Shqipëria “bie” në depresion, më shumë se gjysma e të rriturve të prekur nga sëmundja

655
Sigal

Sipas anketimit të INSTAT dhe ISHP, 60 – 70 e shqiptarëve kanë vuajtur depresionin

Faktorët ndikues: Ekonomia, arsimimi, mosha dhe vendbanimi

Kushtet e vështira sociale dhe ekonomike, mungesa e shpresës dhe mosgjetja e një perspektive janë disa nga problemet kryesore me të cilat haset populli shqiptar në kohët e sotme. Të gjitha këto vështirësi kanë ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në shëndetin fizik e mendor të qytetarëve të vendit tonë. Instituti i Statistikave në bashkëpunim me Institutin e Shëndetit Publik, kanë realizuar një anketim në lidhje me depresionin dhe ndikimin e tij në shoqëri. Sipas rezultateve të anketës, në Shqipëri, rreth 60-70% kanë vuajtur nga depresioni në një moment të jetës së tyre. Në nivel global, përqindja e individëve që vuajnë nga depresioni është 4.4%, por ka variacion në bazë të gjinisë dhe moshës, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Në anketën e INSTAT dhe ISHP, 57% e burrave të anketuar deklaruan se kanë kaluar një përvojë depresioni gjatë dy javëve para anketimit.

Në përgjithësi, prevalenca e depresionit ka tendencë të jetë më e lartë tek femrat në moshë. Ekspertët e Shëndetit Publik pohojnë se diagnostikimi i depresionit si një çrregullim mendor kërkon shqyrtim të përpiktë profesional. Ekspertët kanë vënë re se çrregullimi i depresionit është nënraportuar për shkak të ngurimit të personave për ta pranuar këtë gjendje. Për shkak të këtij kufizimi, rezultatet e anketës 2018 nuk përfaqësojnë matje të saktë të prevalencës së depresionit në Shqipëri, por vetëm një vlerësim të përqindjes së njerëzve që raportojnë se janë ndier në depresion në kohën e intervistës. Për të siguruar një tjetër tregues më të veçantë të depresionit, të anketuarit u pyetën nëse ata janë diagnostikuar nga një mjek. Kur u pyetën nëse kishin kryer vizitë te një mjek profesionist për depresion, 2% e grave dhe 4% e burrave u përgjigjën pozitivisht. 31% e grave dhe 43% e burrave thanë se nuk kanë përjetuar depresion dy javë para studimit, por nuk e përjashtuan të kaluarën.

Të dhënat e anketës

Të dhënat e gjetura nga anketa në raport me diagnozat tregojnë se depresioni është një sëmundje e nëndiagnostikuar në vendin tonë. Për të dyja gjinitë, depresioni rritet me moshën dhe është më i lartë në zonat rurale dhe më i ulët në kategorinë e personave me arsim të lartë. Rreth 22% e grave me arsim 8-vjeçar ndiheshin shumë në depresion dhe 9% e tyre janë diagnostikuar me depresion, teksa ndër ato me arsim universitar, këto përmasa ishin shumë më të ulëta. Gjendja ekonomike është një faktor themelor që çon në depresion. 14% e grave në rangun më të ulët të pasurisë kanë përjetuar depresion për shumë kohë dhe 4% kanë raportuar se janë në depresion gjithë kohës edhe gjatë periudhës së sondazhit. Në mesin e grave në kategorinë më të lartë të pasurisë, prevalenca e depresionit është më e ulët. Një tregues i depresionit është dhe rritja e konsumit të barnave qetësuese si: Xanax, Loran, Citolex etj.