Sigal

Banka e Shqipërisë përshkallëzoi blerjet e valutës në tregun shqiptar gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti duke blerë në pesë ankande 62.8 milionë euro, nga 18 milionë që pati blerë në të njëjtën periudhë të një viti më parë, por blerjet në këto përmasa duket se ndihmuan vetëm për shmangien e forcimit të mëtejshëm të lekut kundrejt euros. Paralelisht me ankandet e planifikuara, BSH bëri blerjet e jashtëzakonshme gjatë periudhës 5-30 qershor në masën 65.3 milionë euro, për një total prej 128.1 milionë eurosh. Banka e Shqipërisë publikoi rezultatin e ankandeve të ndërhyrjeve në tregun valutor të premten ku tregohet se blerjet kanë qenë të larta si para, ashtu edhe pas deklarimit të ndërhyrjes së jashtëzakonshme më 6 qershor 2018. Sipas rregullores, BSH i publikon rezultatet e ndërhyrjeve tre muaj pas kryerjes së tyre. Sa i përket ndërhyrjes së jashtëzakonshme që BSH shpalli më 6 qershor, të dhënat e disponueshme tregojnë se vetëm gjatë muajit qershor u blenë 65.3 milionë euro ndërsa këto blerje të paprecedente thjeshtë sa shmangën një forcim më të shpejtë të lekut kundrejt euros.

Ndërhyrje dhe forcim

Banka e Shqipërisë ka ndjekur përgjatë viteve të fundit një politikë neutrale në kursin e këmbimit valutor, me blerje të vogla valute. Kështu, në vitin 2014, blerjet ishin vetëm në masën 10 milionë euro ndërsa në vitin 2015 ishin 22 milionë euro. BSH nuk bëri blerje në vitin 2016, ndërsa në vitin 2017 u ble një shifër rekord prej 71.2 milionë euro. Ndërsa përgjatë të gjithë vitit 2017 u bë blerje në këto nivele, vetëm në gjashtë muajt e parë të këtij viti blerjet ishin 128.1 milionë. Megjithatë shumëfishimi i blerjeve nuk ndihmoi shumë. Gjatë vitit 2017, leku u forcua nga kuota 136 lekë për euro në 133, ndërsa gjatë vitit 2018 u forcua më tutje në 125 lekë, para se të dobësohej lehtë në ditët e para të shtatorit. BSH thotë se forcimi i muajve të parë të këtij viti është pasojë e faktorëve psikologjikë, ndërsa shumë ekspertë besojnë se është pasojë e sasisë së madhe të valutës me origjinë të panjohur, duke sugjeruar praninë në shkallë të gjerë të parave të pista në ekonominë shqiptare. Shifra prej 128.1 milionë eurosh është e barabartë me rreth 1.1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit./Reporter