Skema e fajdeve, si po funksionon huadhënia informale

Blerina Hoxha

Kreditë në tregun e zi morën një hov të ri nga rritja e likuiditeteve në tregun jobankar, si pasojë e burimeve të financimit nga tregtia e hashashit dhe paraja jashtë bankave. Sektorët që po financohen më së shumti janë ndërtimi dhe industria minerare

A. Mehmeti, një konsulent në sektorin e biznesit, muajin e kaluar siguroi një hua prej rreth 100 milionë lekësh në tregun e zi. Pas disa muaj përpjekjesh në banka, ai dështoi të siguronte kredinë për projektin e tij në sektorin e kromit, pasi nuk kishte kolateral. Bankat në vendin tonë ende nuk janë në stadin që të financojnë projekte, nëse ato nuk janë të mbështetura me pasuri të patundshme, edhe nëse i kanë të ardhurat e sigurta, tha Mehmeti. Ai i njeh mirë konjunkturat në tregjet ndërkombëtare, që vitin e fundit kanë reflektuar një rritje të çmimeve të mineraleve, kryesisht kromit. Projeksionet janë me rritje të shpejtë edhe në vitin në vijim, prandaj me një grup investitorësh, edhe ai u investua në nxjerrjen e kromit në zonën e Bulqizës. Sasitë e para janë planifikuar të shiten në vjeshtë, teksa është siguruar tregu dhe transporti.

Mirëpo duheshin financime për shpenzimet operative, të cilat aksionerët nuk i kishin. Në këto kushte, kur bankat refuzuan financimin në formën e një overdrafti qarkullues, Mehmeti iu drejtua tregut të zi, prej ku siguroi pjesën e tij të financimit. Huaja është marrë kundrejt interesit 2% në muaj, interesi vjetor llogaritet 24% ose gati 18 pikë përqindje më shumë se mesatarja e interesit të kredive që bankat dhanë për biznesin këtë vit. Por për zotin Mehmeti, koha ka shumë rëndësi, pasi nxjerrja e kromit është e favorshme në këtë periudhë, teksa fitimin e ka të garantuar, referuar pritjeve të çmimeve në bursa. Ai ka pohuar se edhe herë të tjera ka përdorur tregun e zi për financime të nevojave të shpejta. Nuk ka burokraci dhe vepron shpejt, por duhen për projekte me fizibilitet të lartë, pohon ai, duke shtuar se interesat në tregun e zi janë më të ulëta këtë vit. Në vitet 2014, huatë në tregun informal ishin edhe 60% në një vit, tani janë 24-35% për shumat e mëdha.

Një treg intensiv huaje paralel me bankat është zhvilluar me shpejtësi vitet e fundit. Politika shtrënguese bankare për kreditë dhe interesat minimale të depozitave (në maj ishin mesatarisht 1%) nga njëra anë dhe likuiditeti i bollshëm nga burimet e ekonomisë informale kanë sjellë mbifurnizim monetar të tregut jobankar, kryesisht me valutë. Fenomeni po vërtetohet me zhvillimet në tregun e këmbimit, ku euro në tregun vendas është nënçmuar me 6 lekë në harkun e një viti, teksa euro në tregun ndërkombëtar në harkun e një viti ka arritur kuotat më të larta të vitit, duke u këmbyer së fundmi me 1.15 USD.

