Specialistët : Depozitat e shqiptarëve “eksportohen” jashtë kufijve

668
Sigal

Kursimet e shqiptarëve që kanë braktisur fundet e dyshekëve, nën tabanet e parketeve të shtëpisë dhe u janë besuar bankave tregtare që veprojnë në Shqipëri po ikin. Janë më shumë se 7.2 miliardë dollarë. Po ikin një pjesë e mirë jashtë Shqipërisë, jo me skafe dhe në ditë të mjegullta apo natën, si paratë e Vefa-s apo Gjallicë-s, 17 vite më pare. Po ikin qetësisht, në mes të ditës dhe në dritën e diellit, me dokumentacion të plotë. Po si? Në këto 3-4 vite të këqija krize gjithandej, veprimi i parë i bashkatdhetarëve tanë me para ndër duar ka qenë depozitimi, ngrirja në kohë në kasaforta bankash, në këmbim të një përqindjeje interesi që merret që javën e parë pas depozitimit, për të mos i lënë “të vdekura” këto para në shtëpi. Por bankat tregtare nuk qëlluan “të besës” për ekonominë shqiptare. Të dhënat e fundit të Bankës së Shqipërisë tregojnë se fondet që bankat tregtare të këtushme kanë investuar jashtë vendit në formën e depozitave në bankat mëma apo investime e depozita në banka të tjera, në fund të vitit të kaluar arritën rekordin historik me 2.5 miliardë dollarë. Kjo është sa 27 për qind e të gjitha depozitave që shqiptarët kanë vendosur në të 18 bankat e nivelit të dytë (tregtare) në Shqipëri. Ose mbi një të katërtën e kursimeve të shqiptarëve! Një dukuri e tillë, ku një të katërtën e depozitave të qytetarëve të një vendi, bankat i “eksportojnë” brenda një viti jashtë kufijve të këtij shteti ndodh rrallë ose asfare në vende të tjera. Të paktën në shtetet e Evropës, kjo nuk është regjistruar asnjëherë në këto 30 vitet e fundit. Ndodh tek ne dhe është pasojë së pari e përgjegjësisë publike të nivelit më të ulët, për këto para kursimesh. Qytetari ndoshta nuk mund të shqetësohet në vetë të parë, përderisa ka një kontratë depozitimi nga banka dhe në çdo kohë kursimet mund t’i tërheqë përpara afatit, duke kthyer interesin e marrë po përpara kohës së maturimit (përfundimit në kohë) të depozitës. Por çdo të ndodhte nëse të gjithë qytetarët do të tërhiqnin në të njëjtën kohë depozitat e tyre? Dhe kryesorja, duke përjashtuar këtë skenar paniku: sa dëmtohet ekonomia shqiptare nga ikja, “mërgimi” i 2.5 miliardë dollarëve kursime të shqiptarëve? Një shkak të gati stanjacionit, ngecjes në vend të rritjes sonë ekonomike këto dy vitet e fundit, përveç pasojave të krizës tërësore ekonomike dhe financiare të Eurozonës, është pikërisht zbehja e huadhënies, kreditimit të ekonomisë shqiptare nga ana e bankave tregtare. Këto të fundit shprehen se janë të detyruara t’i nxjerrin paratë jashtë shtetit, për shkak se nuk ka kërkesë për kredi në vend. Kjo është pjesërisht e vërtetë, pasi ngërçi i kredisë nuk është pasojë vetëm e kërkesës së ulët nga bizneset dhe qytetaret shqiptare, por sidomos i shtrëngimit të kushteve të kredisë dhe i mbajtjes së interesave shumë të larta nga vetë bankat. Mërgimi, eksodi masiv i kursimeve shqiptare nga mëmëdheu ndodh në një kohë kur më shumë se kurrë sipërmarrja shqiptare ka nevojë për para letër për të përballuar shpenzimet dhe menduar për të investuar. Por bankat nuk kanë menduar dhe as edhe janë përpjekur shumë që në këto dy-tre vitet e fundit t’i kanalizonin këto kursime që u janë besuar si kredi për të gjallëruar ekonominë shqiptare. E kanë pasur shumë më të lehtë t’i investojnë këto para jashtë Shqipërisë. Askush nuk është kundër liberalizimit të tregtisë dhe mundësive të parave që si çdo mall tjetër të kalojnë kufijtë e një shteti me transaksione të ligjshme. Por një ekonomi në zhvillim dhe që vuan pasojat e një krize të fortë, ka nevojë për shumë politika zhvillimi. Një ndër to është krijimi i kushteve për ta qarkulluar paranë e qytetarëve të atij vendi brenda vendit, në dobi të ekonomisë së këtyre qytetarëve. Krahasuar me vitin 2011, gjatë vitit të kaluar bankat tregtare kanë dërguar jashtë kufijve 700 milionë dollarë më shumë, ose rreth 37 për qind më tepër valutë. Bankat këtu rrinë gati duarkryq, ndërkohë që duhet të provojnë fort të shesin hua, kredi tek biznesi dhe qytetarët shqiptarë. Është puna kryesore pse kanë ardhur këtu apo janë krijuar për të bërë. Dhe jo të blejnë bono thesari të shtetit shqiptar apo të dërgojnë paratë e depozitave jashtë shtetit. Shqipëria është e fundit në rajon për raportin kredi-depozita. Tek ne, tre vjet më parë, pjesa e depozitave e rishpërndarë në kredi ishte gati 70 për qind. Ndërsa, në fund të vitit 2012 shifra ra 58.6 për qind.  Vendet e tjera rreth nesh e kanë këtë raport 90 deri në 120 për qind. Për të zgjidhur këtë ngërç, pak ditë më parë, Banka e Shqipërisë miratoi një masë, që i klasifikonte investimet e bankave jashtë me koeficient maksimal rreziku, duke i detyruar ato që për çdo fond që investojnë jashtë të mbajnë fonde të papërdorura rezervë këtu. Një reagim shumë i vonët. Ky duhej të ishte pjesë e një pakete masash që duheshin miratuar që në fillim të krizës, në vitet 2009-2010, duke parandaluar rrjedhjen masive të parave tona jashtë vendit. Po na ikin paratë dhe askush nuk ndihet përgjegjës që t’i mbajë këtu. Bankat tregtare mund të kenë 100 arsye për të çuar kursimet e shqiptarëve jashtë, por arsyet madhore i ka ekonomia jonë këtu brenda, që këto para të përdoren për kreditimin e ekonomisë sonë. Ka pak shpresë që në krah të Bankës së Shqipërisë me këtë kundërveprim tejet të vonuar të saj të vihet edhe qeveria e re, duke menduar për një paketë masash për të ruajtur paranë brenda vendit. Por shpresa është e fundit që vdes…