Situata e vështirë hidrike do të godasë biznesin në treg të lirë

583
Sigal

Biznesi i lidhur në tension 35 kilovolt dhe që ka detyrimin e furnizimit në tregun e lirë pritet të jetë i goditur me çmime më të larta energjie, nëse situata hidrike në vend mbetet problematike. Në janar të këtij viti, ky grup biznesi që ende nuk ka gjetur një furnizues dhe që merr energjinë nga OSHEE, pagoi edhe çmimin më të lartë që nga nisja e procesit që ishte shkurti 2018. Ky çmim ishte gati sa dyfish i atij që paguante më herët kur furnizohej nga OSHEE në tregun e rregulluar. Konkretisht, në muajin janar 2019, kompanitë paguan 1 kilovat/orë energji me një çmim 18.73%. Më herët, rekordin, si çmimi më i shtrenjtë, mbahej në muajin dhjetor 2018 me 15.22 lekë/kwh. Por si ka vijuar viti 2019 për bizneset në tregun e lirë? Në muajin shkurt, të njëjtat biznese, mbi 70 subjekte, që ende marrin energji nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit paguan një kilovat/orë energji me 13.92 lekë. E njëjta tendencë është shënuar edhe për marsin dhe prillin, kur çmimi është luhatur pak më shumë se 13 lekë. Problematika në rastin e atyre që nuk kanë gjetur ende një furnizues, për të pasur një kontratë aktive, lidhet me ekspozimin e drejtpërdrejtë të tyre ndaj “krizave” që mund të kalojë tregu. Kjo do të thotë që, nëse situata hidrike është e vështirë dhe prodhimi vendas është në minimum, çmimi i energjisë do të kërcejë në nivele të jashtëzakonshme ashtu si pothuajse u dyfishua në janar. Nga ana tjetër, ata favorizohen dukshëm nëse situata hidrike paraqitet mirë pasi mund të sigurojnë çmime shumë më të mira sesa ajo që paguanin kur ishin në tregun e rregulluar. Por përvoja e 16 muajve të fundit ka treguar se liberalizimi, më shumë i ka vënë në pozitë të vështirë këto biznese, sesa i ka favorizuar. Ata kanë paguar në të paktën 12 muaj, një çmim më të lartë se 9.5 lekë/kwh dhe vetëm në katër muaj, një çmim të njëjtë me atë kur ishin në tregun e rregulluar.