“Si do të funksionojë bursa e parë private në Shqipëri”

2372
Kryetari i Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Pajtim Melani, flet për gjendjen e ekonomisë dhe rregullimin e saj
Kryetari i Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Pajtim Melani, në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, dha detajet se si do të funksionojë ALSE, bursa e parë private në Shqipëri. Më tej, Melani ka shpjeguar se, në vitin e parë bursa do të funksionojë për tregtimin e letrave me vlerë të qeverisë shqiptare, e më pas do të bëhet listimi i kompanive në bazë të aksioneve të tyre. 

Ka një rëndësi të veçantë pjesëmarrja juaj në aktivitetin e Komisionit Amerikan të Letrave me Vlerë dhe Bursës, nisur nga fakti që ka një zhvillim në Shqipëri, është licencuar bursa e parë private shqiptare që me shumë gjasë fillon punë në shtator. Si do të funksionojë?
“Ne në mbledhjen e datës 3 dhe 5 korrik kemi licencuar bursën e parë private në Shqipëri. Ajo mendohet të funksionojë si bursë klasike. Vitin e parë vetëm me letrat me vlerë për të bërë edhe një lloj testi të tregut dhe në këtë mënyrë, ne mendojmë se pas rreth 1 viti të ecim drejt listimit të aksioneve të shoqërive shqiptare, që tashmë besoj se kanë kaluar fazat e para të tranzicionit. Kanë kaluar fazat e 2 bilanceve, 3 bilanceve e kështu me radhë dhe pas një lloj fushate kundër informalitetit, tashmë ekonomia beson që është në shinat e duhura dhe shoqëritë shqiptare private do të jenë të afta për t’u listuar në bursë, për të tregtuar aksione, për të marrë para borxh nëpërmjet obligacioneve nga qytetarët, ashtu siç dhe qeveria e bashkitë mund të tregtojnë titujt në këtë bursë”.

Pse mendoni këtë që sapo thatë, nisur nga një fakt i gjithënjohur; ka një vendim për pezullimin e Bursës së Tiranës, prej vitit 2014. Çfarë e bën ndryshe këtë fakt, pse bursa private do të funksionojë?
“Sigurisht që unë nuk jam për parimin absolut që sipërmarrjet private ecin gjithmonë më mirë se ato publike, por në këtë rast, unë besoj që fakti e tregon. Sepse 2 banka dhe një shoqëri financiare kanë marrë nismën, kanë kontaktuar palët e interesit, kanë kontaktuar biznese, kanë bërë një biznes-plan, kanë kontraktuar një sistem të tregtimit të titujve që është i njëjti sistem që përdor Bursa e Sllovenisë, kanë përgatitur të gjithë kuadrin rregullator, kanë testuar tregun dhe mendojnë që tregu do të funksionojë. Atëherë ne si rregullator, pavarësisht kohës relativisht të gjatë që kemi mbajtur nën monitorim dhe shqyrtim kërkesën për licencë, vjen një moment që në fund të fundit të themi që edhe Shqipëria ka nevojë për një treg kapitalesh dhe Bursa është një nismë e cila do të ofrojë një instrument ku investitorët në kohë reale, në mënyrë transparente, do të duhet të shkëmbejnë letrat me vlerë mes tyre. Tashmë çdokush që do të dojë të shesë apo të blejë, do të ketë tashmë një dritare, do të ketë një treg, ku mund ta bëjë këtë gjë në kohë reale dhe në transparencë të plotë”.

Fakti që, ju e sqaruat dhe më parë, është menduar që të funksionojë me faza Bursa private e sapo licencuar, kjo lidhet edhe me një lloj pasigurie lidhur me mënyrën se si do të operohet apo doni që në këtë rast të jeni edhe më të kujdesshëm për të shtruar rrugën mirëfunksionimit të saj?
“Gjithçka ka ndodhur në ekonominë shqiptare nuk ka më shumë se 25 vite ekonomi tregu. Një treg kapitalesh do kohën e vet. Sigurisht që ka pasur më pak mundësi sesa në vendet e tjera. Por ne mendojmë se tashmë tregu është maturuar për ta pasur këtë Bursë. Ne po e licencojmë për vitin e parë vetëm për letrat me vlerë të qeverisë, tregon që PO, ne jemi të kujdesshëm. Si Autoritet i Mbikëqyrjes Financiare, ne mendojmë se kemi marrë të gjithë masat e duhura që nga njëra anë, ne të rrisim kapacitetet mbikëqyrëse të kësaj Burse në kohë reale, nga ana tjetër ne po asistohemi nga projekte shumë të rëndësishme të financuara nga qeveria zvicerane apo nga Banka Botërore për rritjen e kapaciteteve të Autoritetit për mbikëqyrjen e tregut të kapitaleve, që është projekti për fondet e investimit. Ashtu siç mendojmë se ne tashmë kemi instrumentet, burimet njerëzore, por kemi edhe kërkesën e tregut për ta zhvilluar këtë produkt. Sigurisht që një lloj kujdesi nga ana jonë, me mirëkuptimin edhe të aplikantëve për licencë, për ta pasur këtë Bursë si një test me letrat me vlerë të qeverisë që sigurisht kanë një risk më të moderuar, për të kaluar pastaj tek aksionet dhe tek obligacionet e shoqërive private”.

Ju thatë se tregu i kapitaleve ka fituar qëndrueshmëri, por nga ana tjetër vazhdohet të flitet për një ekonomi informale. Këto të dyja, si qëndrojnë me njëra-tjetrën?
“Sigurisht që Shqipëria ka një shkallë të caktuar të ekonomisë informale por unë besoj që në 2 vitet e fundit, me fushatën anti-informalitet që filloi në bazë të gjerë dhe në të gjithë sistemin, besoj se është ecur përpara. Ashtu siç besoj se dhe për hir të traditës dhe për hir të një historiku, kuptohet që bizneset pasi kalojnë fazën e pare të rritjes, kalojnë në ciklin e konsolidimit. Pastaj vjen pika kur ato kërkojnë dhe të formalizohen. Sepse kuptojnë që nuk mund të kesh akses në kredi pa qenë formal, nuk mund të kesh akses në banka pa qenë formal, nuk mund të kesh tashmë akses në Bursë pa qenë formal dhe pa qenë vetëm me një bilanc. Kështu që ne besojmë se nga studimi i tregut dhe nga plani i biznesit që ka paraqitur shoqëria ALSE, ne kuptojmë që tashmë janë disa biznese të cilat e shohin me interes që të listojnë aksionet e tyre në Bursë, t’i kthejnë konsumatorët e tyre në aksionarë të bizneseve të tyre. Kështu që në këtë mënyrë, ato përveç se zgjerojnë mundësinë për likuiditet, pra mundësinë për të marrë financime, për të zgjeruar biznesin, krijojnë edhe një lidhje më të ngushtë me klientët dhe konsumatorët. Sepse ju besoj se kuptoni që në çdo pikë të shitjes me pakicë, nëse do të ishin aksionarë ju do të lidheshin shumë me këtë shoqëri. Ne besoj se duhet të shkojmë drejt tregjeve ku pronësia e këtyre shoqërive kalon nga një dorë, nga një person në manaxhimin e profesionistëve. Ne besojmë se biznesi shqiptar është maturuar mjaftueshëm që të ndërrojë psikologjinë që një person drejton gjithë biznesin…”.
Sigal