Konfirmimi nga Banka e Shqipërisë
Banka e Shqipërisë ka lajmëruar disa herë vitin e fundit nëpërmjet raporteve të politikës monetare se, tregu ka mbingopje me valutë, por së fundmi bankat tregtare shprehën shqetësimin në një pyetësor të posaçëm të Bankës Qendrore se, tregu informal i huasë ka ndikuar në uljen e kërkesës së bizneseve në kredi në banka. Burimet brenda sektorit bankar pohojnë se sektorët e ndërtimit dhe ata të industrisë së rëndë minerare, po financohen më së shumti nga tregu informal. Tregu informal (fajdet) sidomos në pjesën e parë të këtij viti po plotëson kërkesën e bizneseve për financim. Banka e Shqipërisë në publikimin për vrojtimin e aktivitetit kredituese për tremujorin e dytë të këtij viti, si një nga faktorët që kanë ndikuar kërkesën përmend faktin se “Bankat raportojnë se kërkesa për kredi nga ana e bizneseve është mbështetur nga nevoja për financimin e kapitalit qarkullues dhe e investimeve, si dhe nga kushtet e favorshme të kreditimit. Kërkesa më e ulët për kredi është perceptuar nga bankat si pasojë e përdorimit të burimeve alternative të financimit jashtë sistemit bankar”. E njëjta tendencë është konstatuar edhe për individët. “Ndërkohë, ekspertët bankarë raportojnë se prania e burimeve alternative dhe besimi konsumator kanë ndikuar negativisht kërkesën për kredi të individëve”, thuhet në vrojtim. Sipas grafikëve që publikon bankat, tek individët kjo dukuri është vënë re përgjatë tre tremujorëve të kaluar (duke filluar nga shtatori 2016). Për bizneset, ndikimi i burimeve alternative të financimit është konstatuar gjatë dy tremujorëve të fundit, pra që nga fillimi i këtij viti.

Huaja informale nuk kalon më nga noteri
Kontratat e huasë nga noterët, që tregojnë trendin e financimit jobankar, nuk janë me rritje këtë vit. Artan Treska, kryetar i Dhomës së Noterëve në Tiranë, tha se kontratat e huave nuk kanë pësuar rritje këtë vit, në raport me vitin 2015, kur fenomeni i huadhënies te noterët arriti kulmin. Treska tha se, tregu i fajdeve i ka shmangur noterët së fundmi për shkak se, kontrata e huasë nuk ka qenë shumë efektive, pasi në pjesën më të madhe të rasteve nuk kishte kolateral. Për rrjedhojë, ekzekutimi i tyre në gjykatë në rast të mosshlyrjes së detyrimit në kohë nuk rezultoi efektiv, pasi në themel të kontratës ishte vetëm norma e interesit dhe jo pasuritë e paluajtshme.

Një noter tjetër i pohoi “Monitor” në kushtet e anonimatit, se fajdet janë në lulëzim, por nuk kalojnë nga noterët. Së pari, tha ai, ka një stepje, për shkak se noterët janë objekt i deklarimit tek Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave. Çdo kontratë huaje duhet të raportohet në DPPP, ndryshe ne rrezikojmë penalitete, shpjegoi noteri. Ai shtoi më tej se, po funksionojnë grupe të strukturuara të fajdeve që japin paratë e aktiviteteve të paligjshme si hua për biznese dhe persona në nevojë. Më tej, noteri shpjegoi se në vend të kontratave të huasë, poseduesit e parave të lira jashtë bankave shpesh po përdorin disa rregulla kanunore për të dhënë e për të marrë borxhin, ndërkohë që kanë struktura për arkëtimin me forcë të tyre. 

Fajdet, financime me miliona euro
Nuk të duhen më shumë se dy orë që në mes të Tiranës, në zonat më të frekuentuara nga 9-katëshet deri në ish-Bllok të gjesh financim nga fajdet. Mjafton të gjesh një biznesmen me përvojë, që nevoja e ka çuar shpesh të gjejë hua qarkulluese në tregun e zi. Ata kanë kontaktet, i njohin njerëzit dhe për persona të besueshëm, mund të gjejnë financime që i kalojnë të 3 milionë eurot. Personat që i japin nuk kërkojnë ndërmjetësim ligjor, por kanë mjetet të tyre, kryesisht ato të ushtrimit të forcës për arkëtimin e borxhit në afat, me gjithë interesa. Kontratat e huasë jashtë bankave përgjithësisht janë për shuma jo dhe aq të mëdha dhe me afate të shkurtra 3 muaj deri në një vit. Për një borxh 10 mijë euro, për tre muaj, kërkohen 13 mijë euro. Nëse shuma nuk kthehet në kohë, fillon një penalitet ditor që shkon mbi 50 euro në ditë. Burimet e financimit që ushqejnë huanë jashtë bankave janë prurje nga emigrantët dhe kursime individësh dhe paratë që vijnë nga aktivitete jo të ligjshme, – tregojnë bizneset ndërmjetësues.

