Skandali me pronat e bregdetit/ Ligji për Korporatën e Investimeve, votohet të enjten, por nuk përputhet me legjislacionin e BE-së

610
Sigal

Si për paradoks në ditën e vendimit për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Kuvendi i Shqipërisë do të votojë një ligj që, sipas relacionit të rishikuar të publikuar nga Kuvendi “nuk synon përafrimin me ndonjë acquis të Bashkimit Evropian”. Projektligji “Për Korporatën e Investimeve Shqiptare”, është debatuar prej muajsh me institucionet financiare ndërkombëtare, por tashmë ka marrë formën përfundimtare për t’u votuar në seancën e datës 17 tetor 2019. Pavarësisht se nuk synon përputhjen me legjislacionin evropian, Komisioni Evropian dhe FMN kanë ngritur shqetësime lidhur me procedurat e prokurimit të fondeve nga korporata që në versionin e parë të projektligjit i lejonin sjelljen e saj si entitet privat. Komisioni Parlamentar i Ekonomisë ka marrë parasysh sugjerimet dhe ka përmirësuar versionin përfundimtar të projektligjit duke detyruar korporatën që për prokurimet të ndjekë të njëjtat praktika si institucionet financiare të zhvillimit. Në nenin 13 të ligjit të përpunuar të publikuar nga Kuvendi saktësohet se “Korporata, si operator me karakter ekonomik e tregtar, u nënshtrohet rregullave të posaçme të prokurimit dhe/ose të konkurrimit. Rregullat e posaçme të prokurimit dhe/ose të konkurrimit dhe rastet, sipas këtij neni, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, në përputhje me praktikat më të mira të institucioneve financiare ndërkombëtare të zhvillimit”. Gjithashtu është sqaruar se “korporata gëzon të drejtën e marrjes së kredive nga institucione financiare dhe sanksionohet se detyrimet financiare të Korporatës nuk i transferohen buxhetit të shtetit, pra, përgjegjësia për shlyerjen e detyrimeve financiare është detyrim i Korporatës”. Korporata krijohet si shoqëri tregtare, e organizuar në formën e një shoqërie aksionare, ku ministri përgjegjës për ekonominë është në cilësinë e autoritetit publik, që përfaqëson shtetin si pronar të aksioneve të Korporatës. Institucionet financiare ndërkombëtare të zhvillimit mund të zotërojnë aksione të Korporatës. Organet e Korporatës janë:

  1. Asambleja e Përgjithshme, b) Këshilli mbikëqyrës;
  2. Drejtori ekzekutiv dhe
  3. Bordi këshillimor.

Objekti i veprimtarisë së Korporatës është përmirësimi i menaxhimit të pronës publike, krijimi i pronave të reja, vënia në përdorim më eficient të pronave, përgatitja dhe zbatimi i projekteve të investimit dhe mobilizimi i kapitalit shtetëror ose privat, me qëllim kryerjen e investimeve në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit. Disa nga funksionet kryesore konsistojnë në analizën e projekteve (transformimi i “ideve” në “projekte të financueshme”); strukturimin financiar të projekteve; vënia në përdorim më eficient e pronave shtetërore dhe mobilizimin e kapitalit privat (marrja e rreziqeve të përllogaritura). Fillimisht, me krijimin e saj, Korporata do të financohet nga buxheti i shtetit, i cili do të shërbejë si kapital fillestar i Korporatës. Për vitin 2019, nga buxheti i shtetit është parashikuar një fond buxhetor prej 368 milionë lekësh, në buxhetin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, si kapital fillestar për Korporatën. Gjithashtu, Korporata mund të financohet edhe nga:

  1. a) kontributi i buxhetit të shtetit me vendim të Këshillit të Ministrave, kontributi i institucioneve publike dhe/ose i institucioneve financiare ndërkombëtare;
  2. b) transferimi i pronave publike për zhvillimin dhe realizimin e projekteve të Korporatës;
  3. c) fondet dhe/ose kontributet materiale të investitorëve për zhvillimin dhe realizimin e projekteve;

ç) donacionet ose dhuratat;

  1. d) të ardhurat e përfituara nga aktivitet e saj dhe shërbimet e ofruara;
  2. dh) burime të tjera, të lejuara nga legjislacioni në fuqi dhe aktet e saj të brendshme.