Shteti u “fal” oligarkëve 70 milionë USD. Biznesi i madh, “gropos” 1 miliard USD fitime të pashpërndara për të shmangur tatimin

191

Kompanitë e mëdha në Shqipëri, 1 miliard dollarë fitime të pashpërndara për të shmangur tatimin

Shteti shqiptar u “fal” oligarkëve 70 milionë euro

 

Një ndryshim në paketën fiskale të vitit 2019, që ul tatimin mbi dividendin në 8 për qind nga 15 për qind, me efekt prapaveprues edhe për vitet e mëparshme, i “fal” bizneseve të mëdha të huaja që ushtrojnë aktivitet në vendin tonë, të paktën 70 milionë euro. Revista Monitor ka përpunuar të dhënat e bilanceve të 10 kompanive më fitimprurëse në vend, të cilat rezulton se deri në vitin 2017 kanë akumuluar në kapital 98 miliardë lekë fitime të pashpërndara dhe 29 miliardë lekë ishin rezerva, me një shumë totale prej rreth 128 miliardë lekë, ose rreth 1 miliardë euro. Sipas një udhëzimi të posaçëm të tatimeve, për fitimet e pashpërndara të realizuara në vitet 2018 e më parë, (përfshirë rezervat dhe fitimet e kapitalizuara), këto kompani kanë afat që të paguajnë brenda datës 30 shtator 2019, tatimin që i përket fitimeve të pashpërndara të viteve 2017 e më parë. Për këto fitime të pashpërndara, do të zbatohet shkalla e tatimit 8 për qind. Nëse këto fitime do të shpërndaheshin dhe do të tatoheshin me 15 për qind (sa ka qenë tatimi mbi dividend deri në fund të 2018-s), buxheti i shtetit do të arkëtonte një shumë prej 150 milionë eurosh. Mirëpo me uljen e tatimit mbi dividendin në 8 % nga shpërndarja e këtyre fitimeve shteti do të arkëtojë vetëm 80 milionë euro, teksa 70 milionë lekë të tjera amnistohen.

Kompanitë që përfitojnë më shumë

Lista me bizneset më të mëdha sipas fitimeve në vitin 2017 tregon se fitimi i pashpërndarë zotërohej kryesisht nga 6 kompani të huaja, ku kryesojnë operatorët e telefonisë celulare.
Mbartjet më të mëdha i ka Telekom Albania me 44.2 miliardë lekë fitime të pashpërndara dhe 23 miliardë lekë rezerva.

Më pas vlerën më të mëdha të fitimeve të pashpërndara e ka Vodafone Albania me 15.8 miliardë lekë, ku 568 milionë lekë ishin rezerva.
Këto dy kompani kanë qenë më fitimprurëset në vend, duke arritur fitime rekord prej 200 milionë eurosh së bashku në 2008-n, teksa norma e përfitueshmërisë i kalonte 50%. Më pas, me rritjen e konkurrencës në tregun e telekomunikacioneve fitimet e tyre u përgjysmuan, duke rezultuar madje me humbje në 2016-2017 (shiko grafikun fitimet e kompanive celulare në vite).

Raifesisen Bank mbarti rreth 15.3 miliardë lekë nga të cilat 2.3 miliardë lekë ishin rezerva. Më tej në radhe vjen Banka Intesa San Paolo me rreth 10 miliardë lekë fitim të pashpërndarë ku 831 milionë lekë ishin rezerva.

Banka Kombëtare tregtare vijon renditjen me 7.8 miliardë lekë fitime të mbartura në fund të vitit 2017 (kryesisht fitimi i vitit financiar). Tirana International Airport gjithashtu mbarti 2.5 miliardë lekë fitime. Kompanitë që kanë punuar si nënkontraktorë në projektin e gazsjellësit TAP, Spiecapag Shqipëria dhe Spiecapag Transadriatica akumuluan secila përkatësisht 3, 5 dhe 1,2 miliardë lekë fitime të mbartura, nga të cilat 1,5 miliardë lekë në Spiecapag Shqipëria ishin rezerva. Albchrome është një tjetër kompani me fitime të mbartura prej 2.4 miliardë lekësh dhe APEX kishte fitimin e vitit ushtrimor prej 1.5 miliardë lekësh.

Ndryshimi ligjor

Në paketën fiskale të këtij viti u miratua ulja e tatimit për dividendin nga 15 në 8%.
Sipas një udhëzimi të posaçëm të tatimeve “Për tatimin mbi të ardhurat” për fitimet e pashpërndara të realizuara në vitet 2018 e më parë, përfshirë rezervat dhe fitimet e kapitalizuara shkalla e tatimit 8 për qind zbatohet me kushtin që:

-tatimi që i përket fitimeve të pashpërndara të viteve 2017 e më parë, të paguhet brenda datës 30 shtator 2019;
-tatimi për dividendin për fitimin e vitit 2018 të paguhet brenda datës 20 gusht 2019.

Nëse nuk zbatohen kushtet e mësipërme tatimpaguesi do të paguajë 15% tatim mbi dividendin.

Mos shpërndarja e dividendit vitet e fundit
Rritja e tatimit mbi dividendin nga 10 në 15% në vitin 2014 ka nxitur evazionin për këtë tatim. Në vitin 2017, të ardhurat nga dividendi ishin vetëm 178 milionë lekë me rënie 81%, në raport me vitin 2013, kur tatimi ishte 5 pikë përqindje më i ulët. Për të ulur barrën tatimore, e cila më 2014 u rëndua edhe nga tatimi më i lartë mbi fitimin, bizneset nisën të përdorin disa mjete brenda ligjit për të shmangur pagesën e dividendit. Shumë prej shoqërive të mëdha kanë mbajtur pa shpërndarë fitimin për disa vite, për të shmangur tatimin dhe të tjera kanë bëra shtesa “fiktive” në kapital. Në dijeni të këtij mekanizmi, Ministria e Financave vendosi që në Paketën Fiskale të 2019-s të ulë tatimin mbi dividendin në 8%./Monitor