Strehimi, 129 familje në 9 bashki përfitojnë bonusin

907
Buxheti i shtetit mbulon deri në masën 30% të qirasë minimale të tregut, për secilin përfitues. Ja ndarja 
Në disa bashki të vendit, 129 familje janë përfituese të bonusit të strehimit, me vlerë totale rreth 3,5 milionë lekë, të financuar nga buxheti i shtetit për këtë vit, bazuar në ligjin “Për Programet Sociale të Strehimit”, datë 29 mars 2017 “Për ngritjen e grupit të punës për shpërndarjen e fondeve nga buxheti i shtetit për bonus strehimi dhe grande të menjëhershme”. Sipas njoftimit të Ministrisë së Zhvillimit Urban, familjet përfituesve të këtij bonusi të strehimit, të financuar nga buxheti i shtetit, kanë plotësuar kushtet në përputhje me aktet ligjore në fuqi. Ndërkohë që, sipas ligjit “Për Programet Sociale të Strehimit” në pikën 6 të tij, bashkitë duhet të paraqesin, pranë Ministrisë së Zhvillimit Urban (MZHU), kërkesat për bonus strehimi shoqëruar me kostot financiare të çdo familje dhe listën e detajuar të familjeve përfituese. Konkretisht, bashkitë Gjirokastër, Korçë, Përrenjas, Librazhd, Elbasan, Kamëz, Lushnjë, Mirditë dhe Malësi e Madhe kanë paraqitur kërkesën për të përfituar bonus strehimi, në përputhje me aktet ligjore në fuqi, duke kërkuar financimin e bonusit nga buxheti i shtetit deri në masën 30% të qirasë minimale të tregut, për secilin përfitues. Më konkretisht, kërkesat kanë qenë për bashkinë Gjirokastër në shumën rreth 270 mijë lekë për 9 familje; për bashkinë Korçë në shumën 645 mijë lekë për 19 familje; për bashkinë Përrenjas në shumën 158,367 lekë për 10 familje; për bashkinë Librazhd në shumën 583,584 lekë për 16 familje; për bashkinë Elbasan në shumën 360 mijë lekë për 10 familje; për bashkinë Kamëz në shumën 291 mijë lekë për 9 familje; për bashkinë Lushnjë në shumën 996,096 lekë për 46 familje; për bashkinë Mirditë në shumën 137,984 lekë për 8 familje, si dhe për bashkinë Malësi e Madhe në shumën 48 mijë lekë për 2 familje.

Sipas vlerësimit të Ministrisë, kërkesat për përfitimin e bonusit të strehimit për këto bashki ishin në mbështetje të kritereve të përcaktuara në pikën 3 dhe 4, të vendimit të qeverisë të 28 dhjetor 2015 “Për miratimin e procedurave, kritereve dhe përparësive për dhënien e bonusit të strehimit”, i ndryshuar dhe janë të miratuara me vendimet e Këshillave Bashkiak. 

Ndërkohë, edhe pak kohë më parë 38 familje në bashkitë Vlorë dhe Berat, janë bërë përfituese të bonusit të strehimit me vlerë totale 1,2 milion lekë, të financuar nga buxheti i shtetit, po për këtë vit kalendarik.

Sigal