Strategjia / Pagesat për shlyerjen e borxheve ndaj biznesit fillojnë nga detyrimet më të vjetra

686
Sigal

Shlyerja e detyrimeve të prapambetura që qeveria shqiptare ka ndaj biznesit, do të marrë 3 vjet kohë. Ministria e Financave ka gati strategjinë për shlyerjen e borxheve të prapambetura, si dhe për parandalimin e krijimit të borxheve të reja, ndërsa pritet që kjo strategji të marrë edhe ‘ok’ e qeverisë. Drafti i përgatitur nga Ministria e Financave, vlerëson se borxhet e prapambetura të shtetit ndaj sipërmarrjes janë në total rreth 72.6 miliardë lekë ose 5.3 për qind e Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar. Detyrimet konsistojnë në 5 zëra. Kontratat e papaguara të punëve publike dhe pagesat për mallra e shërbime, respektivisht me 24.6 miliardë lekë dhe 5 miliardë lekë, detyrime të tjera që rrjedhin nga tatimet, 22.8 miliardë lekë, përkatësisht 12.8 miliardë lekë TVSH e parimbursuara dhe 10 miliardë lekë tatim mbi fitimin që duhej t’i ishte kthyer biznesit.

Sipas burimeve të ministrisë së Financave, në zërin e fundit, qeveria grupon detyrimet e tjera, të cilat i vlerëson 20.1 miliardë lekë dhe ku përfshihen vendimet gjyqësore kundër shtetit, detyrimet për shpronësimet publike, por edhe pagesat e prapambetura të personave me aftësi të kufizuara. Për vitin 2014, qeveria ka vendosur të paguajë nga buxheti 35 miliardë lekë ose gati gjysmën e detyrimeve totale. Pjesa e mbetur do të shlyhet në dy vitet e ardhshme, përkatësisht 20 miliardë në 2015 dhe 17.5 miliardë të tjera në vitin 2016. Sipas strategjisë së ministrisë së Financave për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura do të ndiqet parimi i kohës, sipas të cilit pagesat do të fillojnë nga detyrimet më të vjetra. Për të eliminuar abuzimet, sipas MF-së, gjithë procesi do të mbikëqyret nga një komitet i posaçëm, që kryesohet nga zëvendësministri i Financave. Në përbërjen e tij janë edhe drejtoresha e Doganave, ajo e Tatimeve dhe anëtarë të tjerë. Në proces do të jetë e përfshirë edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit, që do të ketë statusin e vëzhguesit. Në draft-strategji janë parashikuar edhe një sërë masash që tentojnë të parandalojnë krijimin e borxheve të reja, ku përfshihen ndryshimi i ligjit të buxhetit, ai i skemës së rimbursimit të TVSH-së etj..

Ja zërat e detyrimeve

 Detyrimet konsistojnë në 5 zëra. Kontratat e papaguara të punëve publike dhe pagesat për mallra e shërbime, respektivisht me 24.6 miliardë lekë dhe 5 miliardë lekë, detyrime të tjera që rrjedhin nga tatimet, 22.8 miliardë lekë, përkatësisht 12.8 miliardë lekë TVSH e parimbursuar dhe 10 miliardë lekë tatim mbi fitimin që duhej t’i ishte kthyer biznesit.

Sipas burimeve të ministrisë së Financave, në zërin e fundit, qeveria grupon detyrimet e tjera, të cilat i vlerëson 20.1 miliardë lekë dhe ku përfshihen vendimet gjyqësore kundër shtetit, detyrimet për shpronësimet publike, por edhe pagesat e prapambetura të personave me aftësi të kufizuara.