Sipërmarrjet e vogla drejt falimentimit nga konkurrenca e pandershme e oligarkëve. Në 2018 u mbyllën 5200 subjekte, ja bizneset që po shkrihen dhe ato që po lulëzojnë

173

Sipërmarrjet e vogla drejt falimentimit nga konkurrenca, 5200 subjekte u mbyllën në 2018-n. Bujqësia dhe bizneset profesionale po dominojnë tregun

 

Bizneset që po mbyllen dhe ato që po lulëzojnë

 

25% e subjekteve në Shqipëri janë fermerë, një tregues i peshës së lartë që ka bujqësia në vend, i nxitur dhe nga formalizimi i sektorit. Bizneset tradicionale të tregtisë dhe kafeneve e restoranteve, dyqanet etj., po mbyllen nga konkurrenca e lartë dhe tkurrja e konsumit. Ka ardhur koha kur dijet dhe profesioni të shpërblejnë më shumë. Ata që po ia dalin të çajnë në treg janë shërbimet profesionale si konsulencë, IT, kontabilitet, punime të specializuara ndërtimi.

 

Hapja e një dyqani të vogël në lagje, si për tregti ushqimesh a veshjesh, shërbime të ndryshme apo dhe bar e kafene nuk ka më gjasë të rezultojë shumë fitimprurës. Konkurrenca është shtuar nga qendrat tregtare, zinxhirët e supermarketeve apo dhe linjat e organizuara të bareve e lokaleve, që po tërheqin gjithnjë e më shumë klientë. E gjithë kjo, përballë një konsumi të frenuar, si rrjedhojë e tkurrjes së popullsisë, e emigracionit dhe plakjes së popullsisë.

Të dhënat e INSTAT për ndërmarrjet aktive, sipas aktivitetit, tregojnë se numri i bizneseve në tregti e shërbime është në rënie, me mbi 4 mijë subjekte të kësaj kategorie që u mbyllën në 2018-n (reduktim neto). Në total, në fund të vitit 2018, kishte 35 mijë ndërmarrje që ushtronin aktivitetin në tregtinë me pakicë, pjesa më e madhe e tyre të vetëpunësuar, të ndjekura nga 18.5 mijë biznese në shërbime ushqimore dhe pije. Në total, të dy këto aktivitete përbëjnë 33% të ndërmarrjeve aktive në vend.

Shqipëria bujqësore

 

Ndërsa numri i bizneseve në qytet po vjen në rënie, ai në fshat ka shënuar rritje të fortë. Kjo nuk ka ardhur për shkak të rendjes së fshatit, por më shumë nga formalizimi i këtij sektori, teksa fermerët janë detyruar të pajisen me NIPT-e për të përfituar subvencione. Në total, në fund të vitit 2018, në vend kishte 162 mijë subjekte të regjistruara, nga 111 mijë në 2013-n, me një rritje prej 46%. Por, kjo rritje ka ardhur tërësisht nga shtimi i fermerëve, që nga 737 në 2013-n, arritën në 41.5 mijë në 2018-n.

Bizneset fermere përbënin 25% të totalit të subjekteve të regjistruara në Shqipëri në fund të vitit 2018, duke ua kaluar për të dytin vit radhazi atyre të tregtisë. Edhe pse Shqipëria nuk plotëson as 50% të nevojave të konsumit të brendshëm me prodhime bujqësore, sektori i bujqësisë ka peshën më të lartë në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto në Europë, madje me një diferencë të thellë. Sipas të dhënave nga databaza e Bankës Botërore që i përkasin vitit 2017, bujqësia zuri 19% të PBB-së, me një diferencë prej 10 pikë përqindje me Kosovën, si vendi i dytë me peshën më të lartë të bujqësisë në Europë.

 

 

Rriten bizneset profesionale

Tashmë ka ardhur koha kur dijet dhe profesioni të shpërblejnë më shumë. Të dhënat e INSTAT tregojnë se shërbimet profesionale janë ato që po hapen më shumë vitet e fundit, teksa po mbyllen subjektet tregtare dhe ato të bar- kafeneve.

