Skandali, marrëveshja kartel midis bankave të nivelit të dytë dhe shoqërive të sigurimit

1115
Sigal

Raporti i Konkurrencës: Veprimtaria e ndërmjetësimit pa licencë e bankave tregtare; Albtelekom nuk zbaton kontratat; Abonetë e përgjithshme dhe studentit në duart e “të fortëve”

Në raportin vjetor 2013-2014 Autoriteti i Konkurrencës veçon jo vetëm rritjen e numrit të ankesave të depozituara, por kryesisht rritjen e numrit të atyre që i adresohen Ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”. Gjatë vitit 2013 Autoritetit i janë adresuar 16 ankesa nga të cilat: 4 (katër) ankesa janë për marrëveshje të ndaluara apo sjellje të bashkërenduara; 8 (tetë) ankesa janë për abuzimin me pozitën dominuese të një apo disa ndërmarrjeve; 1(një) ankesë për revokimin e vendimit te Komisionit si dhe 3 (tre) ankesa që nuk ishin në përputhje me objektin e ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”.

Objekt i ankesave të ndërmarrjeve kanë qenë kryesisht në tregun e ngarkim-shkarkimit në rrugë detare të gazit të lëngshëm, në tregun e komunikimeve elektronike, në tregun e energjisë elektrike, në tregun e prokurimeve publike, në tregun e sigurimeve, në tregun e transportit urban të qytetit të Tiranës, nëpërmjet të të cilave janë prezantuar shqetësimet e operatorëve për kufizime të mundshme të konkurrencës të shkaktuara nga operatorët apo grupe operatorësh të tjerë. Bazuar në këto ankesa janë ndërmarrë procedurat e monitorimit dhe të hetimit nga Sekretariati, në zbatim të parimeve të kodit të procedurës administrative dhe kuadrin ligjor të konkurrencës, si dhe janë trajtuar gjerësisht në mbledhjet e Komisionit të Konkurrencës, i cili ka ndërmarrë vendimmarrjen përkatëse.

Përgjatë kësaj periudhe kohore, Komisioni i Konkurrencës ka marrë 42 vendime: 2(dy) vendime për gjoba, (1 për praktika antikonkurruese dhe 1 për mos njoftimin e përqendrimeve); 13 (trembëdhjetë) vendime për autorizimin e kontrollit të përqendrimeve; 1(një) vendim për dhënie rekomandimesh për institucionet publike dhe entet rregullatorë në kuadër të advokacisë së konkurrencës (pa përfshirë opinionet e Komisionit të Konkurrencës të dhëna jo në formë vendimi); 3 (tre) vendime për bazën ligjore sekondare; 2 (dy) vendime për aktet nënligjore të së drejtës së konkurrencës; dhe vendimet e tjera janë procedurale (përfshirë vendimet për hapje hetimi paraprak, hapje hetimi të thelluar, etj). Katër vendime të Komisionit janë me mendime pakice, nga të cilat tre janë për kontrollin e përqendrimeve dhe një për marrëveshje të ndaluar, të cilat janë të publikuara në website së bashku me vendimet përkatëse.

Marrëveshjet mes bankave dhe shoqërive të sigurimit

Sekretariati i Autoritetit të Konkurrencës, bazuar në disa shqetësime të përcjella nga konsumatori, realizoi monitorimin në tregun financiar në lidhje me marrëdhënien midis bankave dhe shoqërive të sigurimit. Qëllimi i këtij monitorimi ishte vlerësimi i sjelljes së bankave dhe shoqërive të sigurimit në lidhje me marrëveshjet mes tyre për policat e sigurimit të jetës dhe kolateralit, të cilat mund të sjellin prishjen apo shtrembërim të konkurrencës në treg.

Vlerësimi i sjelljes së bankave dhe shoqërive të sigurimit u realizua mbi bazën e analizës së: Të drejtave dhe detyrimeve të palëve që përshkruhen në kontratat mes bankave dhe shoqërive të sigurimit për sigurim kolaterali dhe jete; analizës së strukturës së tregut të kredive dhe të sigurimit të kolateralit dhe jetës nga shoqëritë e sigurimeve; vlerësimin e përfitimeve të bankave nga shoqëritë e sigurimeve dhe përcaktimin e strukturës së tregut mbi bazën e të ardhurave nga komisionet e shërbimeve për sigurimin e kolateralit dhe jetës. Gjithashtu, u tërhoqën opinionet nga persona që kanë marrëdhënie me bankat ose shoqëritë e sigurimit.

Analiza

Nisur nga analiza e tregut përkatës, rezultoi se tregu i produktit ishte specifik për çdo bankë që ofronte shërbimin e kredive me kolateral dhe analiza e konkurrencës u vlerësua në marrëdhëniet e çdo banke me shoqëritë e sigurimit. Analiza u fokusua në faktin nëse bankat kufizojnë ose jo kredimarrësit në zgjedhjen e shoqërive të sigurimit të kolateralit dhe jetës dhe nëse bankat janë transparente dhe japin informacionin e mjaftueshëm që kredimarrësit të bëjnë zgjedhjen e duhur.

