Strasburgu “gjobit” sërish shqiptarët, me 1,5 milionë euro

751
Strasburgu dënon përsëri shtetin shqiptar me shumën 1.498.400 euro. Gjykatat në Shqipëri duken pak të ndryshme nga ato që imagjinojnë në vendet demokratike. Ky është një rast demonstrativ, ku vendin e detyrimeve kushtetuese dhe të gjykimit të drejtë e ka zëvendësuar “maliqi”. Vendimi i Strasburgut në nenin 8 thotë: “Më 22 tetor 2004, Gjykata Kushtetuese, në një panel të plotë, nuk gjeti asnjë shkelje të së drejtës së ankuesve për një gjykim të drejtë”. Ky është Vendimi i datës 13 mars 2015, “Rasti Siliqi etj. kundër Shqipërisë”, për një pronë me sipërfaqe 2,461.97 metër katrorë, të kthyer me vendim të KKKP-së në vitin 1994. Ky konflikt në zbatim të ligjeve të kohës, normalisht duhej të ishte zgjidhur brenda pak muajve, por ai i ka kushtuar pronarëve disa vjet. Këmbëngulja bëri që pronarët ta marrin pronën e tyre të trashëguar, por shuma e parave do të paguhet nga shoqëria shqiptare. Paratë do t’i paguajë populli, sepse i tillë është niveli i drejtësisë dhe i politikanëve të shtetit. Qeveria është në dijeni se pronarët të zhgënjyer nga pritja prej mëse dy dekadash dhe së fundmi kompensim me nga 200 metra katrore dhe pronat e tyre t’i përfitojnë ata që kanë shkelur dhe kanë manipuluar me ligjet dhe nuk kanë asnjë të drejtë trashëgimie mbi ato prona, po postojnë dosjet në Strasburg, duke e vlerësuar atë Gjykatë që u kthen fizikisht pronën. Për këtë kapitull, “Telegraf” ka sensibilizuar më shumë se çdo gazetë tjetër. Gazeta “Telegraf”, vazhdimisht, ka publikuar ankesat, sugjerimet dhe projektet e zgjidhjes optimale dhe të drejtë të paraqitura në shoqatat e pronarëve, por ato kanë rënë në vesh të shurdhër, çka tregon mungesën e vullnetit të politikës për të zgjidhur problemin e pronës, konform detyrimeve kushtetuese. Kërkesat për zbatimin e Kushtetutës nga vetë Shteti, mund të tingëllojnë të çuditshme për Ambasadorin e ri të SHBA-së z. Donald Lu, pasi për botëkuptimin e tij, ai nuk mund të imagjinojë se një shtet i shpallur demokratik prej 24 vjetësh, anëtar i NATO-s dhe që pretendon të futet në BE, akoma nuk ka përfunduar kthimin fizik të pronës së grabitur, por vepron me ligje që shkelin të drejtën e pronës së trashëguar, sepse shkelet Kushtetuta. Ky vendim i GJEDNJ shtron domosdoshmërinë e konsensusit për përmirësimin pa hezitim të legjislacionit dhe dhënies fund të korrupsionit me pronat dhe korrupsionit në drejtësi. Strasburgu është një zgjidhje dhe ndofta më e shpejtë se ajo që mund të japë sot AKKP, e bllokuar prej vitesh ne procesin e kthimit fizik të pronave. Kompensimi për të zëvendësuar pronat, që normalisht mund të kthehen duket i papranueshëm nga GJEDNJ, veç faktit që kërkon një kosto që nuk mund ta përballojë as thesari i shtetit të SHBA-së. Zgjidhja më e mirë dhe pa kosto është konsensusi i drejtuesit të maxhorancës z. Edi Rama dhe atij të opozitës z. Lulzim Basha për miratimin e një ligji për të caktuar si detyrim të Shtetit që secili të ketë të drejtën të gëzojë pronën e tij të trashëguar, konform Nenit 181 të Kushtetutës. Këshillat dhe opinionet e ambasadorëve do ta përshpejtonin këtë proces që do të shënonte një hop cilësor në luftën për dekriminalizimin e Shtetit.
Sigal