Shoqata e Siguruesve: Po shtohen aksidentet me shkaktarë të paidentifikuar, institucionet mbrojnë autorët

574
Sigal

Shoqata e Siguruesve në vendin tonë ka lëshuar një deklaratë ku shpreh shqetësimin për shtimin e numrit të aksidenteve në Shqipëri dhe mos zbardhjen e autorëve të ngjarjeve. Sipas kësaj shoqate kohët e fundit vërehet një rritje në përmasa të mëdha e të paprecedentë të aksidenteve automobilistike me shkaktarë të paidentifikuar, me pasojë vdekjen dhe dëmtimin e rëndë shëndetësor të personave në këto ngjarje. “Duke analizuar të dhënat statistikore rezulton se gjatë periudhës nga vitit 2010 e deri më sot janë konstatuar 309 raste të tilla, ndërkohë që duke filluar nga viti 2013 shifra mesatare vjetore luhatet në kufijtë 45 deri 50 raste. Fillimi i këtij viti është akoma edhe më alarmant – 8 raste vetëm për muajin Janar 2019. Rritja e numrit të aksidenteve me shkaktarë të paidentifikuar është një nga faktorët kryesorë të akumulimit të detyrimeve të Byrosë Shqiptare të Sigurimeve ndaj qytetarëve shqiptarë e të huaj, shlyerja e të cilave rëndon padrejtësisht situatën e Fondit të Kompensimit dhe bilancet financiare të shoqërive të sigurimit, si anëtare të Byrosë Shqiptare të Sigurimeve. Tregu i sigurimeve ndjehet ekstremisht i shqetësuar për këtë fenomen, pasi në shumicën e rasteve kemi të bëjmë me inskenime të ngjarjeve nga segmente të caktuar të ekspertëve rrugorë, të policisë, të gjykatave, prokurorisë, etj., dhe të nxitura nga interesa të kundraligjshme të disa avokatëve të kësaj fushe. Në mjaft raste, çështjet janë pezulluar nga Prokuroria dhe më pas flenë ndër vite në zyrat e Policisë së Shtetit për moszbulim të autorit të ngjarjes, duke mos u kryer asnjë veprim hetimor i mëtejshëm. Çdo veprim i kryer nga subjektet e mësipërme me dashje në shërbim të interesave të të tretëve është ligjërisht i dënueshëm dhe përbën vepër penale.”- thuhet në deklaratën e siguruesve. Deklarata e Shoqatës së Siguruesve mbyllet me një kërkesë për institucionet kompetente që të mos tolerojnë personat që fabrikojnë vepra të tilla penale. “Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë, në emër të shoqërive siguruese që ushtrojnë aktivitetin e sigurimit në Republikën e Shqipërisë dhe Byroja Shqiptare e Sigurimeve i bëjnë thirrje Policisë së Shtetit, gjykatave, Prokurorisë dhe Dhomës Kombëtare të Avokatisë që të trajtojnë me zero tolerancë çdo person apo institucion që është pjesë e fabrikimit të ngjarjeve të tilla, si edhe të marrin masa të menjëhershme lidhur me zbulimin e autorëve të këtyre veprave penale. Tregu i sigurimeve dhe Byroja Shqiptare e Sigurimeve është e gatshme të bashkëpunojë me strukturat përkatëse për parandalimin dhe denoncimin e këtyre rasteve abuzive që dëmtojnë rëndë imazhin e tregut të sigurimeve dhe financat e tij, si dhe krijojnë amulli në pagesën e dëmshpërblimeve ndaj qytetarëve të dëmtuar”.