Skandali, përjashtohen nga tatimet lojrat e fatit

740
Sigal

Prezantohet ligji i ri për TVSH-në, si do të taksohen bizneset dhe kush përjashtohet nga tatimi

Komisioni i Ekonomisë është mbledhur ditën e djeshme për të diskutuar projektligjin “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”. Pas incidentit të së enjtes në kuvend, ku deputetët Strazimiri dhe Ndoka u konfliktuan me njëri- tjetrin, opozita ka vendosur të mos marrë pjesë në diskutim. Sipas ministrit të Financave, projektligji bën rregullim të një ligji të vjetër. Baza e këtij ligji është miratuar në prill të 1995-s. Janë konsultuar direktivat e BE dhe grupet e interesit. Ligji është teknik ndaj është kërkuar ndihmë të ekspertëve. Objektivi i përgjithshëm i hartimit të këtij ligji të ri është që të sigurojë përputhshmërinë e rregullave të aplikimit të TVSH-së në Shqipëri me ato të vendeve anëtare të BE-së, për të mos lejuar shtrembërimin e kushteve të konkurrencës dhe për të mos u bërë pengesë për qarkullimin e lirë të mallrave dhe të shërbimeve, duke eliminuar, sa është e mundur, faktorët që mund t’i shtrembërojnë këto kushte, jo vetëm në rrafshin kombëtar. Ligji ishte i vitit 1995, pra administrata tatimore dhe biznesi operonin me një kuadër ligjor të hartuar para 20 viteve, në kushtet kur tregu dhe ekonomia kishin evoluar, ndërsa interpretimi dhe zbatimi në praktikë po krijonte gjithnjë e më shumë terren për abuzime dhe klimë frenuese për investitorët. “Ligji është bërë nga e para, pra ka ndryshuar i gjithi. Është hartuar me mbështetjen e Bashkimit Europian në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Financave Publike të Francës. Gjithashtu, është punuar dhe janë konsultuar gjerësisht me Direktivat e Bashkimit Europian. Me biznesin është diskutuar gjatë, pasi edhe kuadri është teknik. ‘Produkti’ që u prezantua dje, ka marrë nga shoqatat e biznesit vlerësime pozitive.
Qëllimi
Ligji i ri synon që me përcaktimet e tij, të ofrojë një mjedis të përshtatshëm dhe tërheqës, qëndrueshmëri ligjore dhe fiskale, siguri si për biznesin vendas edhe për investitorët e huaj, me rregulla të mirë përcaktuara, të cilat sigurojnë:
Njëtrajtshmëri në aplikimin e TVSH-së, duke e unifikuar kështu sistemin e taksimit shqiptar me atë të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian;
Konkurrencë të drejtë dhe kushte të barabarta, duke eliminuar sa është e mundur faktorët që cenojnë këto kushte;
Stimulimin e qarkullimit të mallrave dhe të shërbimeve, duke e bërë biznesin shqiptar konkurrues midis vendeve të zhvilluara.
Ky projekt ligj synon të sigurojë një sistem taksimi që:
eliminon taksimin e dyfishtë të TVSH-së për transaksionet midis bizneseve në Shqipëri dhe atyre të vendosura në çdonjërin vend anëtar të BE-së (parimi i destinacionit);
ndryshon imazhin e administratës tatimore për t’i shërbyer me dinjitet çdo tatimpaguesi të vogël apo të madh, vendas apo të huaj, nëpërmjet rritjes së kapaciteteve dhe cilësisë;
ndryshon mënyrën e të tatuarit: nga ajo me anë të një ligji të ndryshuar më shumë se 30 herë, nga mënyra të tatuari me udhëzime apo urdhra për shkak të hapësirave/mungesës së parashikimeve ligjore, në një ligj gjithëpërfshirës që paraqet qëndrueshmëri e siguri për biznesin.
Ligji i ri:
• Përkufizon dhe trajton në mënyrë të detajuar dhe të pasuruar konceptet mbi furnizimin e mallrave dhe shërbimeve, mbi të cilat zbatohet TVSH-ja, duke shmangur konfuzionin dhe paqartësitë;
• Vlera e tatueshme përcaktohet sipas “vlerës së tregut” si për mallrat edhe për shërbimet, ndërsa aktualisht çdo mall duhet të shitet “sikur qëllimi të ishte fitimi”;
• Shmang keqkuptimet dhe paqartësitë lidhur me furnizimin e një aseti mjaft të rëndësishëm, siç është pasuria e patrupëzuar, duke e përkufizuar atë si një furnizim shërbimi;
• Trajton jo si objekt i aplikimit të TVSH-së mallrat e dhuruara deri në një vlerë maksimale, e cila do të përcaktohet me një akt nënligjor, përfshirë dhe kur ato dhurohen për qëllime të nxitjes së biznesit, ndryshe nga sa trajtohet aktualisht, ku çdo mall i dhuruar, pavarësisht vlerës së tij, tatohet me TVSH.
• Redukton kostot e biznesit për fushatat e publicitetit dhe promocionit, pasi me këtë projektligj nuk kufizohet e drejta për të zbritur TVSH e paguar në blerje nga biznesi për artikujt promocionalë dhe publicitarë të nevojshëm për të nxitur dhe zhvilluar biznesin, ndryshe nga kufizimet e ligjit aktual.
• Ligji i ri jep përcaktime mjaft të qarta dhe të munguara aktualisht, lidhur me vendin e furnizimit të shërbimit, koncept ky shumë i rëndësishëm për TVSH-në.