Ndërtimi, si po financohet nga tregu i zi
Sektori i ndërtimit, prej dy vitesh është futur në një trajektore rritëse, duke kulmuar këtë vit me bum objektesh të reja në kryeqytet dhe në zonat bregdetare. Komplekse po ndërtohen anekënd Tiranës, teksa katër kullat e para mbi 30 kate janë gati të fillojnë. Fluksi i ri i ndërtimeve ka përfshirë edhe bregdetin dhe ajo pak hapësirë e mbetur bosh në brigjet e Adriatikut në plazhet popullore të Durrësit, Shëngjinit dhe Velipojës po mbushet me shpejtësi. Instituti i Statistikave konfirmoi se sektori i ndërtimit u rrit me mbi 14.06% në tremujorin e parë, zgjerimi më i madh që nga 2010, duke përjashtuar tremujorin e dytë të vitit 2015, kur u zhvilluan zgjedhjet lokale. Por rikthimi i bujshëm i ndërtimeve vjen me një veçanti këtë herë. Ndërtimet e reja nuk po financohen me kredi. Shifrat zyrtare të Bankës së Shqipërisë tregojnë se shtesa e stokut të kredisë për sektorin e ndërtimit në Tiranë, për tremujorin e parë të 2017-s, është vetëm 3.2 milionë euro, teksa vlera e ndërtimeve në kryeqytet po në këtë periudhë, sipas taksave të paguara për lejet e ndërtimit, i ka kaluar të 120 milionë eurot. Ndërsa në qytetet e Vlorës, Durrësit, Shkodrës dhe Elbasanit, kredia për sektorin e ndërtimit shënoi rënie në tremujorin e parë, në kontradiktë me ndërtimet e reja në zona. Kjo praktikë po shkon përkundër zhvillimeve të parakrizës së vitit 2008, kur sektori financohej nga kredia. Shifrat zyrtare të Bankës së Shqipërisë konfirmojnë së në vitet 2017-2008, kredia në sektorin e biznesit për ndërtimin shënoi një rritje vjetore më shumë se 50% në vit. Pikërisht nga kreditimi i lartë që pësoi sektori i ndërtimit, rënia e mëvonshme krijoi problematikë në banka, pasi pjesa më e madhe e kredisë së keqe ishte pikërisht nga kompanitë e ndërtimit. Lidhur me sektorët kryesorë të ekonomisë, sektori i ndërtimit ka shënuar ritmin më të shpejtë të rritjes së kredive me probleme, duke arritur në 29.6% në qershor të vitit 2012, nga 7.6% në fund të vitit 2008. Gjatë vitit të kaluar, 455 leje për të ndërtuar u dhanë në të gjithë vendin, me një rritje 167% krahasuar me një vit më parë ndërsa në tremujorin e parë të 2017-s janë dhënë edhe 101 leje të tjera. Burimet nga Banka e Shqipërisë pohojnë se sektori i ndërtimit nuk po financohet me kredi bankare. Në këndvështrimin e sektorit bankar, kjo mund të shihet edhe si një zhvillim pozitiv, pasi flluska e dytë që mund të përfshijë sektorin nuk do të prekë bankat. Sektori i ndërtimit, bashkë me biznesin e lojërave të fatit, historikisht janë etiketuar si lavatriçja e pastrimit të parave të pista. Ndërtimi shihet si sektori me kthimin më të shpejtë të investimit dhe një metode shumë efikase për pastrimin e parë. Ndërtuesit me përvojë e shpjegojnë skemën në këtë mënyrë. Poseduesit e parave të paligjshme bëhen bashkëaksionerë me ndërtues që kanë përvojë në sektor, por nuk kanë likuiditete të mjaftueshme. Në këtë mënyrë, ata investojnë dhe pastrojnë paratë e pista në të njëjtën kohë.

