Shqipëria dhe Çekia thellojnë bashkëpunimin ekonomik

615
Për dy ditë më radhë ekspertët e të dy palëve diskutuan në detaje mundësitë zgjerimit të bashkëpunimit mes dy vendeve, duke u fokusuar në fushat e bashkëpunimit ekonomik, tregtisë, investimeve, financës dhe turizmit; transport, infrastrukturë, energji dhe industri, bujqësi, mjedis dhe zhvillimin urban. Gjithashtu u zhvillua dhe një tryezë e rrumbullakët me përfaqësuesit e grupeve të kompanive çeke të interesuara për të bashkëpunuar me bizneset shqiptare, me temë: “Mundësi për investime dhe tregti në Shqipëri”. Paskali dhe anëtarë të tjerë të delegacionit bënë prezantim të detajuar të mundësive që ofron Shqipëria për të bërë biznes, fushat prioritare për investime, si dhe iu përgjigjën pyetjeve dhe interesit të shfaqur nga përfaqësuesit e biznesit çek. Ambasada shqiptare në Pragë, me kontributin e saj, ka ndikuar në koordinimin më të mirë dhe përshpejtimin e shkëmbimit të informacionit mes MPJ dhe ministrive të linjës dhe Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë në Republikës Çeke. 
Grupe të përbashkëta bashkëpunimi
Në Protokoll ritheksohet rëndësia e Grupeve të Përbashkëta të Punës për zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare, që lehtëson dialogun dhe forcon bashkëpunimin në një gamë të gjerë me interes të përbashkët. Të dy palët riafirmuan angazhimin për të intensifikuar bashkëpunimin në të gjitha fushat e ekonomisë në interesin më të mirë të dy vendeve, sidomos në nxitjen e bashkëpunimit ekonomik dhe investimet e përbashkëta direkte, konkretizuar projektet e përbashkëta në fushat e energjisë, minierave, infrastrukturës hekurudhore, menaxhimit të ujrave, bujqësisë dhe industrisë ushqimore, fusha në të cilat përvoja ceke është domethënëse. U diskutua për nivelin aktual të shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve, mundësitë e bashkëpunimit në sektorët e industrisë, transportit, turizmit, energjisë si dhe në fushën e politikave fiskale dhe doganave. U vlerësua se niveli aktual i shkëmbimeve tregtare është shumë më i ulët se se potencialet ekzistuese në të dy vendet, u theksua nevoja për të forcuar marrëdhëniet në shkëmbimet tregtare dhe diversifikimin e shkëmbimeve tregtare. Në këtë kontekst do të punohet për të inkurajuar Dhomat e Tregtisë për të forcuar bashkëpunimin mes tyre dhe nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi. Të dy palët konsideruan sigurinë e energjisë si një çështje të rëndësishme me prioritet të lartë, ku vendet e BE duhet të kontribuojnë, pasi Shqipëria, si një vend transit, ku do të kalojnë gazjellësit TAP dhe JAP në ardhmen mund të kontribuojë në sigurinë europiane të energjisë dhe në saj të kapaciteteve të HEC-ve të instaluara në vend, mund të shërbejë si një faktor balancues në rajon.
Çekia ofron mbështetjen e saj në fazën e gazifikimit të vendit
Palët ranë dakord për bashkëpunim të ngushtë në transportin publik. Pala çeke rishprehu interes për zhvillimin në të ardhmen të hekurudhave shqiptare. Bashkëpunimi në fushën e turizmit zë një vend të rëndësishëm në Protokoll, si një fushë me perspektivë domethënëse për të ndërtuar marrëdhënie miqësore afatgjata mes dy vendeve. Në këtë kontekst të dy palët vlerësuan marrëveshjen e bashkëpunimit në fushën e turizmit që pritet të nënshkruhet së shpejti dhe theksuan se do të punojnë për të inkurajuar më tej bizneset në fushën e turizmit. Sesioni i katër Grupeve të Përbashkëta të Punës për “Bashkëpunimin Ekonomik Shqipëri-Çeki” u zhvillua në një atmosferë miqësore, që reflekton dëshirën e të dy palëve për të gjetur mjetet dhe mënyrat e realizueshme që mund të ndihmojnë në zgjerimin e bashkëpunimit në përputhje me potencialet respektive të dy vendeve.
Sigal