Skandali i Lotarisë Kombëtare, Rama “ha” premtimin për anulimin e licencës

818
Sigal

Premtimi i Ramës për Lotarinë Kombëtare: Ne do t’ia kthejmë publikut të drejtën e pronësisë mbi këtë lojë

Komisioni i Ekonomisë ka bërë një sërë kërkesash, të cilat duhet të merren parasysh për punën në këtë vit nga Autoriteti i Konkurrencës. Kështu, një ndër kërkesat është ajo e zgjerimit të hetimeve në disa koncesione monopol të dhëna nga qeveria pasardhëse dhe për të cilat ka pasur edhe një debat të gjerë nga ana biznesit, i cili ka kundërshtuar një pjesë të tyre për shkak të kostove që rrisin. Koncesionet për të cilat AK duhet të hetojë janë: Lotaria Kombëtare; Skanimi i kontejnerëve; Kontrolli teknik i mjeteve; Markimi i karburantit dhe Pullat fiskale.

Lotaria Kombëtare

Pjesë e premtimeve të kryeministrit Edi Rama për 100 ditët e para të qeverisë socialiste ishte dhe ai i anulimit të licencës dhënë kompanisë austriake për Lotarinë Kombëtare. Rama premtoi gjatë fushatës elektorale se brenda 100 ditëve të para  do të anulojë ligjin e miratuar nga qeveria për licencën e dhënë kompanisë austriake. “Lotaria Kombëtare do t’i kthehet shtetit dhe me përfitimet prej saj do financojmë sportin dhe politikat rinore për Rilindjen Shqiptare”, ka premtuar Rama. Të njëjta premtime kanë bërë gjatë fushatës pothuaj të gjithë aspirantët për deputetë të PS-së duke parë ndjeshmërinë dhe impaktin social që kishte ky koncesion. Kryeministri Rama nuk e mbajti premtimin e tij, brenda 100 ditëve të para të qeverisjes, ndaj në këtë shkrim do të flitet vetëm me fjalët e tij dhe të bashkëpunëtorëve të afërt.

