Shqiptarët punojnë 48 orë në javë, më shumë se gjithë Evropa, kryesojnë të moshuarit dhe të varfrit

833
Sigal

Raporti i KE: Grupmosha 50-64 vjeç, me 50 orë, më pas vjen ajo 35-49 vjeç dhe 18-24 vjeç, me 48 orë secila

Të punësuarit shqiptarë deklarojnë se punojnë 48 orë në javë, sipas një sondazhi të fundit të Komisionit Evropian, që ka matur cilësinë e jetës për vendet e Evropës, përfshirë Ballkanin Perëndimor. Numri i orëve që shqiptarët rrinë në punë është më i larti në të gjithë Evropën dhe shumë më i lartë sesa mesatarja që rezulton për Bashkimin Evropian, prej 40 orësh në javë. Pas nesh, kohë më të gjatë pune raportojnë serbët dhe turqit me 47 orë në vit. Punonjësit që raportojnë se punojnë më pak orë janë holandezët, me vetëm 35 orë në javë, të ndjekur nga britanikët, me 37 orë, gjermanët me 38 orë, irlandezët 39 orë. Nga shtetet e Bashkimit Evropian, më punëtorët janë portugezët dhe grekët, me 47 orë. Komisioni Evropian raporton se sondazhi u bë në një kampion të rastësishëm prej 1000 banorësh për shumicën e vendeve dhe 1300 banorë për shtetet e mëdha. Për Shqipërinë, sondazhi u realizua në periudhën nëntor 2016-mars 2017 dhe koha e intervistës ishte 35 minuta dhe synon të masë balancën punë-jetë. Sa më i moshuar të jesh aq më gjatë punon në Shqipëri. Orët më të gjata të punës i raporton grupmosha 50-64 vjeç, me 50 orë, më pas vjen ajo 35-49 vjeç dhe 18-24 vjeç, me 48 orë secila. Grupmosha 25-34 vjeç është më “dembele”, deklaron se punon 45 orë. Ata që kanë më shumë të ardhura punojnë më pak. Grupet me të ardhura më të larta punojnë 46 orë në vit dhe ata që fitojnë më pak punojnë 50 orë në javë (raporti i ndan personat sipas të ardhurave në katër grupe, nga më i ulëti tek më i larti). Sipas sondazhit të KE-së, kur pyeten se sa orë në javë do të donit të punonin, të anketuarit shqiptarë janë përgjigjur 34 orë. Por, sado pak të punosh sërish nuk je i kënaqur. Holandezët kanë pohuar se do të preferonin të punonin 26 orë në javë, danezët po ashtu. Një tjetër pyetje lidhet me orët e punës së partnerit, që të anketuarit shqiptarë i janë përgjigjur 49 orë, sërish më e larta në Evropë. 72% e të anketuarve shqiptarë pohojnë se të paktën disa herë në muaj shkojnë në shtëpi tepër të lodhur për t’u marrë me punë shtëpie. Më të lodhurit janë serbët, me 83%. 56% e shqiptarëve deklarojnë se të paktën disa herë në muaj e kanë pasur të vështirë të përmbushin përgjegjësitë familjare, për shkak të kohës së kaluar në punë, më e lartë sesa mesatarja e BE-së, por më e ulëta në rajon. Përqindjen më të lartë në Evropë e raportojnë kroatët, me 69%. Në kahun tjetër, 37% e të punësuarve shqiptarë kanë deklaruar se të paktën disa herë në muaj e kanë të vështirë që të përqendrohen në punë, për shkak të problemeve familjare, më e lartë se mesatarja e BE-së, por ndër më të ulëtat në rajon. Shqiptarët dhe turqit shpenzojnë kohën më të gjatë për t’u kujdesur për familjarët dhe të afërmit me probleme shëndetësore që janë mbi moshën 75 vjeç, me përkatësisht 17 dhe 21 orë. Më herët, të dhënat zyrtare të institutit shqiptar të statistikave (INSTAT), por që masin kohën e të punësuarve me pagesë treguan se për vitin 2017, në Shqipëri punohet mesatarisht 2,173 orë në vit, ose rreth 42 orë pune në javë. Ndërsa mesatarja e vendeve të zhvilluara të OECD është 1764 orë. Në krahasim me mesataren, të punësuarit me pagë në Shqipëri punojnë rreth 409 orë më shumë.

Kadastrat e djegura në 1997 dhe ligji 7501, Vlora, Fieri dhe Gjirokastra “shpronësohen”

Të vërtetosh pronësinë dhe të ligjërosh atë në Shqipëri është kthyer në një mision gati të pamundur. Mbivendosja që ka krijuar zbatimi i ligjit 7501 bashkë me djegien e zyrave kadastrale në vitin 1997 bashkë me elementet e korrupsionit dhe burokracitë në hipoteka po pengojnë seriozisht çuarjen e pronës tek i zoti. Shqetësimin në lidhje me këtë situatë E raportoi në Kuvendin e Shqipërisë edhe Agjencia e Trajtimit të Pronave. Sipas saj qarqet me problematike në këtë drejtim janë ato të Vlorës, Fierit dhe Gjirokastrës. ATP referon se qarku Vlorë, konkretisht bashkia e Sarandës dhe Delvinës janë mjaft problematike në marrjen e vërtetimeve kadastrale pranë organeve përkatëse për shkak se në këtë rreth Zyrat e Hipotekave janë djegur në vitin 1997, teksa ka pasur një vjedhje masive edhe në vitin 2009. Agjencia e Trajtimit të Pronave raportin se edhe Qarku i Fierit gjendet në të njëjtën problematikë, ku dokumentacioni i hipotekave në bashkinë e Fierit dhe të Mallakastrës është djegur gjithashtu në vitin 1997. Bashkitë e Gjirokastrës dhe Tepelenës për të njëjtat arsye pasi dokumentacioni i hipotekave është djegur në 1997 nuk mund të lëshojë informacione dhe vërtetime në lidhje me gjendje më të hershme të pronësisë. Agjencia e Trajtimit të Pronës pohon se në të tria këto qarqe procesi i azhornimit për regjistrimin e pronës në hipotekë nuk ka përfunduar duke sjellë mungesën e informacionit për statusin juridik të pronës së pretenduar si dhe mos plotësimin e dokumentacionit hartografik nga qytetarët. Gjithashtu qarqet e tjera ku përfshin Tirana, Dibra dhe Elbasani ekspozojnë plot problematika të tjera. Agjencia e Trajtimit të Pronës referon se, ZVRPP në Tiranë përcjellin fragmente të dokumentacionit dhe hartave pa vulën lidhëse. Ndërsa të gjitha qarqet i sjellin vërtetimet për përfitimin nga ligji 7501 nga hipotekat pa informacionin e duhur sidomos sa i përket vendndodhjes së pronës, e cila do të shërbejë për zbatimin e ligjit 33/2015 në lidhje me zbritjen e vlerës së përfituar. Ndërsa në qarqet Durrës, Berat dhe Korçë bashkëpronarët në një pronarë e kanë të vështirë ta vërtetojnë pronësinë me dokumentacion. Gjatë procesit të shqyrtimit të kërkesave janë evidentuar problematika të shpeshta gjatë trajtimit të ankesave për njohje pronësie.