Shoqata Italiane e Forcave Vullnetare Zjarrfikëse nderon Luan Muhametaj

1056

Gazeta Telegraf/


Klik Ekspo Group
nderon me çmimin “Shqiponja e Artë” personalitetet që kanë kontribuan
për biznesin në Shqipëri

 

SHOQATA ITALIANE
E FORCAVE VULLNETARE ZJARRFIKËSE i njeh Z. Luan Muhametaj, President i Klik
Ekspo Group, Medaljen e Mirënjohjes me motivacionin: “Në shenjë
mirënjohjeje për meritat e përvetësuara përmes veprimtarisë solidarizuese në
favor të Vullnetarizmit, duke u kthyer në frymëzim për Komunitetin që
përfaqëson”.

 

Është kthyer në
traditë tashmë që Klik Ekspo Group, eventi më i rëndësishëm i vitit për sa i
përket tregtisë dhe biznesit në Shqipëri, të celebrohet me një mbrëmje festive
në Pallatin e Brigadave. Eventi nisi me performancën artistike dhe të
jashtëzakonshme të trupës së Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve
Popullore, ku dhjetëra artistë sollën në prani të të gjithë përfaqësuesve të
rajonit dhe botës në panair, pasurinë më të madhe dhe një shekullore të
folklorit tonë.

Gjatë kësaj mbrëmjeje
gala SHOQATA ITALIANE E FORCAVE VULLNETARE ZJARRFIKËSE i jep Z. Luan Muhametaj,
President i Klik Ekspo Group, Medaljen e Mirënjohjes me motivacionin: “Në
shenjë mirënjohjeje për meritat e përvetësuara permes veprimtarisë
solidarizuese në favor të Vullnetarizmit, duke u kthyer në frymëzim për
Komunitetin që përfaqëson”.

Nën kujdesin e
vetë Presidentit z. Luan Muhametaj, celebrimi që përkoi edhe me krijimin e
dhomës së përbashkët të tregtisë Shqipëri-Serbi, vazhdoi me traditën e saj më
të mirë, ndarjen e çmimit  “Shqiponja e
Artë”, që i shkon kryesisht të gjithë personaliteteve që kanë kontribuar në
ndryshimet progresiste të klimës së biznesit dhe tregtisë në vendin tonë.

Në krye të kësaj
liste, Presidenti Muhametaj nderoi personalisht z. Sokol Dervishaj, Ministër i
Transportit dhe Infrastrukturës, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e
veçantë të nismave vizionare e reformuese në gjallërimin e potencialit
infrastrukturor në bashkëveprim me sipërmarrjet private të vendit.

Ministri duke falënderuar
për vlerësimin e veçantë, u shpreh se krahas angazhimit të tij të plotë për t’i
dhënë frymë zhvillimit të biznesit në Shqipëri, vlerësoi se ka ende nevojë për
më shumë punë për të forcuar, avancuar dhe zhvilluar biznesin shqiptarë.

Ndër të tjera z.
Dervishaj krejt modestisht vlerësoi se: “Personalisht besoj se nuk e meritoj
kaq shumë nderin dhe vlerësimin që ju bëni, sepse me gjithë detyrën e
rëndësishme dhe përkushtimin ndaj saj, nuk ndjej se kemi bërë aq sa duhet dhe
aq sa mundemi, për të zhvilluar, avancuar dhe për të forcuar biznesin
shqiptarë. Ajo që ju bëni gjatë këtij panairi, me gjithë këta miq dhe
përfaqësues të vendeve të botës, që kanë ardhur në Shqipëri për të treguar
kapacitetet dhe potencialet e tyre, është një punë shumë më e madhe nga ajo që
bëjmë ne. Vërtetë duhet të marrim shembull nga ju.”

Më pas ministri
Dervishaj theksoi se biznesi shqiptar e ka të gjithë vëmendjen e institucionit
që ai drejton, duke vlerësuar ndër të tjera se, kompanitë vendase duhet të
bëjnë më shumë për të rritur bashkëpunimin me njëri tjetrin, që një ditë të
qëndrojnë krahë gjigandëve të tregtisë botërore.

