Skandal, vetëm 30 % e Albpetrolit e hipotekuar, kush e “përlau” 70 %-shin

859
Ndërsa kryeministri Rama konfirmoi privatizimin 100 % të Albpetrolit brenda vitit, ende është mister statusi i kësaj ndërmarrje, ku sipas një raporti të KLSH-së të vitit 2012 vetëm 30 % e pasurisë së patundshme të kompanisë shtetërore të naftës është e hipotekuar. “Albpetrol sh.a., nga 649 objekte të regjistruara (ndërtime, kabina elektrike dhe depozita), ka marrë dokumente pronësie për 229 prej tyre, ose 35.3%, janë në proces 186, ose 28.7% dhe janë jashtë procesit 36% e tyre, ose 234 objekte. Gjithashtu, nga 5480 puse të naftës dhe të gazit në inventar, kanë certifikata dhe vërtetime pronësie vetëm 19% prej tyre, 1041, dhe janë akoma pa dokumente pronësie 4439 të tjera”, thuhet në raportin e KLSH-së, që ka kontrolluar kompaninë në periudhën midis 31 dhjetorit 2010 deri më 30 mars 2012. Megjithëse kanë kaluar 3 vjet nga ky auditim i KLSH-së, ende janë të paqarta se si përdoren e kush i shfrytëzon këto prona, të cilat ekzistojnë në evidenca, por jo në hipotekë. Që do të thotë, se ndoshta kemi të bëjmë me një evazion fiskal, por edhe kontrabandë të naftës, pasuri e 81 % të puseve të pahipotekuara ende. Ndërsa duhet të kujtojmë këtu një vendim qeverie të fillimviteve ‘90 e cila detyronte hipotekimin e pasurive të gjithë institucioneve shtetërore. Dhe sipas këtij vendimi, me patjetër ky hap duhej të ishte kapërcyer nga kompania shtetërore e naftës Albpetrol. Duke u bazuar në këtë realitet, lind dyshimi se ndoshta aso kohe dikush, i shtyrë nga interesa ngushtësisht financiare mund të ketë ndërhyrë në Hipotekë që ky proces të mos vijonte normalisht për Albpetrol, ose ndoshta më vonë janë fshirë nga hipoteka këto pasuri të paluajtshme të kompanisë shtetërore, të cilat i mungojnë sot. Ndoshta kjo duhet të jetë dhe arsyeja kryesore që Albpetrol del me humbje, ndërkohë që dikush tjetër shfrytëzon pasuritë e kësaj kompanie. Por, nëpërmjet shitjes 100% të aksioneve të Albpetrolit, qeveria pretendon të mbushë arkën e shtetit, pasi Albpetrol është një ndër ato pak asete publike që Shqipërisë i ka mbetur të shesë. Se çfarë përfaqëson Albpetrol është ende e paqartë. Ndërkohë, përfundimet e auditimit të KLSH-së mbeten të frikshme edhe sot e kësaj dite, gjë e cila ndoshta ndikoi edhe në dështimin e përpjekjeve për privatizim gjatë vitit 2012. Ndaj skepticizmi ngre krye edhe për privatizimin e radhës.
Dështimet e përpjekjeve për privatizimin e Albpetrol
“Pas pikës 2, shtohet pika 3: Mbylljen e procedurave të privatizimit të shoqërisë “Albpetrol”, sh.a, Patos”. Me këtë paragraf, pjesë e VKM-së nr.74, datë 1.2.2013, qeveria “Berisha” mbylli zyrtarisht, pa zhurmë privatizimin e Albpetrolit. Privatizimi i “Albpetrol”, shitja 100 për qind e aksioneve, mbajti nën vëmendje dhe tension të lartë botën e financave shqiptare, për gjatë vitit 2012. U fol gjatë, madje edhe nga agjencitë prestigjioze të lajmeve, ndërsa kulmoi në muajin shtator, kur kompania amerikane “Vetro Energy”, ofroi çmimin 850 milionë euro, baras me 10 për qind të Prodhimit Kombëtar ose sa 25 për qind e buxhetit vjetor. Në vendimin e formës së prerë, qeveria nuk ka dhënë asnjë sqarim rreth arsyes së mbylljes së procedurave, kur më parë, kishte vendosur të niste negociatat me shoqërinë e renditur e dyta tek ofertat, kinezët e “VVin Business”, që kishin dhënë çmimin 297 milionë euro. Nga vendimi i marrë për t’i dhënë fund procesit, u kuptua se as shoqëria e renditur e treta, kanadezët e “Bankers” me ofertë rreth 106 milionë euro nuk kanë pasur interes për të biseduar me qeverinë. Në fakt, qeveria “Berisha” u detyrua të anulojë privatizimin e Albpetrolit, pas përgjigjes negative të kompanisë kineze të “VVin Business” e renditur e dyta, pas “Vetros”. Sipas ligjit, kur me kompaninë e renditur e para negociatat dështojnë, atëherë, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave në Ministrinë e Ekonomisë fton kompaninë e renditur e dyta, që në rastin konkret, ishin kinezët. Por ftesa e METE-s mori përgjigje negative nga kompania kineze, e cila kishte shpalosur në fillim planin e investimeve në mënyrë të detajuar, por me kalimin e kohës, pritja e gjatë prej 4 muajsh nga oferta (më 7 shtator), duket se e ka venitur interesimin për të blerë “Albpetrol”-in.