• Është shprehur qartë në ligj fakti që një organizatë jofitimprurëse nuk konsiderohet person i tatueshëm për pagesa të përfituara nga kuotizacionet, nëse kanë të tilla, ose fonde, grante, donacione të përfituara për qëllime të veprimtarisë jofitimprurëse të organizatës në përputhje me ligjin “Për Organizatat Jo-fitimprurëse”, përveç kur kjo organizatë përfiton pagesa si rezultat i veprimtarisë ekonomike.
Përjashtimet nga TVSH në këtë projektligj janë konceptuar si:
Përjashtim nga TVSH i veprimtarive në interes të përgjithshëm (si shërbimi postar publik; shërbimi shëndetësor dhe barnat; shërbimi arsimor; furnizime nga OJF për qëllime kulturore, sportive, fetare, për kujdesin ndaj fëmijëve, të rinjve, të moshuarve, etj.).
Përjashtim nga TVSH për mallrat dhe shërbimet e tjera, si sigurimet dhe risigurimet, shërbimet financiare, pullat postare e të ngjashme, lojërat e fatit, ndërtesa, toka, qiradhënia, etj.
Furnizime me TVSH zero për eksporte mallrash dhe shërbimet ndërkombëtare e të ngjashme me eksportet, furnizimet për organizatat ndërkombëtare, diplomatët, NATO-n, etj.
Për të siguruar një taksim të drejtë të TVSH-së, ndryshe nga sa aplikohet aktualisht, është parashikuar të përjashtohen nga TVSH në shitje mallrat që:
– janë përdorur për një veprimtari të përjashtuar dhe, për këtë qëllim, nuk e kanë kredituar TVSH-në që kanë paguar më parë;
– ato mallra për të cilat TVSH nuk është e lejuar të kreditohet për shkak të kufizimeve ligjore.
Me ligjin ekzistues për këto mallra, për të cilat TVSH është paguar njëherë dhe nuk është kredituar, paguhet sërish kur këto mallra shiten.
Aplikohet për herë të parë dhe konsiderohet si eksport furnizimi i mallrave të destinuara për t’u transportuar në bagazhin personal të udhëtarëve;
Nuk kufizohet më e drejta e kreditimit të TVSH-së për furnizimet e marra nga nënkontraktorët e fasonëve. Kjo TVSH do të jetë e kreditueshme dhe e rimbursueshme brenda 30 ditëve për eksportuesit.
Përfitojnë të drejtën e zbritjes (kreditimit) të TVSH-së operacionet hidrokarbure, për sa nuk do të trajtohen më si të përjashtuara pa të drejtë kreditimi të TVSH-së.
E drejta e zbritjes /kreditimit të TVSH:
Zgjerohet e drejta e kreditimit të TVSH-së në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare. Përveç se për eksportet, transportin ndërkombëtar, furnizimeve për diplomatët, organizmat ndërkombëtar, NATO, etj, lind gjithashtu edhe për shërbime ndërkombëtare, të cilat, kur kryhen në vend, i japin personit të tatueshëm këtë të drejtë.
Ø Shërbimet ndërkombëtare në ligjin aktual trajtohen si të përjashtuara pa të drejtë kreditimi të TVSH;
• Në ligjin e ri, rregullimi i kreditimit, nëse ndryshon përdorimi i aktivit, shtrihet:
Ø Për mallrat kapitale të luajtshme, përgjatë 5 vitesh;
Ø Për mallrat kapitale të paluajtshme, përgjatë 10 vitesh
Në ligjin ekzistues ky afat ka qenë 5 vjet për çdo lloj aktivi.
Në dispozitat kalimtare të ligjit të ri sqarohet që rregulli i ri do të aplikohet për aktivet që u lind kjo e drejtë me hyrjen në fuqi të ligjit të ri.
Risi të tjera të projektligjit:
• Nuk do të konsiderohen furnizim në kuptim të këtij ligji dhe nuk do të cenohet kreditimi i TVSH-së për daljet jashtë përdorimit të mallrave apo aktiveve.
• Nuk do të kërkohet përfaqësues tatimor në Shqipëri për personat jorezident, jo vetëm në rastin kur kanë regjistruar degë në Shqipëri, por edhe nëse shërbimi është përfituar nga një person i regjistruar në Shqipëri.
• Parashikohet mundësia e njohjes së kreditimit të TVSH-së, kur tatimpaguesit kalojnë nga subjekte pa TVSH në subjekte me TVSH, dhe anasjelltas, duke pasur parasysh kriteret për mos diskriminimin edhe privilegjimin e pamerituar.
Regjimet e veçanta:
• Regjimi i ndërmarrjeve të vogla. Në këtë seksion trajtohen rregullimet për qëllime të TVSH-së, si p.sh. cili konsiderohet qarkullim, etj, për biznesin e vogël që nuk është i regjistruar për TVSH-në, si dhe kushtet për të kaluar nga regjimi normal, pra me TVSH 20%, në regjimin e ndërmarrjeve të vogla pa TVSH në bazë të qarkullimit vjetor (pragut të regjistrimit të TVSH-së).
• Regjimi i veçantë i kompensimit të prodhuesve bujqësor, për të cilët norma e kompensimit nga 6 % është bërë 20 % .
• Përcaktohen për herë të parë skemat e reja të aplikimit të TVSH-së mbi marzhin, për regjimin e mallrave të përdorura, agjentëve të udhëtimit dhe ankandeve.
• Regjimi i veçantë mbi arin për investim. Përjashtohet nga TVSH furnizimi dhe importimi i arit për investim, përfshirë arin për investim të përfaqësuar nga certifikata ari, etj.