Shqipërisë i mungon 60% e infrastrukturës, më keq se çdo vend tjetër i Evropës

491
Sigal

Infrastruktura publike në vendin tonë e rendit Shqipërinë në fund të shteteve evropiane për sa i përket investimeve në këtë sektor. Sipas indekseve globale që masin këtë tregues, Shqipërisë i mungon gati 60% e infrastrukturës, duke pasur një hendek tepër të lartë dhe serioz me shtetet e tjera dhe duke qenë vendi me nevojat më të larta për investime në këtë sektor. Qeveria shqiptare, në kundërpërgjigje të këtyre rezultateve ka si synim rritjen e investimeve kapitale në rreth 5% të PBB-së në vit në këtë sektor, dhe gjithashtu po mendon ngritjen e një banke zhvillimi. Fondi Monetar Ndërkombëtar ka vërejtur se vlerësimi dhe përzgjedhja e projekteve të investimeve vazhdon të jetë e fragmentuar në varësi të burimit të financimit të projektit. Ekspertët e FMN-së i kanë rekomanduar Qeverisë Shqiptare të konsolidojë proceset e vendimmarrjes dhe forcimin e investimeve publike. FMN referoi se qeveria është duke marrë parasysh krijimin e një banke zhvillimi që do të mbështeste investimet publike duke përdorur asetet publike. Në këtë lëvizje, FMN këshillon autoritetet që të marrin parasysh përvojën ndërkombëtare me rreziqet që lidhen me të tilla subjekte, duke përfshirë rreziqet fiskale, financiare dhe qeverisëse.

BERZH: Shqipëria duhet të investojë çdo vit 1.2 miliardë euro për të ulur hendekun me vendet e zhvilluara

Në raportin e fundit të tranzicionit, BERZH vëren se për periudhën 2018-2022, Shqipëria duhet të investojë çdo vit 1.2 miliardë euro ose rreth 11% të prodhimit kombëtar në projekte publike për të mbyllur hendekun që ka me vendet e zhvilluara. BERZH përllogarit se Shqipëria ka nevojë për 6 miliardë euro investime në pesë vitet e ardhshme për të ndërtuar një infrastrukturë si ajo e vendeve të zhvilluara. Rreth 40% ose 450 milionë euro në vit nevojiten në ndërtimin e rrugëve, ndërsa pjesa e mbetur duhet të shkojnë si investime për ujësjellësit dhe sektorin e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit.