Shteti, pa transparencë për lejet e ndërtimit e koncesionet

473
Sigal

Zyrës e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka publikuar raportin vjetor në lidhje me transparencën e autoriteteve publike.  Të dhënat e raportit tregojnë se janë të paktën tre fusha kryesore ku është vënë re një mungesë e theksuar transparence kundrejt kërkesave të qytetarëve apo shoqërisë civile. E para duket se lidhet me lejet e ndërtimit ku institucionet përkatëse gjejnë pretekst tek legjislacioni për të drejtat e autorit. “Konkretisht është evidentuar se disa autoritete publike, dhe në mënyrë specifike ato të angazhuara në fushën e zhvillimit të territorit apo trashëgimisë kulturore i referohen vazhdimisht legjislacionit për të drejtën e autorit, si arsye për mosvënien në dispozicion të dokumentacionit lidhur me lejet e ndërtimit apo zhvillimit, i cili në kuptim të ligjit nr.119/2014 ‘Për të drejtën e informimit” përbën informacion publik. Pavarësisht arsyetimit ligjor të dhënë nga ana e Zyrës së Komisionerit mbi pabazueshmërinë e këtij qëndrimi, referuar edhe ligjit nr.35/2016 ‘Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to’, qasja e autoriteteve publike në më të shumtën e rasteve ka vijuar të mbetet e njëjtë” paraqet raporti. Një tjetër sektor problematik është ai i energjisë i lidhur me kontratat koncesionare. Sipas raportit të Komisionerit, “Autoritetet publike të angazhuara në këtë sektor në mënyrë të përsëritur referojnë në parimin e konfidencialitetit, si arsye për mosvënien në dispozicion të informacionit të kërkuar, objekt i të cilit kanë qenë sipas rastit kopjet e kontratave koncesionare, oponencat teknike, studimet e fizibilitetit, lejet mjedisore apo dokumente të tjera që kanë bëjnë me këto kontrata. Komisioneri ka marrë një numër të konsiderueshëm vendimesh, ku qëndrimin e tij e ka shoqëruar me argumentin ligjor mbi publikimin e kësaj kategorie informacioni, qoftë në bazë të parimeve të ligjit nr.119/2014 ‘Për të drejtën e informimit’, qoftë në bazë të legjislacionit specifik në fushën e koncesioneve dhe partneriteteve publike private, megjithatë ky sektor vijon të mbetet problematik”, thuhet më tej në dokument. Arbitrazhet janë një tjetër tematikë që nuk ka gjetur bashkëpunimin e autoriteteve publike në kuadër të transparencës.