Shteti duhet të krijojë bankë shtetërore dhe të japë kredi me interesa të ulëta

194

Bankat janë oligarki, shteti është në mbrojtje të interesave bankare dhe kundër qytetarëve

Gjithkush e ka provuar që interesat e depozitave në banka janë shumë të ulëta, deri në 5 %, për  depozita me afate dhe  këto në raste të veçanta, ndërsa për depozitat pa afat kohor, ose të lira, bankat nuk japin fare asnjë përqindje interesi. Por ka banka, që për çdo depozitë kursimesh, të mbajnë çdo muaj një kuotë parash të caktuara, për përkujdesjen e depozitës. Nga ana tjetër, bankat për çdo produkt tjetër bankar, tregohen shumë agresive ndaj klientit të vet. Pikësëpari, duke i dhënë çdo produkt bankar, që nga  komisionet bankare – të vetë bankës- me rëndesë financiare ndaj klientit, e deri te normat e larta të interesit, që janë shpeshherë, ta pajustifikuara, por që i shërbejnë qëllimit të fitimit maksimal. Si shpjegohet që norma bazë e interesit është 3,75%, ndërsa kreditë jepen nga banka nga 10-15 %?

Duhet të ketë bankë shtetërore, që të jetë rregullatore e tregut bankar

Një ekspert bankier, që ka shërbyer shumë kohë në Bankën e Shqipërisë, por që nuk do të identifikohet, kësaj pyetjeje i përgjigjet kështu: Interesat nuk mund të jenë të diktuara dhe të përcaktuara nga një organ shtetëror. Dhe, meqë bankat janë private, përqindjet e interesave i vendosin në mënyrë individuale. Specialisti bankar pranon që bankat kanë bërë marrëveshje gojore, që do lëvizin në këtë nivel interesash. Me një fjalë produktin bankar të interesave të kredive, bankat e kanë bërë monopol. Sepse po të vesh në çdo bankë, diferenca  e interesave të kreditit, por edhe e depozitave, lëviz me 0,25 %. Nuk ka luhatje, nuk ka diapazon të gjerë në përqindjet e produkteve bankare, që të veprojë ligji i konkurrencës. Meqë shteti nuk mund të diktojë drejtpërdrejtë mbi bankat për të përcaktuar kufijtë e interesave, përveçse, po të ketë vullnetin, mund të luftojë monopolizimin e produkteve bankare, dhe të bëhet një rregullatore e tregut bankar, duhet të kishte një bankë shtetërore. Që nuk do të kishte si qëllim të vetes, fitimin maksimal, por do të jetë një bankë, kuptohet me vetëfinancim, nuk do financohet nga buxheti shtetëror dhe do të zbatojë politikat e interesave të ulëta të kredive bankare. Sepse qëllimi i vetëm i bankave shtetërore është që të zbatojë politika ekonomike dhe financiare të shtetit, në dobi të nxitjes dhe rritjes së investimeve prodhuese e prodhimit dhe në ndihmë edhe të investitorëve, por edhe qytetarëve, të grupeve të caktuara shoqërore. Përqindjet e ulëta të kredive bankare do të jenë të ulëta, sepse do t’i japë shteti, nëpërmjet bankës shtetërore, me përqindjen e ulët. Një investitor, kur kërkon të marrë kredi, te bankat do të hasë interesa deri në 15 %, që është jashtë çdo logjike, sepse vetë kjo kredi, që në fillesë është jo i leverdishëm ekonomik. Në kësi rastesh, cilido mund të marrë kredi  bankare me interesa kaq të larta, vetëm për të hequr litarin nga fyti, por jo për të zhvilluar biznesin e vet. Kapitalin fillestar banka e shtetit do ta marrë nga shteti, por nuk është ndonjë kapital i madh. Bëhet fjalë që kapitali fillestar të jetë 7 milionë euro. Shumë kohë më parë, kur të gjitha bankat shtetërore u dhanë për t’u privatizuar, nën frymën e konceptit të zhvillimit kapitalit, që çdo gjë duhet të privatizohet dhe a ka mundësi edhe ajri të privatizohet? Kjo është  një nga parimet e shkollës së Çikagos. Specialisti bankier, me të cilin “Telegraf”, kontaktoi, pohon se,  atëkohë, kur shteti po privatizonte të gjitha bankat, e dha idenë, që shteti të mbajë një bankë shtetërore, për të luajtur edhe këtë rol nxitës dhe ndihmues të investimeve, por që do të shërbente edhe si një rregullator e përcaktues edhe i tregut bankar. Banka e Shqipërisë, nuk është bankë shtetërore, është bankë e nivelit të parë. Kjo bankë mbikëqyr, për ato politika që kërkon shteti, por nuk dikton bankat, sikurse janë niveli i interesit të kredive. Diferenca e 3,75 %,  që është norma e interesit, me 15 % që i japin kreditë,  bankat nuk ka asnjë logjikë, pasi fitimi është shumë i madh dhe i pajustifikueshëm.