Nga analiza e sjelljes së secilës bankë ndaj kredimarrësve në rolin e ndërmjetësit në përfitimin e kontratës së sigurimit të pronës dhe jetës u konstatua se:

•Të gjitha bankat e kanë të përcaktuar në kontratat e kredive detyrimin e kredimarrësit për sigurimin e kolateralit dhe jetës për gjithë periudhën e shlyerjes së kredisë.

•Në kontratat e lidhura vihet re se kredimarrësi është i detyruar të mbajë të njëjtën kompani sigurimi për gjithë periudhën e shlyerjes së kredisë. Pothuajse në të gjitha kontratat është përcaktuar miratimi paraprak i bankës për kompaninë e sigurimit që do të zgjedhë kredimarrësi. Për një funksionim efikas të këtij tregu është e nevojshme që klientët të kenë mundësinë të rishikojnë vendimet e tyre të mëparshme dhe të përzgjedhin produktin që është më i mirë për ta. Në situata të tilla kompanitë e sigurimeve konkurrojnë vetëm kur është nënshkruar kontrata dhe përfitimet e konkurrencës mund të zhduket me ndryshimet e situatës së tregut dhe rrethanave.

• Në një rast u identifikua se përdorej standard i dyfishtë ndaj klientëve duke qenë më dominues dhe kufizues ndaj kredimarrësve individualë në zgjedhjen e kompanive të sigurimit kundrejt klientëve të mëdhenj (korporatave dhe SME). Kjo sjellje tregon mungesë transparence ndaj një kategorie klientësh me vulnerabël me qëllim përfitimin e të ardhurave nga komisioni i shërbimit dhe i pjesëmarrjes në fitim nga ana e siguruesit. Sipas të dhënave nga banka, nga kategoria “Individëve” dhe “Micro” banka siguron rreth 40% të të ardhurave nga komisioni i shërbimit si ndërmjetës në lidhjen e kontratat e sigurimit dhe të gjitha kontratat janë të lidhura vetëm me një kompani sigurimi.

•Në kontratat e lidhura mes kompanive të sigurimit dhe bankave, bankat trajtohen si agjentë dhe për shërbimin e kryer përfitojnë komisione shërbimi nga kompanitë e sigurimit. Fakti që bankat gjenerojnë të ardhura nga shërbimi i ndërmjetësimit në kontratat e sigurimit të kolateralit dhe jetës mund të jetë arsye e mjaftueshme që bankat të orientojnë klientët kredimarrës drejt kompanive të sigurimit nga të cilat banka përfitojnë komisionin më të lartë të shërbimit. Është vënë re se bankat kryesore në tregun e kredidhënies kanë dhe vlerën më të lartë të përqindjes së komisionit të shërbimit të lidhjes së kontratave të sigurimit, ku ky komision shkon në 24% të primit.

•Nga informacioni i ardhur nga AMF-ja u konstatua së bankat e nivelit të dytë nuk janë të licencuara për ushtrimin e aktivitetit të brokerimit, gjë e cila mund të ketë sjellë mungesën e transparencës në lidhje më shërbimin e ndërmjetësimit me shoqëritë e sigurimit.

•Nga opinionet e kredimarrësve për çështjen e trajtuar, u konfirmua mënjanimi i kredimarrësit në përzgjedhjen e kompanive të sigurimeve pasojë ndoshta edhe e 31

indiferencës dhe mosdijes së një pjesë të kredimarrësve apo i mungesës së transparencës së bankave në informimin e klientit.

Rekomandimet

Për gjithë sa më sipër, me qëllim rritjen e transparencës së bankave, Komisioni i Konkurrencës i rekomandoi Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe Bankës së Shqipërisë: Bankat e nivelit të dytë pasi të marrin miratimin nga Banka e Shqipërisë duhet të aplikojnë për licencimin nga ana e AMF-së si subjekte të cilat ushtrojnë veprimtarinë e ndërmjetësimit në sigurim dhe risigurim (në formën e shoqërive të brokerimit) në rolin e ndërmjetësit që rregullon marrëdhënien midis të siguruarit dhe siguruesit për klientët kredimarrës; detyrimin e bankave të nivelit të dytë për rritjen e transparencës së shërbimit të ndërmjetësimit për sigurimin dhe risigurimin duke ju parashtruar kredimarrësve qartësisht kushtet dhe tarifat e primeve të ofruesve potencial (shoqërive të sigurimit) për llojin e sigurimit të kërkuar nga banka, informacion i cili duhet të jetë i reklamuar qartë dhe koherent; banka e niveli të dytë nuk duhet të përcaktojnë që në kontratën e huadhënien kompaninë e sigurimit ku do sigurohet kolaterali dhe prona. Ajo duhet t’u lejojë kredimarrësve të saj të drejtën e përzgjedhjes së kompanisë së sigurimit.