Sondazhi/ 78% e qytetarëve do të dëshironin t’i rrisnin fëmijët jashtë vendit

456
Sigal

Eksodi i madh i vitit 1991 ku mijëra shqiptarë u larguan nga vendi drejt një jete e shprese më të mirë. Ndërkaq, Shqipëria po përballet ditët e sotme me një largim masiv të qytetarëve të saj që po sjell një eksod tjetër njëlloj si ai ’97. Shkaku kryesor i braktisjes që po ndodh sot është padyshim politika e keqe në këto 28 vite, por edhe problemet ekonomike kanë çuar në vendim ekstrem të shumë familjeve: duke braktisur gjithçka që kanë, shtëpi, tokë apo të mira materiale dhe duke u larguar drejt një jete të re, për t’ia nisur nga zeroja. Raste të tilla nuk janë pak, por me qindra mijëra. Ky fenomen është theksuar sidomos në tre vitet e fundit, ku shumë familje zgjodhën të emigrojnë si azilkërkues..

Si shqiptarët po pushtojnë Evropën si azilkërkues

Sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat, plot 167 mijë shqiptarë kanë aplikuar për azil në vendet anëtare të Bashkimit Evropian, në periudhën 2011-2017, duke përbërë 53% të të larguarve, ndërsa në total nga vendi kanë ikur gjatë së njëjtës periudhë 317 mijë persona. Një shifër relativisht e lartë, krahasuar me popullsinë në Shqipëri. Pjesa më e madhe e kërkesave për azil janë përqendruar në Gjermani, ku sipas Eurostat ka pasur plot 90,335 kërkesa nga shqiptarët, ose 54% e kërkesave totale. Përveç individëve që kanë aplikuar për azil është rritur edhe numri i të larguarve me kontrata pune drejt Gjermanisë, ku kryesisht janë larguar mjekë dhe infermierë, edhe për shkakun se ky shtet ka mungesa për profesionistë të tillë.

Shpresa e vrarë po zbraz vendin tonë

Por, një motiv akoma më i rëndë se ai ekonomik që po shtyn shqiptarët në largime masive, është shpresa e vrarë. Përgjithësisht, të rinjtë janë pesimistë lidhur me të ardhmen e tyre në Shqipëri dhe kryesisht shprehen se nëse do kishin mundësi, do të largoheshin nga vendi i tyre. Bazuar edhe në statistikat e INSTAT, Shqipëria po shkon drejt plakjes, teksa çiftet e reja po martohen në moshë më të madhe dhe po lindin shumë më pak. Konkretisht, mosha mesatare në lindje në Shqipëri ka shfaqur një rritje konstante lineare me rreth 0,27 çdo vit, përgjatë periudhës nga viti 2014 deri në vitin 2018. Edhe kriza politike është një faktor i rëndësishëm që ndikon në vendimin e qytetarëve për të braktisur vendin për shkak të humbjes së shpresës se një palë politike mund të qeverisë me ndershmëri dhe do të sjellë ndryshim apo integrim në BE. Tre forcat kryesore politike në vend janë deri diku të konsumuara, ndërsa Evropa dhe jo vetëm është tashmë toka e ëndërruar që në një formë a në një tjetër po bëhet realitet për mijëra familje shqiptare.

Sondazhi: Shumica e shqiptarëve do të preferonin të rrisnin dhe edukonin fëmijë jashtë vendit

Një tregues për vrasjen e shpresës së shqiptarëve që sjell largimin dhe braktisjen e atdheut është edhe një sondazh 1-ditor i kryer në faqen e “TiranaToday”. Pyetjes “Nëse do kishit mundësi, ku do të zgjidhnit t’i rrisnit dhe edukonit fëmijët tuaj?”, votuesit e sondazhit iu përgjigjën në këtë mënyrë:

22% – Në Shqipëri

78% – Jashtë vendit

Konkretisht, nga 833 vota në total, 183 vota kanë shkuar për opsionin “Në Shqipëri” dhe 650 vota kanë shkuar për opsionin “Jashtë vendit”.