Fajdet po financojnë industrinë minerare
Minierat janë zgjuar sërish këtë vit, pas një pauze më shumë se trevjeçare nga rënia e çmimeve në tregun ndërkombëtar. Eksportet e mineraleve arritën 6.8 miliardë lekë në gjashtëmujorin e parë, me një rritje gati 40% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, sipas të dhënave të INSTAT. Banka Botërore nëpërmjet indeksit kryesor të mallrave, ka referuar se çmimet e mineraleve kanë shënuar rritje me 10% në tremujorin e parë të vitit 2017, teksa rritja vjetore e tyre pritet të jetë 16%. Si pasojë e këtyre zhvillimeve, industria e mineraleve, e cila preku falimentin vitin e kaluar, po ringjallet. Mirëpo ri investimet në galeri nuk po financohen nga bankat. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, kredia për sektorin e industrisë pati rritje modeste në Tiranë. Stoku i industrisë nxjerrëse u rrit me vetëm 2.1 milionë euro në tremujorin e parë, ndërsa në shumicën e qarqeve, financimi i bankave për industrinë nxjerrëse ishte me rënie. Nga ana tjetër, kompanitë rinisën investimet në një vit të vështirë për to. Shumica e operatorëve kishin mbyllur aktivitetin sipas të dhënave nga Ministria e Industrisë. Duke qenë se kjo periudhë është e favorshme për kryerjen dhe nxjerrjen e mineraleve nga galeritë për shkak të motit favorizues, sipas burimeve nga tregu, shumica e kompanive kanë gjetur financime nga tregu i zi. Financimet janë marrë për një periudhë 6-mujore kundrejt interesave që variojnë nga 2-3% në muaj, pasi kromi i pritet të shitet gjatë muajve shtator – tetor. Çmimet e metaleve u rritën me 10% në rang global në janar-mars 2017. Kjo është rritja e katërt tremujore radhazi. Çmimet u nxitën nga kërkesa e fortë, për shkak të investimeve në infrastrukturën e Kinës. Në përgjithësi, furnizimet globale do të zgjerohen këtë vit, si rezultat i investimeve të mëparshme në sektor. Banka Botërore ka konfirmuar se shpenzimet kapitale në kompanitë minerare pritet të rriten për herë të parë këtë vit që nga viti 2012.

Hashashi, furnitori i tregut të fajdeve
Tregtarët e valutës me përvojë gati 20-vjeçare në tregun afër Bankës së Shqipërisë janë duke përjetuar një periudhë lulëzimi në aktivitetin e tyre. “Ka shumë valutë këtë vit. Disa shokë të mi hapën agjenci këmbimi. Kemi punuar sivjet, nuk qahemi”, – thotë një nga tregtarët më me përvojë në tregun e zi të kambizmit pranë Bankës së Shqipërisë, pa dhënë shumë detaje për personat dhe shumat që këmbejnë. “E sheh atë agjencinë aty. Është e re. Ka shumë punë, nuk mbyllet as ditën e diel”, – tregon tregtari me gisht për një zyrë këmbimi ngjitur me të. Monedha kombëtare Leku, pati një forcim të pazakontë këtë vit në tregun e këmbimit, duke u mbiçmuar me 6 pikë në harkun e një vite me euron, ndërkohë që zhvillimet në tregun ndërkombëtar të valutës europiane nuk i justifikojnë këto zhvillime. Burimet zyrtare të financimit të ekonomisë gjithashtu nuk qenë në atë masë që të forcojnë lekun në pozitat e sivjetshme. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, deficiti i llogarisë korrente në tremujorin e parë të 2017-s shënoi 179 milionë euro, rreth 20% më i ulët krahasuar me një vit më parë. Tendenca për ngushtimin e deficitit korrent vijoi edhe këtë tremujor, ndikuar kryesisht nga zgjerimi i ndjeshëm në suficitin e llogarisë së shërbimeve. Ky zhvillim u mbështet nga flukse të larta hyrëse në zërin “shërbime të tjera biznesi”, si dhe në atë “shërbime transporti”. Përmirësimi i deficitit korrent i atribuohet edhe një zgjerimi më të ngadaltë të deficitit tregtar në mallra, si efekt i rritjes më të shpejtë vjetore në eksporte (prej 45%) kundrejt asaj në importe (prej 9%).

