Shqipërinë pritet ta vizitojnë 6.6 milionë turistë deri në 2028-n

536
Sigal

Këshilli Botëror i Turizmit: Gjatë 2019-s në vend do të vijnë 5.7 milionë vizitorë

Shqipëria është kthyer gjatë viteve të fundit në një destinacion të preferuar nga të huaj, të cilët gjithnjë e më shumë po zgjedhin vendin tonë për të kaluar pushimet. Instituti i Statistikave bëri të ditur më herët gjatë vitit të kaluar se në periudhën janar–gusht 2018, hyrjet e shtetasve të huaj, për qëllime pushime u rrit me 24,7 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës. Megjithatë pritet që gjatë këtij viti shifrat të rriten sërish. I këtij mendimi është Këshilli Botëror i Turizmit dhe Udhëtimit (WTTC), sipas së cilit, gjatë këtij viti Shqipërinë do ta vizitojnë 5.7 milionë vizitorë. Zhvillimi i sektorit të turizmit, rrjedhimisht pritet të japë një kontribut të rëndësishëm në ekonominë shqiptare, nëpërmjet punësimit, shtimit të konsumit, rritjes së aktivitetit për hotelet e restorantet. WTTC në raportin e tij për vitin 2019 vlerëson se “rritja kryesisht reflekton aktivitetin ekonomik të prodhuar nga industritë si hotelet, agjentët e udhëtimit, linjat ajrore dhe shërbimet e tjera të transportit të udhëtarëve. Por ajo gjithashtu përfshin, për shembull, aktivitetet e restoranteve dhe industritë e kohës së lirë të mbështetur drejtpërdrejt nga turistët.” Gjithashtu, sipas këshillit të turizmit, kontributi i turizmit dhe udhëtimeve në prodhimin e brendshëm bruto të Shqipërisë pritet që të jetë 27.3% për vitin 2019, me rritje 5.2 % nga viti 2018.

Brenda 2028-s, Shqipërinë pritet ta vizitojnë 6.6 milionë turistë

Këshilli Botëror i Turizmit dhe Udhëtimit, raportoi se falë trendit rritës që po pëson sektori i turizmit në Shqipëri, vendin priten ta vizitojnë rreth 6.6 milionë turistë, deri në vitin 2028. Kontributi i drejtpërdrejtë i turizmit në Prodhimin e Brendshëm Bruto pritet të rritet me 4.7%, duke arritur në 9.3% të PBB-së deri në vitin 2028.

Ndikimi në punësim

Një prej sektorëve më përfitues nga zhvillimi i turizmit në vend është padyshim punësimi. Shtimi i turistëve të huaj në vend, lind nevojën për burime të reja njerëzore për shërbimin në hotele, resorte, bare e restorante. Sipas WTTC, Në vitin 2018 turizmi mbështeti në mënyrë direkte hapjen e 286 mijë vende pune. Kjo pritet të arrijë në mbi 300 mijë vende punë në 2019 dhe rritje me 1.4% në 111.000 vende pune në vitin 2028.