“Diplomacia
ekonomike, shkëmbimet, rritja e nivelit të investimeve dhe bashkëpunimit mes
biznesit shqiptar brenda për brenda, por edhe e biznesit shqiptarë rajonal edhe
më gjerë, është element shumë i rëndësishëm që ne të gjithë duhet ta kemi në
vëmendje në punën që bëjmë. Në këtë ekonomi globale, praktikisht vend si ky i
yni, vend i vogël, sikurse janë të gjithë vendet e rajonit tonë, në momentin e
ndryshimeve të jashtëzakonshme të aspekteve ekonomike, të shkëmbimeve dhe
volumit të punëve, janë shumë të vegjël për të konkurruar të vetëm apo me njëri
tjetrin. Ajo që bëjmë ne këtu duke rritur dhe duke forcuar bashkëpunimin me njëri
tjetrin na krijon një panoramë më të gjerë e asaj që ne duhet të bëjmë. Duhet
të punojmë së bashku, duhet të investojmë së bashku, duhet të shkëmbejmë së bashku,
jo thjesht për të njohur më mirë njëri tjetrin, por për të ecur përpara të
gjithë së bashku krahë njëri tjetrit. Në këtë botë kaq të madhe mes sfidave kaq
të shumta ajo që e bënë diferencën është mënyra sesi e shikojmë dhe e
planifikojmë në mënyrë vizionare të ardhmen tonë. Kështu që, ajo që bëjmë sot
dhe keni bërë gjatë gjithë këtyre viteve, padyshim që ka qenë një kontribut
shumë i rëndësishëm për të ecur përpara.”, përfundoi ministri.

Në shenjë
mirënjohje, iu akordua çmimi “Shqiponja e Artë” dhe z. Kadri Morina, President
i “Eurosig”, me motivacionin si nismëtar, largpamës dhe i guximshëm i sipërmarrjes
së lirë shqiptare prej vitit ‘91. Presidenti Morina e vlerësoi jashtëzakonisht
çmimin e dhënë nga Klik Ekspo Group, si një ndër kompanitë pioniere të
industrisë së panaireve në vend.

Klik Ekspo Group
nderoi me medaljen Shqiponja e Artë z. Zef Bushati, dr. Honoris Kauza në
shkencat politike, për karrierën e pasur shumë dimensionale në art, politikë,
jetë sociale dhe përhapjen e kulturës dhe vlerave të qytetërimit kristian.
Profesor Bushati i shkëputur prej vitesh nga profesioni i tij si aktor dhe regjisor,
duke iu përkushtuar më pas jetës politike, ia dedikoi çmimin artistëve te
vendit, të cilët sipas tij nuk e kanë të lehtë rrugën e tyre në profesion. Një
moment i veçantë ka qenë kur shefi i këshillit nacional të zjarrfikësve të
Italisë, nderoi me medaljen më të lartë që akordon shoqëria e zjarrfikësve, z.
Luan Muhametaj për kontributin dhe meritat për veprat e solidaritetit në favor
të vullnetarizmit, duke u kthyer në një pikë referimi për komunitetin q
ë përfaqëson.  Surprizë ishte medalje “Shqiponja e Artë”, që
iu akordua në shenjë mirënjohje Miryoub Aleksic, nënkryetar i dhomës së
tregtisë serbe. Aleksic u shpreh, se medalja përkon me zyrtarizimin e
bashkëpunimit të dhomës tregtare Shqipëri-Serbi. “Nga sot, kompanitë e vendeve
tona mund të tregtojnë dhe bashkëpunojnë për të ardhmen e bizneseve dhe
marrëdhënies tregtare midis dy vendeve”, u shpreh Aleksiç.

 

Rreth Klik Ekspo
Group, panairit më të madh të biznesit në Shqipëri

“Klik Ekspo
Group”, ta njohësh do të thotë ta çmosh. Përgjatë dy dekadave Klik Ekspo Group
është kthyer në një rrymë të re standardesh dhe nevojash të diktuara nga “UVI”
(Organizata botërore e ekspozitave dhe panaireve ndërkombëtare), ku Shqipëria
përfaqësohet vetëm dhe fal këtij panairi, përkrahë 600 vendeve anëtare dhe 85
shteteve të botës. Manifestimi që identifikon më mirë lidershipin e “Klik Ekspo
Group” është panairi ndërkombëtarë i Tiranës, i njohur tashmë si monumenti i
mbrojtur i këmbimit të marrëdhënieve dhe kulturave ndërkombëtare, i konceptuar
si i vetmi kontribuues real i diplomacisë ekonomike.