Shoqata e Konsumatorit Shqiptar: Produktet klandestine që nuk duhet të blini, ju rrezikojnë shëndetin!

953
Sigal

Shoqata e Konsumatorit Shqiptar njofton konsumatorët që, të kenë kujdes nga disa produkte që tregtohen në mënyrë klandestine në tregun tonë. Shoqata bën thirrje për më shumë kujdes pas shqetësimeve të ardhura nga konsumatorët tanë dhe nga ata të huaj pasi disa produkte janë objekt i infeksionit dhe jo të sigurta sepse nuk përmbajnë certifikatë sigurie dhe bio-kodin (bar- kodin), pra tregtimi i tyre është klandestin. Në informacionin e dhënë nga kjo shoqatë thuhet se, “duhet t’ju këshillojmë për dy produkte që duken sikur nuk ju dëmtojnë, sikur nuk ju cenojnë, por në fakt janë konsum i përhershëm. Konsumatorë të nderuar nuk do të bëjmë ndërlidhjet e stërndërlidhjet e tyre nga ata që janë të pashpirt, por ju keni në dorë që t’i refuzoni dhe t’i braktisni ato produkte që ju dëmtojnë për një kohë të gjatë, kjo është një nga të drejtat tuaja të pamohueshme”. Dy produktet që nuk duhen blerë sipas Shoqatës së Konsumatorit për arsye se japin sëmundje të pakurueshme janë: Pambuk për pastrimin e veshëve dhe syzet që tregtohen në rrugë. Pambuku për pastrimin e veshëve (kunjat e veshur me pambuk që mund të jetë një shkop druri apo kauçuku) ku ky produkt nuk bën gjë tjetër, por sjell infeksionet dhe i përcjell ato nga veshi i jashtëm, të mesëm, deri tek veshi i brendshëm. Sëmundja përfundon me humbjen e dëgjimit. Braktiseni këtë lloj blerje e këtë praktikë, sepse kjo sëmundje kalon e bëhet kronike, pra me rrjedhje të veshëve, me erë të keqe e deri në shurdhim, pra humbje të dëgjimit. Në qoftë se ju do të përdorni këtë produkt me kokëfortësi atëherë ju do të konsumoni gjithë buxhetin, thjeshtë, për t’u kontrolluar tek doktori i veshëve. Mjeti i mirë është t’i pastroni veshët me pjesën e peshqirit, të pastër, të ruheni nga futja e ujit në vesh. Syzet që tregtohen në rrugë kanë të njëjtën përcjellje të sëmundjeve e deri në verbim të personit përdorues. Braktiseni këtë lloj blerjeje në rrugë dhe siguroni shëndetin tuaj. Të dyja këto sëmundje shoqërohen me çoroditje nervore e më gjerë. Lidhjet nga prodhuesi, tek i interesuari që tregton për të siguruar klientelë krijon bazën e errët e tregut të pashpirt në dëm të konsumatorëve. Përveç ankesave që kemi në Shoqatë, mbi shqetësimet që kanë dhënë këto dy produkte që thamë, duam t’ju vëmë në dijeni se nuk janë vetëm shqetësimet e konsumatorëve tanë, por dhe të shoqatave të jashtë vendit.