 

Bizneset që kanë shënuar rritjen më të lartë në vlerë absolute në 2019-n janë ato në “Aktivitete të drejtimit të ndërmarrjeve dhe aktivitete të konsultimit”. 186 subjekte të reja (shtesa neto) të kësaj kategorie u hapën në 2018-n, duke arritur në total në 793. Ndonëse numri total i tyre është i ulët në raport, me biznesin tradicional të shqiptarëve, atë të tregtisë (ku ka gjithsej 35 mijë subjekte), biznesi i shefave dhe i konsulencës ka arritur një rekord në 2018-n sa u përket hyrjeve të reja në treg. Në raport me vitin 2013, numri i tyre është katërfishuar.

Bizneset e konsulencës u rritën ndjeshëm vitet e fundit edhe për shkak se shumë profesionistë dolën nga skema e sigurimeve për shkak të tatimit prej 23% mbi pagat mbi 130 mijë lekë (nga 1 janari kufiri u rrit në 150 mijë lekë), dhe u regjistruan si biznese private, si një skemë për shmangin e këtij tatimi të lartë, duke shfrytëzuar hendeqet fiskale (bizneset me xhiro vjetore deri në 5 milionë lekë kanë tatim fitimi zero).

Në vend të dytë është kategoria e “aktiviteteve të shëndetit”, me 129 ndërmarrje të reja të hapura, duke e çuar numrin e tyre në total në 3,321. Vitet e fundit është zhvilluar ndjeshëm mjekësia dhe laboratorët privatë, si një kompensim i mungesës së cilësisë së shtetit në këtë shërbim jetësor.

Biznesi i tretë me rritjen më të lartë në vlerë absolute është ai i shërbimeve të teknologjisë dhe informacionit, me 117 të tilla. Megjithatë, numri total i këtyre subjekteve prej rreth 1,200 të tilla mbetet i ulët në epokën globale të digjitalizimit.

Shërbimet juridike e të kontabilitetit po bëhen të preferuara, me 116 subjekte të reja të hapura, duke e çuar numrin e tyre në total në 3,376.

Teksa sipas të dhënave të Moneyval, vetëm 8% e transaksioneve të pasurive të paluajtshme kryhen përmes agjencive, duket se ka një hapësirë të lartë për këtë aktivitet. Numri i subjekteve të reja ishte 115, duke arritur në total në 847.

Ndërmarrjet e reja, rriten të mëdhatë

 

Gjatë vitit 2018, u hapën gjithsej 20.2 mijë ndërmarrje të reja, me një rënie prej 18% në raport me vitin e mëparshëm. Ata që po tkurren janë pikërisht të vegjlit, teksa numri i bizneseve të reja të hapura me 1-4 të punësuar ra me 20% në raport me vitin e mëparshëm, ndonëse mikrondërmarrjet përbënin 94% të të rejave. Pozitive ishte rritja e subjekteve të mëdha, teksa u hapën 60 ndërmarrje, me më shumë se 50 punonjës, ose 50% më shumë në krahasim me një vit më parë. Gjysma e tyre ishin në aktivitetin e prodhuesve të shërbimeve, 14 në industri dhe 3 në ndërtim.

 

 

Tregtia, bien të vegjlit, rriten të mëdhenjtë

Aktiviteti i tregtisë sa vjen e po orientohet drejt zinxhirëve të mëdhenj si rrjetet e supermarketeve apo qendrat tregtare. Të dhënat e INSTAT tregojnë se në 2018-n u mbyllën 2,627 subjekte tregtare mikro me 1-4 punonjës (gjysma e bizneseve të mbyllur në 2018-n) dhe u hapën gati 400 të tjera, që kishin më shumë se 5 punonjës. 26 prej tyre ishin të mëdha, me më shumë se 50 punonjës.

 

 

5,200 biznese të vogla u mbyllën në 2018-n, u “zëvendësuan” nga fermerë

 

Regjistri i Ndërmarrjeve në fund të vitit 2018 numëron 162.835 ndërmarrje aktive, numër pothuajse i njëjtë me vitin e kaluar, raportoi INSTAT në publikimin për Regjistrin e Ndërmarrjeve Ekonomike 2018. Në raport me një vit më parë, rezulton që personat fizikë, kryesisht bizneset e vogla, janë ulur me 5,216 subjekte, duke zbritur në 93 mijë.

Mbyllja e bizneseve të vogla është një dukuri që ka nisur prej disa vitesh, si rrjedhojë nga konkurrenca nga qendrat e mëdha dhe zinxhirët e supermarketeve, por që në 2018-n u përshpejtua dhe më tej, për shkak të uljes së kufirit të TVSH-së nga 5 në 2 milionë lekë. Në raport me dy vjet më parë, numri i bizneseve të vogla të mbyllura arrin në 7,9000.