Banka Botërore, një këshilltare e keqe e privatizimeve në Shqipëri

Bankat duhet të kenë një normë fitimi, 7-8-10 %, por jo 12-15 %. Banka Botërore, kundërshtoi idenë që shteti të mbante një bankë shtetërore. Banka Botërore, më tepër ka luajtur rolin e këshilltarit të qeveria shqiptare, vëzhguesit, por edhe të kreditorit, sepse i ka dhënë edhe kredi shtetit shqiptar. Këshillat e BB-së ndaj qeverisë shqiptare, të sinqerta nuk mund të cilësohet, por është e sigurt, që edhe më të mirat ato nuk kanë qenë. Ka patur mundësi për zgjidhje shumë më të mira, nga ato që ka këshilluar (diktuar) BB-ja. Rasti më flagrant, është roli këshillues i Bankës Botërore në privatizimin  OSSH-së të CEZ-i, ku ishte BB-ja ajo që e afroi CEZ-in si investitorin më serioz. Fati i këtij privatizimi dihet, se sa i turpshëm, dëmprurës për shqiptarët dhe ekonominë e Shqipërisë ishte CEZ-i në Shqipëri, ku pasojat akoma janë ta pallogaritshme. Këshillimet e BB-së për të privatizuar ato sektorë rentabël të ekonomisë shqiptare, sikurse HEC-et, sikurse OSSH-ja, i ngjajnë asaj politike enveriste, që kolektivizoi bagëtitë dhe tokat, duke u premtuar shqiptarëve se kooperativa do t’i furnizonte me produktet bujqësore dhe blegtorale. Edhe këto privatizime rentabële – rasti më i fundit është privatizimi i 4 HEC-eve, që kishin të ardhura të sigurta në buxhetin e shtetit, me lekët e privatizimeve, do të përballojnë shpenzimet e 4 viteve, pastaj, në vitet në vazhdim, do të jetë buxheti i shtetit që do pësojë ngrirjen e të ardhurave, pasi ato të ardhura do të jenë fitimi i atyre që përfituan nga privatizimi. Po të vërejmë, privatizimin e ekonomisë të Shqipërisë e kanë marrë të huajt, shumë pak vetë  investitorët shqiptarë kanë përfituar. Kjo është politika që ndjek vetë BB-ja. Efektivisht, të mirat e ekonomisë tonë i shfrytëzojnë të huajt dhe kjo është bërë me porosinë e Bankës Botërore. E keqja më e madhe e këtij privatizimi të ekonomisë të këshilluar (diktuar) nga Banka Botërore, është se kapitali i fituar në Shqipëri del jashtë dhe nuk riinvestohet.

Ligji është në shërbim të interesave bankare dhe agresiv ndaj klientëve e qytetarëve

Banka shtetërore do të japë një kredi me interes të ulët që do jetë e përballueshme nga investitori, nga huamarrësi. Kjo bankë, duke qenë shtetërore, do të zbatojë edhe porosi, politika nga qeveria. Që kredimarrësit, biznesmenët, që janë në një periudhë vështirësie, mund të ndihmohen, me zgjatje të afatit të shlyerjes, ose me ulje të interesave, e mekanizma të tjerë, që bankat private nuk duan ta zbatojnë kurrë, sepse nuk pranojnë të ulin fitimin maksimal. Në raportet bankë-klient, shteti me ligjet e veta, gjithnjë është rregullator i interesave të bankave dhe kurdoherë është në kundërshti me interesat e klientëve dhe huamarrësve të bankës. Kjo shpjegohet, se bankat janë oligarkia e vendit, ato vetë diktojnë në hartimin e ligjeve, që ligjet të bëhen në përshtatje me interesat e bankave. Që gjithmonë, bankat të fitojnë, që gjithmonë klienti, huamarrësit, qytetarët të humbasin. Edhe kur ligji është i paplotë, i mangët, prapëseprapë kjo mangësi ligjore shfrytëzohet gjithnjë në interes të bankave, dhe kurrë jo të qytetarëve. Shembulli më tipik janë të ashtuquajturat “germat e vogla”, që ligji nuk i përcakton dot, por ato përmbajnë detyrimet ligjore të huamarrësit dhe bankat, duke mos i informuar klientët e vet për kushtet e kontratës, përfiton, duke i rrjepur klientët. Fakti më domethënës, është rasti kur një bankë falimenton. Depozituesit, shumë herën e rasteve i humbasin depozitat,. Pa i detyruar   bankat që të kthejnë deri në qindarkë detyrimet e tyre ndaj klientëve. Por, paralelisht, për huamarrësit, nuk shuhen e fshihen kreditë e marra, sepse ligji ka parashikuar- në shërbim të interesave të bankierëve, që me rrugë e mënyra të tjera, huamarrësit të vazhdojnë të paguajnë detyrimet e tyre financiare, ndaj bankierëve, edhe kur banka ka falimentuar.

Meqë shteti nuk mund të diktojë drejtpërdrejtë mbi bankat për të përcaktuar kufijtë e interesave, përveçse, po të ketë vullnetin, mund të luftojë monopolizimin e produkteve bankare, dhe të bëhet një rregullatore e tregut bankar, duhet të kishte një bankë shtetërore.

 Banka shtetërore nuk do të kishte si qëllim të vetes, fitimin maksimal, por do të jetë një bankë, kuptohet me vetëfinancim, nuk do financohet nga buxheti shtetëror dhe do të zbatojë politikat e interesave të ulëta të kredive bankare.

 Këshillat e Bankës Botërore ndaj qeverisë shqiptare, të sinqerta nuk mund të cilësohet, por është e sigurt, që edhe më të mirat ato nuk kanë qenë asnjëherë. Ka pasur mundësi për zgjidhje shumë më të mira, nga ato që ka këshilluar (diktuar) BB-ja.