Sigurimet Shoqërore në prag falimentimi

101

Nga Raporti i KLSH-së për zbatimin e Buxhetit të Shtetit 2012, rezultojnë të dhëna shumë shqetësuese për të ardhmen e pagesës së pensioneve për afro700 mijë pensionistë të qytetit dhe të fshatit. Reforma e pensioneve ka ndalur në vend, duke qenë praktikisht e dështuar. Numri i kontribuuesve të subjekteve që janë në përgjegjësi të Drejtorisë së Përgjithshme e Tatimeve(DPT) ne vitin 2012, është realizuar me 427,150 kontribuues nga 456,157 kontribuues që ishin të programuar, me një diferencë prej 29,007 kontribuues, te cilët mungojnë dhe nuk janë të regjistruar si debitorë. Kjo diferencë është konstatuar vetëm në numrin e kontribuuesve në sektorin privat. Në fund të vitit 2012, gjendja debitore si pasojë e kontributeve të paarkëtuara të mbartura para vitit 2005 në Institutin e Sigurimeve Shëndetësore është në shumën 382.7 milionë lekë dhe pas vitit 2005 deri në mbyllje të vitit ushtrimor 2012 rezulton 18 miliardë lekë (mbi 5,6 milionë euro)!

Informaliteti financiar që vjen nga diferenca midis pagës që derdhen kontributet, me pagën reale mujore që marrin të punësuarit, është shumë i lartë. Ai është vështire të evidentohet nga auditimi, pasi nuk disponohen të dhëna analitike për numrin e kontribuuesve sipas pagës faktike nga DPT. Por mjafton të analizojmë vetëm rritjen e pagës minimale, do të konstatohet një evazion fiskal i konsiderueshëm. Konkretisht, të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore që mblidhen nga DPT, sipas evidencës financiare të DPT në vitin 2012 ndaj vitit 2011, janë rritur me 3%. Ndërkohë që, me VKM, paga minimale ne vitin 2012 është rritur me 4,76%, pra krahasuar me vitin 2011 efekti financiar është me pak për 1.7% ose në vlerën  rreth 865 milion lekë. Ky tregues nxjerr në dukje evazionin nga mos derdhja e kontributeve mbi bazën e pagës faktike. Nga auditimi i KLSH-së, del qartë se në shumë subjekte, pagat referuese që zbatohen për të punësuarit në përgjithësi janë më të ulëta se pagat faktike mujore që këta të punësuar marrin në fakt.

Nga ana tjetër, numri i personave te vetëpunësuar që duhet të paguajnë kontribute është 184,137 persona, ndërsa numri fizik sipas këtij bilanci që kanë paguar kontribute si persona të vetëpunësuar në bujqësi për vitin 2012 është 72,428 persona. Del se nuk kanë paguar kontribut 111,709 persona! Një në çdo dy shqiptarë që punon në fshat as nuk pyet për sigurimet shoqërore!

Bazuar në ligjin për sigurimet shoqërore në RSH-së, shteti derdh në fondin e sigurimeve shoqërore, diferencën e kontributit midis shumës së derdhur nga personat e vetëpunësuar në bujqësi me kontributin minimal vjetor në qytet. Në këto kushte, shuma e kontributeve të pa derdhura në fondin e sigurimeve shoqërore nga buxheti i shtetit përllogaritet 3 miliardë lekë, ose mbi 23 milionë euro. Kjo shumë rrit se tepërmi deficitin buxhetor të pensioneve, i cili kap shifrën 5.3 miliardë lekë ose 38 milionë euro.

Sipas KLSH, mosrealizimi i të ardhurave në sigurimet shoqërore ka ardhur në mënyrë të drejtpërdrejtë nga mosrealizimi i numrit të personave të siguruar. Ka një numër të konsiderueshëm emigrantësh, të përhershëm apo sezonalë, që nuk kthehen në atdhe. Gjithashtu, duhet evidentuar mungesa e një bashkëpunimi me personat e siguruar, për të vazhduar sigurimin vullnetar, deri në plotësimin e kushteve për përfitim, si dhe puna e pamjaftueshme e sektorit të sigurimit vullnetar në ISSH, e cila duhet të jetë më efektive, duke koordinuar punën në zyrë me komunikimin direkt me qytetaret për ndërgjegjësimin e tyre etj.

Numri i lartë i subjekteve debitorë dhe i kontribuuesve që ato përfaqësojnë, janë një problem shqetësues jo vetëm për mosmbledhjen e të ardhurave të konsiderueshme  me pasojë krijimin e deficitit dhe subvencionimin e tij nga buxheti i shtetit në sigurimet shoqërore, por sepse ato mbartin edhe një problem të madh social, në fushën e përfitimeve nga ligji i sigurimeve shoqërore, pasi si rezultat i mospagesave të kontributeve për një numër të madh personash, të punësuar në këto subjekte, këto shtetas nuk mund të përfitojnë nga skema e sigurimeve shoqërore asnjë lloj pensioni. Po kështu, mungesa e listëpagesave sjell vështirësi në përcaktimin e masës së pensioneve të pleqërisë. Këto vështirësi rrezikojnë te komprometojnë të gjithë skemën e pensioneve dhe sigurimeve shoqërore tek ne. Realisht, nëse gjendja nuk ndryshon, skema e sigurimeve shoqërore dhe e pagesës së pensioneve në Shqipëri po shkon drejt falimentimit të plotë dhe mbajtjes vetëm nga subvencionet shtetërore.