Ndërkohë janë rritur subjektet e regjistruara si fermerë, me 4,400 më shumë, duke arritur në 40.9 mijë fermerë, si rrjedhojë e masave për formalizimin e bujqësisë dhe orientimin e fermerëve për t’u pajisur me NIPT në mënyrë që të përfitojnë nga subvencionet. Subjektet juridike janë shtuar me 1,166 njësi, duke u rritur në 28.8 mijë.

Sipas INSTAT, ekonomia shqiptare është e përqendruar kryesisht në aktivitetin tregtar, dukuri e cila vihet re edhe në ndërmarrjet e regjistruara gjatë vitit 2018. Ndërmarrjet tregtare zënë 23,2% të ndërmarrjeve të regjistruara gjatë vitit 2017, krahasuar me 25% të regjistruara gjatë vitit 2017. Ndërmarrjet e mëdha me 50 e më shumë të punësuar zënë 1,2% të totalit të ndërmarrjeve aktive dhe kontributi i tyre në punësim llogaritet në 48,1% në vitin 2018, nga 47,8% në vitin 2017.

Në Bashkinë e Tiranës janë përqendruar pjesa më e madhe e ndërmarrjeve, ndërsa në Bashkinë e Fushë-Arrëzit shënohet numri më i ulët.
Gratë menaxhojnë 25,7% të ndërmarrjeve aktive gjithsej krahasuar me 29,7% gjatë vitit 2017. Sa u përket ndërmarrjeve aktive që operojnë në Bashkinë e Tiranës, gratë menaxhojnë 33,2% të tyre. Ndërmarrjet e drejtuara nga gratë janë kryesisht ndërmarrje me 1 – 4 të punësuar, të cilat zënë 91,2% të numrit të përgjithshëm të ndërmarrjeve të drejtuara nga gratë. Në ndërmarrjet me 50 e më shumë të punësuar, gratë drejtojnë 19,6% të ndërmarrjeve.

Ndërmarrjet me pronarë apo bashkëpronarë të huaj zënë 3,8% të ndërmarrjeve aktive, krahasuar me 3,9% në vitin 2017 dhe punësojnë 9,6% të të punësuarve gjithsej. Ndërmarrjet nga vendet e Bashkimit Europian përfaqësojnë 64,8% të ndërmarrjeve të huaja e të përbashkëta. Ndërmarrjet me pronarë apo bashkëpronarë me origjinë italiane dhe greke përfaqësojnë 52,8% të ndërmarrjeve të huaja e të përbashkëta gjithsej. Ndërmarrjet e huaja e të përbashkëta janë përqendruar kryesisht në qarqet Tiranë dhe Durrës, me 81,7%.

Në fund të vitit 2018 regjistrohen 172.554 njësi lokale nga të cilat 161.227 ushtrojnë aktivitetin ekonomik në 1 vendndodhje. Ndërmarrjet që ushtrojnë aktivitetin në më shumë se një vendndodhje janë 1.608, të cilat përfaqësojnë vetëm 1,0% të ndërmarrjeve aktive gjithsej. Numri i të punësuarve në to është 26,6% e të punësuarve gjithsej. Aktivitetet financiare kanë numrin më lartë të të punësuarve për ndërmarrjet që kanë më shumë se një vendndodhje.

Njësitë lokale janë përqendruar në Bashkitë e Tiranës, Fierit dhe Elbasanit me 54,1% të numrit të përgjithshëm të njësive lokale aktive.
Për nga ndarja rajonale, rajoni më i zhvilluar është rajoni qendër ku përfshihen qarqet Tiranë dhe Elbasan, ku janë përqendruar 41,3% e ndërmarrjeve aktive. Pothuajse e njëjta situatë është edhe me ndërmarrjet e regjistruara gjatë vitit 2018, me 48,7%. Të punësuarit në këtë rajon zënë 54,3% të të punësuarve gjithsej. Aktiviteti ekonomik tregtar mbizotëron ndaj aktiviteteve të tjera, me 31,6%. Kjo dukuri është e njëjtë si në nivel qarku, ashtu edhe në nivel bashkie./ Ornela Liperi