Sondazhi: 89% e studentëve shqiptarë, të pakënaqur me cilësinë e arsimit

441
Sigal

Nga blerja e notës tek praktikat mësimore, ja shqetësimet e të rinjve në vendin tonë

Vetëm 9% e moshës së re në zonat rurale janë me shkollë të lartë

Sistemi arsimor në vendin tonë prej vitesh është bërë pikë debati për sa i përket cilësisë së mësimdhënies, nivelit të studentëve, korrupsionit në shkolla apo infrastrukturës së institucioneve. Të gjitha këto këto probleme kanë sjellë mangësi të mëdha në shkollimin e të rinjve shqiptarë. Në një raport të fundit nga Fondacioni “Friedrich Ebert” tregohet qartë se shqetësimet e të rinjve shqiptarë për arsimin bazohen në një sërë faktorësh. Sipas raportit, vërehet se vetëm 11 për qind mendojnë se Shqipëria ka një arsim cilësor. Pra, gati 90% e studentëve në vendin tonë shprehen të pakënaqur për cilësinë e arsimit. Nga të pyeturit, 38 për qind e të rinjve ndjehen “pak të kënaqur” më cilësinë e arsimit.

Blerja e notës

Një shqetësim për të rinjtë shqiptarë vijon të mbetet çështja e blerjes së votës. Madje që prej 2015-s ky fenomen duket se ka pësuar rritje. Rreth 54 për qind e studentëve kanë deklaruar se paguajnë para për të kaluar në provime, ose për të marrë një notë më të lartë. Në vitin 2015 këto shifra varionin tek 45.7 për qind. Nga raporti rezultoi se një element tjetër shumë i rëndësishëm për të rinjtë ishte edhe lidhja e shkollimit me tregun e punës. Të dhënat tregojnë se shkollimi dhe tregu i punës janë shumë larg njëri-tjetrit në vendin tonë. Rreth 63 për qind e të rinjve të intervistuar nga mosha 22-25 vjeç kanë deklaruar se sistemi i kualifikimit, shkollimit dhe studimeve universitare nuk është i përshtatur me tregun e punës. Ndërsa, 67 për qind e të rinjve të grupmoshës 26–29, që kanë kryer ciklet e studimit ende përballen me sfidat e punësimit.

91% e të rinjve në zonat rurale pa shkollë të Lartë

Një tjetër fenomen shqetësues janë të rinjtë e zonave rurale. Rreth 43 për qind e tyre kanë përfunduar shkollën 9-vjeçare, 27 për qind arsimin e mesëm, 5 për qind arsimin profesional, 9 për qind arsimin universitar dhe 9 për qind arsimin pasuniversitar. Ndërsa për sa i përket gjinisë, shifrat tregojnë se 45 për qind e femrave kanë një prirje drejt arsimit sa më afatgjatë, përkundër 29 për qind të meshkujve.  Të dhënat tregojnë se edhe pse numri i të rinjve që ndjekin arsimin profesional është rritur, shumica e tyre vazhdojnë ta kenë si objektiv bazë përfundimin e një shkolle të lartë, duke besuar se do t’u ofrojë mundësi më të mira punësimi. Ndërkaq, një tjetër hallkë e pa plotësuar në arsimin shqiptar janë praktikat mësimore ose intershipet, ku rreth 83 për qind e të rinjve të grup moshës 14-17 vjeç, pohojnë se ende nuk kanë marrë pjesë në to gjatë shkollimit.