Shqiptarët paguajnë energjinë më shtrenjtë se BE, sipas fuqisë blerëse

555
Sigal

Shqiptarët e paguajnë çmimin e energjisë më shtrenjtë se vendet e zhvilluara të BE-së, llogaritur sipas fuqisë blerëse

Çmimi që familjet shqiptare paguajnë për 100 kWh energji të shpenzuar është rreth 1.140 lekë. Ky çmim në raport me shumë shtete të zhvilluara të Evropës është më i ulët, por po t’i referohemi fuqisë blerëse rezulton se shqiptarëve u duhet një pjesë më e madhe e buxhetit familjar për të paguar shpenzimet, ndaj ata e paguajnë energjinë elektrike më shtrenjtë se vende si Franca, Holanda, Suedia, Austria, Britania e Madhe etj. Më e shtrenjtë, sipas fuqisë blerëse, energjia është në Turqi, Gjermani dhe Portugali. Duke mos llogaritur fuqinë blerëse, çmimi e energjisë në Shqipëri është i pesti më i lirë në Evropë, (9.1 euro për 100 MW) pas Kosovës (6.4 euro), Serbisë (7.1 euro), Maqedonisë së Veriut (7.9 euro), Turqisë (8.6 euro). Sipas Eurostat, në vendet e BE-së, çmimet mesatare të energjisë elektrike në gjysmën e dytë të vitit 2018 ishin më të ulëtat në Bullgari (10.1 euro për 100 kWh), Lituani (11.0 euro) dhe Hungari (11.2 euro) dhe më e larta në Danimarkë (31.2 euro), Gjermani (30.0 euro ) dhe Belgjikë (29.4 euro). Çmimi mesatar i energjisë elektrike në BE ishte 21.1 euro për 100 kWh. Shprehur në standardet e fuqisë blerëse (PPS), një referencë e përbashkët që eliminon nivelet e përgjithshme të çmimeve midis vendeve, mund të shihet që çmimet më të ulëta të energjisë elektrike shtëpiake janë në Finlandë (13.7 PPS për 100 kWh) dhe Luksemburg (13.8) Holandë (15.2), Maltë (15.7), Francë (16.4), Suedi (16.5) dhe Lituani (17.3). Çmimet më të larta të shprehura në PPS u regjistruan në Portugali (28.2), Gjermani (28.0), Spanjë (27.4), Belgjikë (26.6), Rumani (26.3), Qipro (24.5) dhe Poloni (24.3).