Shqetësimet e Biznesit ndaj Doganës: Nga çmimet referencë deri te deklarimi i rentës minerare

766
Sigal

Gjatë takimit të organizuar ditën e djeshme nga Dhoma Amerikane e Tregtisë dhe Drejtorisë së Doganave, aktiviteti u fokusua në çështje si çmimet e referencës dhe procedurat doganore, problematika të zbatimit të procedurave doganore, procedurat e ankimimit të vendimeve pranë autoriteteve doganore. Alketa Uruçi, kreu i Komitetit të Taksave dhe Doganave, delegoi shqetësimet e bizneseve. Sipas saj, problematika qëndron tek aplikimi i çmimeve të referencës. “Ka tendencë për përmirësim nga ana e autoriteteve, por mbetet problem”- theksoi znj. Uruçi. Më pas, znj. Uruçi renditi të gjithë shqetësimet që bizneset kanë nga marrëdhënia me autoritetet doganore:

  1. Implementimi i gabuar i sistemit doganor. Ka ende inspektorë që i anashkalojnë të gjithë procedurat dhe shkojnë direkt te çmimet referencë.

 

  1. Për shkak të kontrolleve të KLSH, anëtarët kanë pasur pretendimeve për rivlerësime, duke qenë se konstatuan shkelje. Kjo shkakton kosto burokratike dhe njerëzore për rivlerësime të tjera. Pra vlerësimet që bëjnë agjentët në momentin e zhdoganimit. Barrën e provës Dogana ia kalon biznesit për t’i thënë për rivlerësime për pretendimin e KLSH. Dogana duhet të ketë dosje pse ka pranuar një mall doganor me x zhdoganim, s’duhet t’ia kalojë biznesit këtë gjë.

 

  1. Procedurat doganore. Trajtimi i skontove apo rritjes së vlerës pas zhdoganimit. Dogana të ketë udhëzues të qartë për këtë gjë. S’duhet t’i mbetet si zgjidhje individuale e inspektorëve. Shfaq problematikë edhe më pas për TVSH për atë mall.

 

  1. Rivlerësimi i deklaratës për një gabim. Mungon procedura e unifikuar. Çfarë justifikohet dhe kur është detyrim të bëhet rivlerësimi. Duhet të jetë si deklarata për herë të parë. Por duhet të jetë e qartë.

 

  1. Origjina e mallrave e deklaruar në mënyrë të gabuar. Penalitetet që duhen paguar janë problem, nuk duhet t’i paguajë bizneset, e ka lëshuar gabim një autoritet tjetër.

 

  1. Ankimimi i vendimeve ligjore: Dogana s’ka drejtori apelimi doganor. Ka mangësi në shqyrtimin e dokumentacionit. Këtë çështje duhet ta zgjidhë qeveria, por Dogana duhet ta kërkojë.

 

  1. Regjimi i përkohshëm: s’ka dispozita ligjore cili është rasti i justifikuar për këtë kërkesë.

 

  1. Deklarimi i rentës minerare ende ka problematika në kohë dhe procedurë.

E pranishme në takim, drejtoresha e Doganave znj. Belinda Ikonomi, pasi bëri një përmbledhje të vitit të shkoi, theksoi edhe synimet e këtij viti nga ky institucion.

“Prioritet i qeverisë shqiptare është krijimi i një klime të favorshme për biznesin, të cilin e konsideron motor të zhvillimit ekonomik të vendit dhe padyshim, roli i doganës shqiptare është mjaft i rëndësishëm dhe kyç në këtë klimë.

Çfarë kemi bërë ne si administratë vitin që shkoi dhe cilat janë sfidat që kemi përpara? Një ndër objektivat tanë më të rëndësishëm është përmirësimi i shërbimit për qytetarët dhe biznesin. Në këtë aspekt, kemi punuar intensivisht në drejtim të shërbimeve të shpejta për të gjitha autorizimet që administrata doganore ofron në përputhje me ligjin. Kemi ngritur pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe nëpër Degët Doganore Pikat Informuese për Qytetarët/Bizneset (Info Point).

Në kuadër të derregullimit, objektivi ynë gjatë këtij viti është në përfshirjen e pjesës më të madhe të autorizimeve në Platformën E-Albania, duke ndryshuar tërësisht rikonceptimin e ndërveprimit aktual për shërbimet, ku elementi kryesor është jo vetëm aplikimi online nga ana e subjektit, por dhe vendimmarrja totalisht në mënyrë elektronike nga administrata doganore, pra që dhe autorizimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave apo Degëve Doganore të jetë i nënshtruar elektronikisht.”- tha znj. Ikonomi.

Nga ana tjetër, drejtoresha e Doganave theksoi se sfidë mbetet implementimi i një Dogane pa letër, jo vetëm për shkresat ndërmjet strukturave tona, por ndërmjet Biznesit dhe doganës për procedura dhe vendime transparente dhe në një kohë sa më të shkurtër.
Kreu i Doganave përmendi edhe ndryshimin e mënyrës së vlerësimit të deklaratave doganore nëpërmjet një sistemi qendror. “Ky sistem i aplikuar vitin që lamë pas ka ndikuar drejtpërsëdrejti në shkëputjen e kontakteve të doganierëve vlerësues me subjektet, duke shmangur familjarizimin e tyre, duke shmangur ndikimet në vlerësimin e praktikave, si dhe duke ndikuar në unifikimin e rivlerësimit për rastet kur refuzohet transaksioni. Gjithashtu një element shumë i rëndësishëm është pikërisht ndarja e vlerësimit dhe kryerja e tij vetëm pas ushtrimit të kontrollit të mallit, që aktualisht funksionon pranë Degëve Doganore, duke krijuar një ndarje të qartë të përgjegjësive lidhur me deklaratën doganore. Kjo qasje e re u shoqërua dhe me rikonceptimin e të gjithë procedurave të vlerësimit, ku një element kyç është procedura e ndjekur nga ana e doganierit vlerësues e cila është në çdo moment e gjurmueshme, një element mjaft i rëndësishëm për administratën doganore dhe Ju.”- tha znj. Ikonomi.

Objektivi i Doganave gjatë këtij viti, sipas kreut të saj, është standardizimi i proceseve të vlerësimit më tej duke rritur cilësinë e analizës dhe argumenteve në vlerësim. Znj. Ikonomi përmendi edhe çështje të tjera që kanë shkaktuar shqetësim nga biznesit, si aplikimi i çmimeve referuese nga ana e administratës doganore. “Dua të ndaj me ju vetëm disa shifra që tregojnë qartë qasjen e qeverisë ndaj biznesit për frymën e bashkëpunimit, duke besuar te njëri-tjetri por pa dyshim duke ushtruar kompetencat dhe ngritur sistemet e kontrollit dhe monitorimit për të shmangur abuzimet e mundshme. Kështu, nëse në vitin 2013, përqindja e artikujve që rivlerësoheshin me çmime referuese nga administrata doganore ishte në masën 19.07 % e numrit total të artikujve, kjo shifër në vitin 2018 është reduktuar në 11.38 % e totalit të artikujve të zhdoganuar. Po të eliminojmë këtu artikujt që vlerësohen me bursë dhe zhdoganimet e makinave të përdorura, këto shifra janë nga 15.51% në vitin 2013 në vetëm 5.49 % të artikujve” – tha znj. Ikonomi./Monitor