Shkaku?
Konsorciumi “Vetro Energy”, i shpallur fitues nga qeveria me mbi 97 pikë, pretendonte me të drejtë se kompania “Albpetrol” kishte probleme me dokumentacionet dhe se rreth 65% e aseteve dhe pronave të shoqërisë nuk ishin të regjistruara. Ky fakt pranohet edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) përmes një raporti auditimi, por Komisioni i Vlerësimit të Ofertave (KVO) pretendon se të gjitha kompanitë pjesëmarrëse në tender ishin në dijeni të problemeve të “Albpetrol” dhe se zgjidhja do të vinte automatikisht me nënshkrimin e kontratës. Pra, duke pasur një kontratë të ratifikuar nga Parlamenti, “Vetro” mund të regjistronte në Hipotekë çdo pronë të “Albpetrol”, sikurse u veprua katër vjet më parë me CEZ kur bleu OSSH. Kjo “ofertë” nuk ishte bindëse për kompaninë shqiptaro-amerikane, cila kërkonte më shumë garanci dhe sqarime mbi të drejtat që do t’i kalonin, por METE deklaronte se, investitorët ishin sqaruar që atyre nuk u shitej pusi, por e drejta për të operuar për një afat 25 vjet, me të drejtë rishikimi. Sipas një raporti auditimi të KLSH-së, nga 649 objekte të regjistruara (ndërtime, kabina elektrike dhe depozita) “Albpetrol” ka dokumente pronësie për 229 prej tyre ose 35.3%, janë në proces 186 ose 28.7% dhe janë jashtë procesit 36% e tyre ose 234 objekte. Nga 5480 puse të naftës dhe të gazit në inventar, kanë certifikata dhe vërtetime pronësie vetëm 19% prej tyre (1041) dhe janë pa dokumente pronësie 4439 të tjerë. Kjo shërbeu më tej si shkak për “Vetro Energy” të mos paguajë shumën 850 milionë euro.
