“Taksa e lartë, Bashkitë të shfrytëzojnë hapësirat për uljen 30%”

616
Sigal

Taksa e ndërtesës në nivelin 0.05% të vlerës së saj konsiderohet si një instrument që do të rrisë të ardhurat e bashkive. Agron Haxhimali, kryetar i Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, shprehet se kjo është pozitive, por duhet të ishte menduar ndoshta një nivel më i ulët prej 0.03% për të nxitur qytetarët që ta paguajnë. Sipas tij, bashkitë duhet të shfrytëzojnë hapësirat që i jep ligji për të rishikuar minus 30% shkallën e taksës për të ndihmuar grupet në nevojë apo ata që nuk kanë aftësi paguese. Kjo do t’i shërbente edhe edukimit qytetar për ta paguar këtë taksë.

A mund të bëjmë një koment të përgjithshëm lidhur me taksën e pronës. Si e vlerësoni situatën aktuale nëpër bashki për taksën?

Taksa e pasurisë së paluajtshme ose taksa e ndërtesës, siç thuhet në gjuhën e përditshme, duke filluar nga 1 prilli 2018, i është nënshtruar një metodologjie të re taksimi. Kjo metodologji takson pronën bazuar në vlerën që ka kjo pronë, sipas VKM 132, datë 07.03.2018Deri para 1 prillit 2018, kjo taksë mblidhej nga bashkitë, duke u bazuar në sipërfaqe, dhe çmimi për sipërfaqe varionte nga 5 lekë m² në zonat më të largëta në 30 lekë m² në Tiranë. Vlera e pasurisë llogaritet si shumëzim i çmimit për metër katror me sipërfaqen e ndërtesës, ose njësisë pronësore shumëzuar me koeficientin e shkallës së taksës 0.05% për ndërtesat që shfrytëzohen për banim.

Veç këtij koeficienti, vlera e taksës merr për referencë edhe kategoritë e pronës, funksionin e tyre, si dhe zonat dhe vendin ku ndodhet prona, në qytet dhe në fshat. Por si e shoh unë këtë ndryshim të metodologjisë? Mendoj se ndryshimi i sistemit të taksës së pasurisë duhet të ishte trajtuar më me kujdes dhe këtu kam parasysh këto elemente.

Së pari, ndryshimet ligjore që kërkuan zbatim të efekteve në mes të vitit buxhetor dhe kalendarik. Këto nuk janë procedura shumë korrekte dhe me ndikim aspak të mirë në mbarëvajtjen e proceseve administrative në bashki.

Së dyti, tendenca dhe propozimi i qeverisë për të futur një agjent qendror për ta mbledhur taksën e pasurisë siç ishte OSHEE (më vonë qeveria e tërhoqi propozimin) disa muaj pasi bashkitë sapo po ndërtonin sistemin e tyre ishte pa vend dhe ngadalësoi punën e bashkive.

Së treti, koeficienti i taksës prej 0,05% mendoj se është pak i lartë, referuar nivelit ekonomik dhe fuqisë paguesve, pasi me këtë shkallë taksimi, çdo posedues banese duhet të paguajë dy-tre herë më shumë sesa paguante (gjithmonë ai që paguante) më parë. Një koeficient 0.03% do të ishte më mirë.

Si ka qenë ecuria e kadastrës fiskale dhe popullimi i saj në dijeninë tuaj?

Shqipëria nuk ka ende kadastër fiskale. Ajo u premtua nga qeveria por na duhet të presim dhe shumë vite dhe ndërkohë, ka një kuadër ligjor jo të mjaftueshëm, bashkëpunimi ndërinstitucional, pasi shfaqen mangësi të theksuara. Edhe pse po punohet për Kadastrën Fiskale, sërish duhen dhe shumë vite që të kemi një të tillë. Është shumë i ngadaltë popullimi i të dhënave në sistemet e bashkive. Ato sot kanë diku te 20-30 të dhëna. Në këtë aspektet, agjencitë qeveritare që posedojnë të dhënat duhet urgjentisht t’i transferojnë te bashkitë.

Cilat janë sot problematikat që hasin bashkitë dhe që kanë nevojë për më shumë vëmendje?

Edhe pse taksimi bazuar në vlerë parimisht është më i drejtë, problemi qëndron në gjithë sistemin e trajtimit të pronës. Këtu kam parasysh shtyllat kryesore që lidhen me pronën siç është: regjistrimi, vlerësimi, taksimi dhe vjelja. Për secilën nga këto shtylla ka shumë probleme dhe paqartësi. Janë gati 1.2 milionë prona në Shqipëri që nuk prezantohen me të dhënat e duhura dhe të kërkuara për të pasur një taksim të drejtë. Po Shqipëria nuk e ka ende sot inventarin e plotë të pasurive sipas kategorive. Bashkitë duhet të bëjmë verifikim në terren, të inventarizojnë dhe regjistrojnë çdo pronë në territorin që është nën juridiksionin e tyre. Kjo kërkon shumë punë dhe burime njerëzore, por është metodë shumë e mirë.

A kanë nisur të gjitha bashkitë vjeljen sipas metodologjisë së re apo ka ende bashki me metodologjinë e vjetër?

Çdo bashki i di mirë efektet e ligjit dhe afatet. Ka një angazhim serioz për zbatimin e metodologjisë së re pasi të ardhurat nga kjo taksë janë një e ardhur shumë e mirë për bashkitë. Këto të fundit po punojnë me shoqëritë e ujësjellësve si agjentë për zonën që mbulon kjo e fundit dhe pjesa tjetër mblidhet nga drejtoritë e taksave dhe tarifave vendore. Në këtë drejtim nuk mendoj se bashkitë janë në det të qetë.

Bashkitë, kanë sipas ligjit, mundësinë që të ulin apo rrisin me 30% një taksë në raport me atë që ka miratuar qeveria. Lidhur me taksën e pronës, si ka qenë kjo tendencë?

Po ligji u jep këtë kompetencë vendorëve për të rishikuar pragun e vendosur nga qeveria, por kjo varet shumë edhe nga këshillat bashkiakë. Sigurisht që për grupe sociale apo të tjerë në nevojë dhe pamundësi pagese, kryetari dhe këshilli bashkiak duhet të shfrytëzojnë këtë hapësirë ligjore dhe të bëjnë përjashtime të tjera. Nertila Maho