Letra e Ramës dërguar kancelarit austriak

Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama i ka dërguar një letër kancelarit austriak Werner Frayman, në gusht të 2012-s, duke i kërkuar këtij të fundit tërheqjen e kompanisë austriake “Austrian lotteries” nga lotaria kombëtare shqiptare. Sipas Ramës fituesi i këtij tenderi për lotarinë kombëtare ishte i paracaktuar të fitohej nga kompania austriake, Austrian Lotteries. “Dua t`iu vë në dijeni se kam denoncuar procesin për Lotarinë, pasi ishte një proces i manipuluar. Kemi denoncuar procesin korruptiv në tenderin për Lotarinë. Synimi ynë më i lartë është mbrojtja e interesit publik. “Austrian Lotteries” nuk zbatoi kriteret si në Austri. PS do të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore për të hetuar procesin. I kërkoj “Austrian Lotteries” të tërhiqet nga procesi”, thekson Rama. Rama ka shtuar më tej se me përfshirjen në këtë proces kompania ka tradhtuar vlerat e transparencës ndërsa ka kërkuar edhe reagimin e kancelarit Fraymann për këtë çështje. “Qëllimi ynë i shpallur për ta zmbrapsur rezultatin fiktiv të atij tenderi të kopsitur enkas për kompaninë e njohur austriake, është publik. E ky qëllim s’ka asnjë lidhje me vetë kompaninë. Ne nuk kemi asgjë as me atë kompani në këtë rast dhe as me asnjë kompani në çdo rast kur procedura të errëta kanë nxjerrë fitues të parafabrikuar. Ne s’mund ta pranojmë që Lotaria Kombëtare të kthehet në një bixhoz, ku shqiptarët paguajnë ndërsa pushtetarët fitojnë. E kemi sqaruar mëse njëherë se si duam ta organizojmë Lotarinë Kombëtare dhe ta vendosim në funksion të interesit publik. Lotaria Kombëtare është një lojë që e organizon shteti, por jo për të fituar një fatlum e për të dalë i humbur tërë populli me qëllimin që miliona e miliona euro të kalojnë në xhepat e menaxherëve të lojës. Në asnjë mënyrë! Paratë e përfituara nga organizimi i lojës shteti duhet t’ua kthejë qytetarëve në formë shpenzimesh kapitale për politika të natyrës sociale. Ne vetë do t’i kalojmë për sportin dhe rininë. Ndërsa kompania që do ta menaxhojë Lotarinë Kombëtare, do të marrë fitimin që i takon, po kurrën e kurrës fitimin që i takon popullit siç parasheh për fat të keq procedura mirëfilli klienteliste e qeverisë shqiptare ku lexohej qysh në nisje se kush do ishte fituesi në fund. Kjo qeveri e nxori Shqipërinë në një ankand ku me vendime e ligje të qepura enkas, pasuri të panumërta i kanë kaluar blerësit të paracaktuar më parë. “Korrupsioni shton pushtetin, korrupsioni absolut e bën absolut edhe pushtetin”, thuhet në politologji. Sot ky është udhëkryqi, ose një rrënim i mëtejshëm përmes korrupsionit absolut që do ta vendosë Shqipërinë nën një pushtet absolut, ose një Rilindje Shqiptare përmes një rruge të re që do ta fusë Shqipërinë në drejtimin e merituar. Pjesë e kësaj rruge të re është në këndvështrimin tonë edhe një proces i domosdoshëm transparence për shitjen e Shqipërisë gjatë këtyre viteve. Kjo nuk nënkupton askurrfarë gjuetie shtrigash ndaj biznesit, por mbylljen me kurajë e ligjshmëri të rrugës së korrupsionit absolut, ku pasuritë e këtij vendi transferohen në pak duar të lidhura ngushtësisht me këtë qeveri, e cila synon të kthehet në një pushtet absolut… Asnjë kompani apo individ që ka nënshkruar një kontratë koncesionare me shtetin apo ka përfituar një pasuri publike përmes një procesi privatizimi nuk duhet t’i trembet transparencës nëse nuk e ka shkelur kontratën apo nuk ka përfituar nga shkelja e ligjit. Përkundrazi, duhet ta mirëpresë këtë proces. Ashtu sikundër edhe çdo investitor i huaj në Shqipëri nuk duhet t’i friket qëndrimit tonë të shpallur për të rishikuar një sërë produktesh të akteve të dyshimta të qeverisë në këtë fushë. Përkundrazi, duhet ta mbështesë këtë qëndrim që buron nga vetëdija jonë se niveli i investimeve të huaja në Shqipëri duhet rritur, por mund të rritet vetëm përmes çmontimit të sistemit të korrupsionit absolut… Mirëkuptim për të gjitha, përveçse për një gjë: E pamundur të pajtohem me ata që të keqen sunduese në pushtet e relativizojnë duke thënë se edhe opozita njësoj është dhe prandaj mirë jemi kështu si jemi! Këtë jo, me këtë as mund të bie dakord kurrë, as mund ta mbyll pa thënë se është shprehje e pangushëllueshme e shpirtit skllav. Vetëm shpirti skllav mund të gjejë justifikime për të mbajtur në këmbë në mes të Europës sot, një pushtet që synon të kthehet në absolut përmes korrupsionit absolut. E di që janë pakicë, por është një pakicë sidoqoftë shumë e trishtueshme për Europën e shekullit XXI”, thuhet në letrën e Ramës për kancelarin austriak.

  Tahiri: Komision hetimor për Lotarinë Kombëtare

Edhe deputeti i PS-së, Saimir Tahiri ka deklaruar se “PS do të kërkojë komision hetimor për lotarinë kombëtare, koncesionin për prodhimin e pullave të akcizës si dhe bllokimin e tenderit për linjën e interkonjeksionit të energjisë elektrike mes Shqipërisë dhe Kosovës”.

Ai tha se “PS do të angazhohet që të ardhurat nga Lotaria Kombëtare të përdoren për politikat rinore dhe për nxitjen e punësimit si dhe për politikat për rigjallërimin e sportit”.

 Balla: Do anulojmë tenderin korruptim për Lotarinë Kombëtare

Deputeti i PS, Taulant Balla ka akuzuar qeverinë “Berisha” për afera korruptive, ndërsa ka paralajmëruar se kur socialistët të vijnë në pushtet do ta anulojnë tenderin për Lotarinë Kombëtare. “Është korruptive, pasi është pazar i mbyllur shumë kohë më parë që të zhvillohej tenderi. Kriteret që Berisha përdori në tenderin e dhënies së kësaj licence ishin përjashtuese. Qeveria vendosi si kriter disponimin e dy certifikatave për blerësin.  Qeveria nuk vendosi çmimin, por e caktoi çmimin e fiksuar, vetëm këta mund të bëjnë një gjë të tillë, që të fiksohet çmimi 3.5 milion euro. Shqipëria ka vendosur çmimin më të ulët në botë për shitjen e licencës. Pretendimet e kësaj qeveria të korruptuar se çmimin e ulët do e kompensojë më taksa të larta ndaj kompanisë fituese janë mashtrime. Qeveria thotë se përveç taksave të zakonshme do të pagojë një tatim shtesë mbi 10%. Është dëmtuese për buxhetin e shteti dhe akt korruptiv, në këtë kontratë ka shkelje të mjaftueshme për ta anuluar pas 23 qershorit, dhe ka vend për hetim të plotë dhe vënien para përgjegjësive të të kësaj administrate të korruptuar”, tha Balla.