Skandali, Berisha përdori Buxhetin e Shtetit për të paguar faturat e familjes

775
Sigal

Ja sa ka shpenzuar Këshilli i Ministrave në qeverinë “Rama dhe “Berisha” 3 -mujorin e parë 2013 dhe 2014

Ish -Kryeministri Berisha ka përdorur paratë e Buxhetit të Shtetit për të paguar faturën e telefonisë fikse që përdor në familjen e vet. Ky përbën skandalin e radhës të zbuluar nga gazeta “Telegraf”.  Kjo fare mirë mund të verifikohet nëpërmjet një aplikacioni të Open Data Albania, ku bëhet i mundur monitorimi i çdo transaksioni të thesarit të shtetit. Fatura e telefonisë i përket janarit të 2013-s me nr. 4610030012013, me datë regjistrimi 2013-02-26 dhe datë ekzekutimi 2013-02-27, ku institucioni buxhetor është Aparati i Këshillit të Ministrave dhe ai përfitues është “Albtelekom sh.a”, ndërsa në përshkrimin e faturës shënohet “602 tel fix janar 2013 kryemin/shtëpi”. Qytetarët shqiptarë kanë të drejtë të dinë se si shpenzohen paratë publike, ndaj nisur nga ky skandal i sipërcituar, gazeta “Telegraf” merr përsipër t’ju njohë me veprime financiare të urdhëruar dhe realizuar për Aparatin e Këshillit të Ministrave në tre mujorin e parë të vitit 2013, krahasuar me po të njëjtën periudhë të vitit 2014. Kështu, nëpërmjet këtij aplikacioni rezulton që në tre mujorin e parë të vitit 2014-s, Aparati i Këshillit të Ministrave ka shpenzuar 48 830 595 lekë për paga, shërbime, dieta dhe shpenzime të tjera. Kjo vlerë është më e ulët se e njëjta periudhë kohe e vitit 2013, vit kur Aparati i Këshillit të Ministrave shpenzoi 52 580 214 lekë në 74 transaksione të urdhëruara. Këshilli i Ministrave në qeverinë “Rama” ka shpenzuar rreth 3,750,000 lekë më pak se këshilli i ministrave në qeverinë e kaluar. Nëse sheh vlerën e transaksioneve për çdo kategori shpenzimesh do kuptosh se disa prej tyre pothuajse nuk janë shpenzim i njërës apo tjetrës qeveri. Kështu duket se qeveria “Rama” i ka rregulluar mirë marrëdhëniet me mediat duke shpenzuar për to në vlerën 200,000 lekë për këta tre muaj, ndërsa në qeverinë “Berisha” ky zë është zero, po për të njëjtën periudhë kohore. Ndërsa për shërbimet qeveritare (pritje-përcjellje) duket se qeveria “Rama” nuk ka shpenzuar pak këto 3 muaj. Vlera e këtij shpenzimi është rreth 1,300,000, ndërkohë që duket sikur qeveria “Berisha” ka shpenzuar më shumë në vlerën e rreth 2,700,000 lekësh, ndërkohë që 2, 400,000 prej tyre janë të importuara që prej 1999-s. Ndërsa është i çuditshëm fakti se qeveria “Rama” nuk ka shpenzuar asnjë lek për karburant, pra 0 shpenzim, me gjithë mobilizimin e qeverisë së tij për shkurtimet e shpenzimeve për karburant. Gjithsesi, kryeministri apo zëvendësi i tij, apo kabineti i Këshillit të Ministrave nuk përdorin vetëm biçikleta. Ndërkohë që, qeveria “Berisha” ka shpenzuar rreth 1,500,000 lekë për karburant në tre mujorin e parë. Një tjetër zë ku duket se qeveria “Berisha” kryeson janë shpenzimet për bonuse, dieta ose orë jashtë orarit të cilat llogariten në masën prej rreth 2,500,000 lekësh, ndërsa qeveria “Rama” është modeste, me një shpenzim prej 60,000 lekësh.

Aplikacioni i Open Data Albania bën të mundur monitorimin e çdo transaksion thesari. Përmes këtij instrumenti inovativ, secili ka të drejtë të fuqizohet me informacion mbi fakte konkrete që përmbushin të drejtën për të ditur se:

1. Si shpenzohen paratë nga administrata jonë buxhetore;

2. Ku shkojnë fondet e alokuara;

3. Sa paguhet për shërbime të caktuara

4. Sa para përfitojnë firma, kompani apo klientë privat, duke dhënë shërbime për buxhetorët shqiptar;

5. Sa shpenzon secili institucion;

6. Sa shpenzohet në intervale kohe të caktuara etj.