Shqipëria jo më e monitoruar për pastrim parash e financim terrorizmi

640
Sigal

TIRANE – Shqipëria nuk është më në listën e vendeve nën monitorim për pastrim parash apo financim të grupeve terroriste. Lajmi është bërë i ditur nga Ministria e Financave bazuar në përfundimin e raportit të grupit Onsite Team të ICRG.

Sipas Ministrisë së Fiancave, raporti, i cili është diskutuar dhe miratuar në seancën e rradhës të ICRG në Paris, në datat 24-25 shkurt, ka dalë në përfundimin se Shqipëria ka plotësuar të gjitha mangësitë e raportuara në vite nga FATF (Financial Action Task Force), që monitoron zbatimin e masave kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit në botë.

Shtetet anëtare të këtij grupi kanë vlerësuar përpjekjet e bëra nga Shqipëria në këtë drejtim.

Ministria thekson se sipas raportit, Shqipëria ka adresuar artikujt në planin e veprimit dhe se “zbatimi ka filluar dhe është duke u mbështetur nga qeveria”, përfaqësuesit e së cilës, sipas të njëjtit burim, “treguan një angazhim të fortë për detyrat e tyre në sektorin ligjor dhe financiar, duke reflektuar njohuri të thella dhe vetëdije të fortë në zbatim të detyrave të lëna”.

Vlerësimi është dhënë nga Guida Ndërkombëtare e Riskut të Shteteve dhe FATF, Task Forca për Aksionin Financiar, që janë të dyja organizata botërore të cilat bëjnë analizën e shteteve në këtë drejtim.

Me marrjen e këtij vendimi, Shqipëria nuk do të bëjë më pjesë në grupin e vendeve që janë nën monitorim të vazhdueshëm për pastrim parash dhe financim terrorizmi.
Sipas Ministrisë së Financave ky rezultat është rrjedhim logjik i reformave të ndërmarra gjatë dy viteve të fundit, reforma, të cilat tashmë kanë bërë që Shqipëria të ketë imazh pozitiv, jo vetëm në sytë e institucioneve ndërkombëtare, por edhe në sytë e investitorëve të huaj.

“Angazhimi i fortë i Qeverisë Shqiptare për të shënuar rezultatet e kërkuara në sektorin ligjor dhe financiar, e ka bërë vendin më të besueshëm, që do të thotë më tepër investime vendase dhe të huaja, ritme më të larta në treguesit e rritjes ekonomike dhe të punësimit.” nënvizon Ministria e Financave