Skandali i projektit me dhelpra që shkon në 6 milionë euro abuzime

988
Bardhyl Berberi 

Monitorimi i postvaksinimit të dhelprës së kuqe është një projekt i BE që kalon shifrën e 6 milionë eurove. Ky projekt do të realizohej nëpërmjet Ministrisë së Bujqësisë (Pazza project) dhe Ministrisë së Mjedisit e Turizmit. Deri më tani janë bërë 6 aksione të shtrira në një kohë 4-vjeçare për mbledhjen e kampioneve dhe përmes IKV bëhen studime, se a ka në Shqipëri prezencë të tërbimit të dhelprës së kuqe që është shumë e rrezikshme për jetën e njeriut. Këto aksione janë organizuar nga “Pazza project” me mbështetjen e Federatës Kombëtare Shqiptare për Gjueti dhe Konservim, përmes shoqatave të gjuetarëve, që caktojnë në këto aksione gjuetarët më me përvojë dhe të ndershëm. Por çuditërisht nga 6 aksione nuk ka pasur qoftë dhe një proces-verbal për shkelje të rregullave të moratoriumit, por edhe mënyrës se si është organizuar puna. Realisht shoqata e gjuetarëve është treguar serioze në përmbushjen e këtyre detyrimeve, që janë të shkruara në një marrëveshje bashkëpunimi mes palëve.

Por çfarë ndodh konkretisht?
Me një urdhër, nuk e dimë se nga kush, janë caktuar që të ndjekin dhelprat me vrap dhe t’i vrasin, inspektorët e mjedisit. Janë gjithsej 39 inspektorë, të cilët duhet të marrin kampionet e 368 dhelprave në të gjithë territorin e Shqipërisë. Mirë deri këtu. Po a janë të vlefshme këto kampione? Monitorimi duhet të kishte filluar më 10 dhjetor dhe të përfundonte më 10 janar, pasi kjo është koha kur paketat e hedhura kanë efektivitetin e tyre, pas kësaj periudhe paketa ka datë skadence dhe nuk ka asnjë vlerë. Ky aksion alla inspektorësh ka filluar me një muaj vonesë… Kjo i ka kompromentuar gjërat dhe projekti nga një vlerë kthehet në antivlerë. Madje deshëm të theksojmë se kjo është kriminale, pasi kuptohet po kryhen veprime, jo për zbatimin e projektit, por për të zhvatur ato miliona euro të projektit? Për rrjedhojë afati i skadimit të paketës ka përfunduar dhe çdo kampion që do të dorëzohej është i rremë, pasi paketa s’ka asnjë efekt. Por shkeljet vazhdojnë radhë njëra pas tjetrës, pasi inspektorët e mjedisit nuk janë të pajisur me licencën e mbajtjes së armës së gjahut dhe të pa trajnuar nga “Pazza project”! Duhet theksuar një fakt, se janë harxhuar qindra mijëra euro për hedhjen e paketave, avionët për shpërndarjen e tyre, baza materiale për marrjen e kampioneve, etj. që vetëm një seancë fluturimi gjatë hedhjes së paketave kushton mbi 300 mijë euro.

Kush duhet ta paguajë këtë kosto?
Theksojmë se dhe në muajin korrik ky aksion dështoi. Edhe një fakt domethënës: Si ka mundësi që të vritet dhelpra në kohën e shumëzimit të saj, kur me ligj është rreptësisht e ndaluar? Kujtojmë se nga 368 dhelpra për kampion, dëmi do të kalonte mbi 2 mijë krerët. Këto dhe shumë pyetje të tjera duhen shpjeguar. A kemi të bëjmë me një aferë korruptive? Ku shkojnë këto para që janë planifikuar për një monitorim të rregullt e në baza shkencore? Për rroga? Për stafin? Po IKV që do të marrë këto kampionë e do të nxjerrë konkluzione të rreme, a do të mbajë përgjegjësi? Dhe së fundi, a përbën kjo një vepër penale dhe prokuroria të fillojë hetimin?
Sigal