Shoqata Shqiptare e Bankave dhe Shoqata e Bankave të Malit të Zi nënshkruajnë Memorandumin për partneritet dhe bashkëpunim

Të mërkurën më 30 dhjetor 2016, përfaqësuesit e Shoqatës Shqiptare të Bankave (AAB) dhe të Shoqatës së Bankave të Malit të Zi (AMB) zhvilluan një takim për të nënshkruar Memorandumin për partneritet dhe bashkëpunim. Z. Spiro Brumbulli, Sekretari i Përgjithshëm i AAB dhe Z. Mirko Radonjić, Sekretari i Përgjithshëm i AMB, u takuan në mjediset e AAB-së për këtë moment të rëndësishëm. Ky Memorandum përcakton kornizën për bashkëpunim në të ardhmen në mes të dy shoqatave të vendeve përkatëse, në mënyrë që të krijohen kushte të favorshme për zhvillimin e sektorit bankar në Mal të Zi dhe Shqipëri.

Në fjalën e tij përshëndetëse, z Brumbulli shprehu kënaqësinë e tij për organizimin e ceremonisë së nënshkrimit të këtij Memorandumi, i cili synon në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy organizatave. Në këtë kontekst, AAB është e angazhuar për të konkretizuar shkëmbimin e përvojës dhe ekspertizës për zbatimit e objektivave kryesore të këtij bashkëpunimit.

Z. Radonjić shtoi se ai shpreson se të dy institucionet do të përfitojnë reciprokisht nga memorandumi i nënshkruar, pasi do të jetë hapi i parë drejt arritjes së qëllimeve të përbashkëta në fushën e edukimit financiar, trajnime dhe projekte të tjera.

Gjatë takimit u theksua rëndësia e bashkëpunimit në kuadrin shumëpalësh rajonal. Kjo marrëveshje do të mundësojë kontributin e përbashkët në përmirësimin e imazhit të sektorit bankar dhe rritjen e besimit të publikut në të, si dhe shkëmbimin e përvojës profesionale. Gjithashtu një nga objektivat kryesore të memorandumit është të analizojë legjislacionin bankar duke synuar përmirësimin e tij në përputhje me standardet ndërkombëtare.