Ekspertë të këmbimeve valutore pohojnë se këtë vit, tregtimi i kanabisit ka qenë një furnitor i madh për tregun e këmbimit. Sipas statistikave ndërkombëtare, krimi dhe trafiqet zbulohen në masën 10% të tregut real që disponohet. Në Shqipëri, deri më tani, janë kapur me qindra tonelata kanabis, por një pjesë më e madhe se ajo që është kapur ka arritur të tregtohet dhe më pas të futet si valutë në tregun vendas.

Rritet paraja jashtë bankave më 2017
Teksa oferta monetare nuk është se ka shënuar rritje më 2017, fenomeni i rritjes së parasë jashtë bankave është rikthyer sërish. Krahas burimeve të paligjshme të financimit në valutë, rritja e parasë jashtë bankave ka krijuar likuiditet të bollshëm jashtë kanaleve bankare. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, paraja jashtë bankave u rrit me 8.8% në janar-maj 2016, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në maj 2017, paraja jashtë kanaleve bankare u rrit me mbi 20 miliardë lekë, ose rreth 150 milionë euro në krahasim me majin 2016. Qarkullimi i parave jashtë bankave është nxitur vitet e fundit edhe nga politika lehtësuese që ka ndjekur Banka e Shqipërisë. Ulja e normës bazë të interesit në 1.25% është reflektuar në uljen e interesave të depozitave në lekë. Nëse indeksojmë interesin e depozitave në banka me inflacionin e muajit, interesi real është në negativ me -1%. Ka një lidhje empirike ndërmjet rritjes së parasë që qarkullon jashtë bankave dhe fenomenit të fajdeve. Edhe në vitin 2015, kur financimet me kontrata huaje nga noterët u rritën jashtë normales, pati një rritje jo të zakontë të qarkullimit të parasë jashtë kanaleve bankave. Fajdet po nxiten edhe për shkak të shtrëngimit të kushteve të kreditimit nga bankat. Në një vrojtim që ka bërë Banka e Shqipërisë vitin e kaluar, në kushtet e financimit të biznesit, gjeti se procesi i huamarrjes nga bankat vlerësohet midis nivelit “normal” dhe “i vështirë” nga të gjitha ndërmarrjet. Mundësia e huamarrjes së re për gjashtëmujorin e parë vlerësohet përgjithësisht “pak e mundshme”. Rritja e financimit në ekonomi, përmes burimeve alternative është konfirmuar dhe nga Banka e Shqipërisë në raportet tremujore të standardeve të kredidhënies. Në një prej tyre, BSH pohon se, “faktorët kryesorë që kanë ndikuar negativisht kërkesën për kredi të bizneseve është përdorimi i burimeve alternative të financimit”. Më këtë pohim, Banka e Shqipërisë është në dijeni të një fenomeni në rritje të kredisë jashtë kanaleve bankare. Banka ka lënë të kuptojë se financimet jashtë sistemit janë aq të larta sa kanë ndikuar në uljen e kërkesës për kredi në banka. Nga të dhënat e vrojtimit të aktivitetit kreditues është raportuar vazhdimisht që kushtet kreditimit janë shtrënguar. Kjo do të thotë se, vlera e kolateralit që kërkohet është më e lartë. Kjo sjellje e bankave me prirje shtrënguese e ka çuar tregun informal të kredisë në zhvillime më të shpejta, sidomos në gjashtëmujorin e fundit.