Renditja e kompanive, sipas ofertave
1. “Vetro Energy” 850 milionë euro 
2. “VVin Business” 297.6 milionë euro 
3. “Bankers Petroleum” 106.6 milionë euro 
Debatet për privatizimin e Albpetrolit
Procesi i privatizimit të kompanisë shtetërore të hidrokarbureve Albpetrol, krijoi debate të ashpra mes qevëerisë dhe opozitës gjatë marsit të 2012-s. Arben Ahmetaj (deputet në atë kohë), akuzoi qeverinë “Berisha” se po i shiste privatit jashtëzakonisht lirë një pasuri që, sipas tij, llogaritet në 15 miliardë dollarë amerikanë. Sipas deklaratave të ish zv.ministrit Enno Bozdo, vendi ka rreth 30 milionë ton rezerva nafte nëntokë, ndërsa ekspertët kanë vlerësuar se vendi ka në total 480 milionë ton rezerva. Ahmetaj, akuzoi qeverinë “Berisha” se po shiste ndërmarrjen më fitimprurëse në kushte emergjence, gjë që sipas tij kuptohej nga nxitimi i maxhorancës për të kaluar me shpejtësi ligjet e paketës së privatizimit të saj në Kuvend. Opozita akuzoi gjithashtu se formula e paprecedentë me të cilën qeveria po shet kompaninë Albpetrol sjell dëme kolosale për qytetarët. “Duhet ta kuptojë çdo shqiptar që ato që po shiten tani janë të drejtat për shfrytëzimin e naftës dhe gazit. Po shiten përfundimisht. Nuk do ketë më kush të drejtë që të shfrytëzojë puse nafte në Shqipëri, përveç këtyre privatëve me bekimin e Sali Berishës”, është shprehur atëherë Erjon Braçe. “Rentë minerare nga Albpetrol shteti merr edhe sot, tatim-fitimi merr edhe sot. Por elementi që ikën nga pasuria publike është dividenti. Albpetrol deri më sot merrte divident. Nesër këtë divident do ta marrë privati”, është shprehur Braçe. “Ne eksportojmë naftë me çmime të lira dhe vit për vit shqiptarët, qytetarët shqiptarë, që janë zotër të kësaj toke, blejnë naftën e importit vit për vit e më shtrenjtë”, është shprehur deputeti socialist. Braçe madje bëri dhe llogari, që sipas tij, nga 50 deri 100 milionë euro në vit llogariten humbjet e shqiptarëve mbi naftën e tyre nga privatizimi. Ndërsa, sipas maxhorancës së atëhershme, ajo që shitej nuk ishin rezervat e naftës, që mbeten gjithnjë pronë shtetërore dhe jepen me koncension. Shitja, sipas saj, përfshinte blerjen e objekteve mbitokësore dhe puseve, ndërkohë që Albpetroli i privatizuar do të taksohej si të gjitha ndërmarrjet e tjera. 
Vendimi i privatizimit të dështuar
VENDIM Nr. 74, datë 1.2.2013 PËR VIJIMIN E PROCEDURAVE TË PRIVATIZIMIT TË SHOQËRISË “ALBPETROL” SHA, PATOS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 7 të ligjit nr. 10 490, datë 15.12.2011 “Për përcaktimin e formës dhe të strukturës së formulës së privatizimit të shoqërisë Albpetrol” sh.a. Patos”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe Ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
1. Të shpallë të mbyllura negocimet e kontratës së shitjes së aksioneve ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe shoqërisë fituese të tenderit të privatizimit “Vetro Energy PTE Ltd.”, për shkak të dështimit të kësaj shoqërie në nënshkrimin brenda afateve ligjore të kontratës së shitjes së aksioneve të shoqërisë “Albpetrol” sh.a.
2. Autorizimin e Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës të fillojë, në përputhje me parashikimet e vendimit nr. 107, datë 1.2.2012 të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e rregullave për paraqitjen, hapjen dhe vlerësimin e ofertave për privatizimin e shoqërisë “Albpetrol” sh.a. Patos”, negocimet e kontratës së shitjes së aksioneve me kandidatët e tjerë sipas klasifikimit të përcaktuar në vendimin nr. 634, datë 3.10.2012 të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e raportit përfundimtar të vlerësimit të ofertave dhe shpalljen e fituesit të tenderit për privatizimin e shoqërisë “Albpetrol” sh.a. Patos”.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.
KRYEMINISTRI
Sali Berisha
KLSH: Puset e naftës pa hipotekë
Një raport i KLSH-së tregon se negociatat e privatizimit të Albpetrolit kanë ngelur në hipotekimin e pronave të Albpetrolit. Sipas raportit të KLSH-së, nuk janë të hipotekuara puset e naftës së Albpetrolit dhe pasuritë e tjera të paluajtshme. “Albpetrol sh.a., nga 649 objekte të regjistruara (ndërtime, kabina elektrike dhe depozita), ka marrë dokumente pronësie për 229 prej tyre, ose 35.3%, janë në proces 186, ose 28.7% dhe janë jashtë procesit 36% e tyre, ose 234 objekte. Gjithashtu, nga 5480 puse të naftës dhe të gazit në inventar, kanë certifikata dhe vërtetime pronësie vetëm 19% prej tyre, 1041, dhe janë akoma pa dokumente pronësie 4439 të tjera”, thuhet në raportin e KLSH-së, që ka kontrolluar kompaninë në periudhën midis 31 dhjetorit 2010 deri më 30 mars 2012.
Sigal