Shteti mund të bëhet “aksioner” në investimet strategjike private

168
Shteti mund të veprojë si bashkëzhvillues i një investimi strategjik, duke marrë pjesë si ortak/aksionar në shoqërinë tregtare që do të realizojë investimin strategjik, nëpërmjet kontributit në kapital, me para ose në natyrë. Lajmi bëhet i ditur në një vendim që qeveria ka marrë për këtë qëllim dhe është botuar dje në Fletoren Zyrtare. Nëpërmjet vendimit sqarohet, se pjesëmarrja e shtetit në investimet strategjike mund të realizohet në format e mëposhtme:
a) Shteti vepron si bashkëzhvillues i investimit strategjik;
b) Shteti vepron si bashkëzhvillues i një zone territoriale të caktuar, në të cilën realizohen investime strategjike;
c) Shteti vepron si bashkë-pjesëmarrës në investim në forma të tjera, në përputhje me legjislacionin shqiptar në fuqi.
Vendimi i qeverisë përcakton se shteti mund të jetë bashkëpjesëmarrës për realizimin e një investimi strategjik, duke vepruar në rolin e zhvilluesit të një zone territoriale të caktuar, në të cilën realizohen investime strategjike. Në këtë rast, shteti mund të mbështetë investimin strategjik, duke marrë masa për zhvillimin e zonës, të tilla si: përmirësimi dhe zhvillimi i objekteve dhe i infrastrukturave ekzistuese, ndërtimi i infrastrukturave të reja ose marrja e masave të tjera mbështetëse. Përveç këtyre formave, shteti mund të veprojë si bashkëpjesëmarrës në investim në çdo formë tjetër të parashikuar nga legjislacioni shqiptar në fuqi. Në këto forma bashkëpjesëmarrjeje mund të përfshihen, por pa u kufizuar, vënia në dispozicion e pasurive të paluajtshme apo të luajtshme, e aseteve, makinerive, të drejtave apo lehtësive të ndryshme, dhënia e së drejtës për përdorimin e brigjeve, si dhe kombinime të tyre apo forma të tjera mbështetjeje. Bashkëpjesëmarrja e shtetit në një investim strategjik shpërblehet nëpërmjet pagesës së tarifave, produkteve apo fitimeve të realizuara nga investimi strategjik apo nëpërmjet formave të tjera të përcaktuara në kontratën me investitorin strategjik. Pjesëmarrja e shtetit në investimet strategjike dhe përfitimet përkatëse në favor të shtetit përcaktohen në kontratat përkatëse që nënshkruhen nga shteti me investitorin strategjik, sipas mënyrave, formave dhe rregullave të përcaktuara nga legjislacioni sektorial. Pjesëmarrja e shtetit në investimet strategjike realizohet në përputhje me interesin publik, duke respektuar parimet e transparencës, të paanshmërisë, të barazisë e të mbrojtjes së konkurrencës dhe tregut të lire, referohet në VKM. gjithashtu saktësohet se, pjesëmarrja, mbështetja dhe nxitja shtetërore për një investim strategjik nuk duhet të sjellin, si pasojë, pengimin, kufizimin ose shtrembërimin e konkurrencës në treg. Pjesëmarrja shtetërore duhet të jetë në nivele të tilla, të cilat nuk shuajnë ose e reduktojnë ndjeshëm riskun operacional në ngarkim të investitorit strategjik, si dhe në nivel të drejtë proporcionaliteti me vlerën dhe rëndësinë e investimit. Për këtë qëllim, përpara se të propozohet pjesëmarrja e shtetit në një investim strategjik, Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të investimeve u kërkon mendim paraprak Autoritetit të Konkurrencës, Komisionit të Ndihmës Shtetërore dhe organeve të tjera të specializuara, të cilat ja përcjellë Komitetit të Investimeve Strategjike. Bashkëpjesëmarrja në një investim strategjik mund të propozohet nga vetë shteti, në rastin e një projekti strategjik të përgatitur nga organet shtetërore, me qëllim mbështetjen e investitorëve për realizimin e një investimi strategjik. Pjesëmarrja e shtetit në investimet strategjike, për të cilat nevojitet kryerja e procedurave konkurruese, shpallet që në fazën fillestare të tenderëve ose garave që zhvillohen në këto raste. Çdo investitor, i cili kërkon pjesëmarrjen shtetërore në një investim strategjik, përveç dokumentacionit, për përfshirjen në procedurat administrative të investimeve strategjike dhe atë mbi garancitë financiare, duhet të paraqesë pranë Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të investimeve edhe dokumentacionin e mëposhtëm:
a) Planin e plotë të biznesit, në të cilin përcaktohen edhe detyrimet përkatëse të propozuara në ngarkim të investitorit strategjik e të shtetit, si dhe kostot përkatëse;
b) Studimin e plotë të fizibilitetit, i cili përfshin në mënyrë të detajuar analizën dhe vlerësimin teknik, ekonomik dhe tregtar të projektit, si dhe provon se projekti është i përshtatshëm, i nevojshëm dhe i realizueshëm;
c) Një relacion shpjegues, ku jepen arsyet e kërkesës për përfshirje shtetërore, mënyra e pjesëmarrjes apo mbështetjes direkte të shtetit në investim dhe një shpjegim i detajuar i vlerësimit të pjesëmarrjes shtetërore, si e nevojshme nga ana e investitorit për suksesin e projektit;
ç) Përshkrimin e detajuar të formës e të nivelit të pjesëmarrjes shtetërore të kërkuar, të shoqëruar
me informacione konkrete për aspektet e pjesëmarrjes shtetërore;
d) identifikimin e asetit publik të luajtshëm ose të paluajtshëm dhe të organit administrues
përgjegjës, në rastin kur kërkohet vënia në dispozicion e një aseti publik në pronësi të shtetit;
dh) Projektin e plotë zhvillimor të infrastrukturës së brendshme dhe mënyrën e lidhjes së
saj, me infrastrukturën e jashtme, në rastin kur kërkohet mbështetja me infrastrukturë mbështetëse;
e) Të drejta të posaçme që i ofrohen shtetit nga ana e investitorit në kuadër të pjesëmarrjes
shtetërore në investim, të tilla, por pa u kufizuar në:
i) vendimmarrje me të drejtë vetoje apo me shumicë të kualifikuar në shoqërinë apo partneritetin që propozohet të krijohet;
ii) ii) të drejta të posaçme, përtej atyre të parashikuara nga legjislacioni në fuqi, për të
emëruar anëtarë të organeve drejtuese, auditorë apo për të marrë informacion për mbarëvajtjen e
investimit;
iii) të drejta të posaçme në ndarjen e dividendit, të të ardhurave të realizuara apo të çdo përfitimi të
drejtpërdrejtë apo jo të drejtpërdrejtë në favor të shtetit;
iv) opsionin e daljes së shtetit nga investimi me kushte të paracaktuara apo lehtësisht të vlerësueshme pas një periudhe kohe nga data e pjesëmarrjes së shtetit në investimin strategjik të propozuar;
v) kufizimet e zbatueshme në lidhje me transferimin e pjesëmarrjeve apo pjesëmarrjen e palëve të treta në investim;
vi) propozim për zgjidhjen e situatave të bllokimit të vendimmarrjes dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.