Shtimi i konkurrencës, ulen çmimet e biletave të avionëve drejt Italisë

811
Sigal

Hyrja e “Air Albania”, që e ka çuar në katër numrin e operatorëve që ofrojnë fluturime drejt Italisë, ka ndikuar në uljen e çmimeve të biletave të avionëve drejt destinacionit më të frekuentuar nga shqiptarët. Një biletë vajtje-ardhje mund të gjesh, nëse e prenoton një muaj përpara edhe me më pak se 100 euro. Sipas një kërkimi në faqet përkatëse të internetit, drejt tre destinacioneve që ka më shumë fluturime, Roma, Milano e Bolonja, nëse prenoton sot për një biletë vajtje-ardhje rreth datave 4 dhe 7 nëntor, mund të besh bileta dhe me 90 euro. Destinacioni më i lirë është Bolonja, që me “Air Albania” kushton 88.6 euro (vajtje-ardhje). Me “Fly Ernest”, Bolonja është 107 Euro dhe me “Blue Panorama”, gati 122 euro. Drejt Romës, më e lira është “Fly Ernest”, me gati 92 euro. Me “Air Albania”, kryeqyteti është i arritshëm për 99 euro. Më të shtrenjta janë “Alitalia” dhe “Blue Panorama/Alba Wings” me rreth 130 euro. Për në Milano, biletat luhaten mes 107 dhe 100 euro, vajtje-ardhje për të njëjtat data. “Air Albania” filloi nga 30 shtatori fluturimet direkt drejt tre destinacioneve, Romë, Milano, Bolonja. Teksa ka çmime të krahasueshme, “Air Albania” ka të përfshira në çmim dhe ushqimin dhe bagazhin (30 kg). Italia është destinacioni kryesor i fluturimeve nga Shqipëria. Në total, gjatë vitit 2018, sipas të dhënave nga Tirana International Airport (TIA), pasagjerët nga dhe drejt Italisë ishin gati 1.56 milionë, ose 59% e totalit.

Destinacioni kryesor ku udhëtohet nga dhe drejt Rinasit vijon të jetë Roma, me 329 mijë pasagjerë në 2018-n, me rritje prej 1.8% me bazë vjetore. Roma shërben jo vetëm si destinacion direkt, por edhe si tranzit për të udhëtuar në Evropë dhe jashtë saj. Destinacioni i dytë është Milano, me 283 mijë pasagjerë, i treti është Bergamo (që është afër Milanos), me 143 mijë pasagjerë (rritje 15%). Më pas renditen Verona (142 mijë), Bolonja (140 mijë), Piza (138 mijë), Venecia (94 mijë).