren Zyrtare, ku është botuar vendimi i qeverisë për formën e re të taksimit të banesave dhe ambienteve të bizneseve theksohet se “njësitë e vetëqeverisjes vendore duhet të sqarojnë në mënyrë të vazhdueshme taksapaguesit në territorin e tyre lidhur me procedurat dhe kriteret për llogaritjen e taksës, të drejtat e taksapaguesve për korrigjim dhe apelim, mënyrën e pagesës, si dhe masat që zbatohen në rast mospagimi të taksës”. Dy janë variantet në tryezën e diskutimit, teksa mbeten edhe pak ditë nga 1 prilli, afati kur taksa hyn në fuqi: vjelja e saj tek fatura e ujit për konsumatorët dhe grumbullimi nga inspektorët tatimorë vendor për bizneset. Këto dy variante konfirmohen si më të mundshmit nga burime në Ministrinë e Financave. “Do të jenë këshilltarët bashkiakë ata që do të vendosin për mënyrën sesi do të mblidhet. Aktualisht, përderisa taksa mblidhet tek fatura e ujit, mundësia më e madhe është që të vazhdojë të mblidhet në këtë formë. Pra, qytetarët ta paguajnë taksën e banesës tek fatura e ujit, por me vlerë tjetër, pasi metodologjia ka ndryshuar. Ndërsa për bizneset (0.2 %), varianti më i mundshëm është që të mblidhet nga zyra e tatim-taksave vendore”, shprehen burimet e mësipërme. Ekspertët e Ministrisë së Financave bëjnë të ditur gjithashtu, se taksa për qytetarët (0.05 %) do të shpërndahet në 12 muajt e vitit, ndërkohë që edhe bizneseve do t’iu ofrohet mundësia e pagesës së saj me këste, sipas mundësisë financiare që do të kenë.

Informimi i publikut
Sipas vendimit të qeverisë, njësitë e vetëqeverisjes vendore duhet të sqarojnë në mënyrë të vazhdueshme taksapaguesit në territorin e tyre lidhur me procedurat dhe kriteret për llogaritjen e taksës, të drejtat e taksapaguesve për korrigjim dhe apelim, mënyrën e pagesës, si dhe masat që zbatohen në rast mospagimi të taksës. “Informimi i publikut i shërben transparencës së njësive të vetëqeverisjes vendore, por, njëkohësisht, shërben edhe për të mundësuar marrjen e informacionit në dobi të lehtësimit të procesit të vlerësimit të pasurisë së paluajtshme dhe objektivitetit të vlerës së llogaritur, nëpërmjet informacionit që vetë taksapaguesit duhet t’u japin njësive të vetëqeverisjes vendore për pasurinë e paluajtshme në pronësi/përdorim”, thekson qeveria. Informimi i publikut bëhet nëpërmjet mjeteve të informimit elektronik, medias, njoftimeve publike dhe çdo forme tjetër komunikimi me publikun, e cila mund të shfrytëzohet për këtë qëllim. 
Njoftimet kanë për qëllim të informojnë publikun për:
a) regjistrimin e objekteve të reja të pasurisë së paluajtshme ndërtesë/njësi pronësore;
b) objektet e pasurisë së paluajtshme ndërtesë/njësi pronësore, që kanë pësuar ndryshime në përdorim apo destinim;
c) pasurinë e paluajtshme ndërtesë/njësi pronësore të rrënuar, të braktisur apo të papërdorshme.
ç) rezultatet nga verifikimet e kryera në terren.
d) vendimet e marra nga njësia e vetëqeverisjes vendore për taksën e pasurisë së paluajtshme, nivelet e vendosura për shumën e taksës për t’u paguar sipas ndarjeve/nënndarjeve zonale apo nënzonale etj.
Sigal