Shkëlqim CANI*/ Shteti i detyrohet 24,6 miliardë lekë biznesit

750
Sigal

Shkëlqim Cani flet në lidhje me raportin e auditimit të “Deloitte” mbi borxhin e fshehur

Ne erdhëm me një premtim: të qeverisim për shqiptarët. Thamë se modeli i vjetër i qeverisjes nuk ecte më. Nuk vazhdohej me qeveri që futej në borxh me të gjithë dhe nuk paguante. Ne bëmë një premtim: t’u themi shqiptarëve sa është borxhi real. Vetëm kështu mund të paguajmë. Ministria e Financave, në përmbushjen e një prej prioriteteve të saj në 100 ditë Qeverisje për  identifikimin e borxhit që buxheti i shtetit ka ndaj biznesit vendas dhe të huaj, si një nga iniciativat për të diagnostifikuar gjendjen e ekonomisë shqiptare, për gjetjen e rrugëve të zgjidhjes për t’i dhënë frymëmarrje asaj, si dhe për të ndërtuar një marrëdhënie të re partneriteti, bashkëpunimi, reciprociteti me ata që nesër do të jenë aktorët dhe udhërrëfyesit e saj, takohet sot me ju për të bërë publike rezultatin e raportit të Deloitte. Shumë na besuan në këtë ndërmarrje, na inkurajuan për transparencën dhe standardin e ri të përdorur. Shumë pak ishin skeptikë dhe dyshues. Ca të tjerë ishin mohues dhe keqdashës, se kjo transparencë nga një palë e tretë e pavarur do t’i hapte petët e byrekut, e një byreku të gatuar keq nga kuzhinierë qeveritarë të pangopur në prapësi. Opozita ka rastin të dëgjojë dhe të njihet me një nga ato shumë zullume që ka bërë dhe na ka lënë barrë. Në procesin e auditimit të borxhit të buxhetit të shtetit, shoqëria “Deloitte”, me ndihmën e Ministrisë së Financave, si dhe të gjithë ministrive të linjës, identifikuan inventarin e gjithë borxhit që këto të fundit kishin ndaj biznesit deri më datën 31 gusht 2013, i cili u konfirmua dhe u rakordua edhe nga 150 bizneset që kishin detyrimet më të mëdha dhe që përbënin 78.2% të borxhit total të identifikuar. Duke qenë një kampion me shtrirje kaq të madhe, ne besojmë se shifrat e gjeneruara nga ky ushtrim janë shumë përfaqësuese. Me 50 obligimet më të mëdha, të cilat përbënin 57.6% të totalit të identifikuar të borxhit në këtë ushtrim, u kërkua informacion i detajuar mbi kopjet e kontratave dhe gjithçka lidhur me historikun e pagesave të tyre. Një burim tjetër i të dhënave, i cili u kryqëzua me informacionet e mbledhura nga ministritë, ishte dhe informacioni on-line i deklaruar nga biznesi në vvebsitin e Ministrisë së Financave.

Nga gjithë ky proces, “Deloitte” identifikoi shifrën prej 24.6 miliardë lekë që buxheti i shtetit i detyrohet aktorëve të brendshëm dhe të huaj të ekonomisë shqiptare. Në këtë shifër, pjesën dominuese e zë borxhi ndaj infrastrukturës rrugore, i cili është rreth 65% e kësaj shume; borxhi kryesisht në sektorin e farmaceutikës dhe të pajisjeve mjekësore zë rreth 17.03% të tij, si dhe arsimi identifikohet me një peshë prej 8.4% në këtë borxh, kryesisht, me borxhin ndaj ndërtimit të shkollave të reja. Ministria e Financave është e ndërgjegjshme që procesi i bërë deri tani nga “Deloitte” është vetëm një nga komponentët e këtij borxhi, por ky borxh ka edhe komponentë të tjerë, siç janë vendimet e pashlyera të përmbarimit në xhepat e mijëra qytetarëve, të cilat, vetëm nga zyra e përmbarimit shtetëror, janë rreth 1.1 miliard lekë, borxhet e sistemit fiskal të biznesit; detyrimet që ndërmarrjet shtetërore kanë, detyrimet që lindin si rrjedhojë e një sërë ligjesh, si ai i dëmshpërblimit të të përndjekurve politikë e të shpronësuarve, faturave financiare ndaj vendimeve gjyqësore të Strasburgut, etj. Ministria e Financave është duke hartuar një strategji, e cila përfshin jo vetëm identifikimin e borxhit, por edhe mënyrën e shlyerjes së tyre, ku në bazë të saj do të jetë identifikimi, auditimi, certifikimi i këtij borxhi nga të gjitha institucionet që e kanë atë. Gjetja e mjeteve të nevojshme financiare nga institucionet ndërkombëtarë dhe identifikimi i mënyrës së shlyerjes së këtij borxhi duke respektuar parimet e transparencës, gjithëpërfshirjen, barazinë e secilit, është një tjetër komponent i kësaj strategjie. Si pjesë e kësaj strategjie, Ministria e Financave, së bashku me institucionet ndërkombëtare të zhvillimit, po rishikon të gjithë sistemin e financave publike, me qëllim që të mos lejojë përsëritjen e këtij fenomeni në të ardhmen, duke bërë axhustimet e duhura si në sistemin informatik të thesarit, ashtu edhe në gjithë procesin e buxhetimit në tërësi, duke i dhënë përgjegjësi direkte ligjore njerëzve që, me autoritetin e tyre, guxojnë të ndërmarrin angazhime përtej mundësive, apo lejojnë prekjen e fondeve kur këto të fundit të jenë të angazhuara. Koha kur, ndërto sot se paguhesh kur të mundemi, mbaroi! Ne premtojmë dhe angazhohemi se do të ndërtojmë një marrëdhënie të re me biznesin me detyrime dhe përgjegjësi të qarta midis palëve. Kjo është një faqe krejt e re në raport me atë që qeveritarët e djeshëm bënë dhe opozitarët e sotëm bërtasin. 24.6 miliardë lekë borxh, tashmë të pakontestuara, janë si një milionë shuplakat e votuesve për papërgjegjshmërinë e drejtimit të vendit. Ndërkohë, janë përgjegjësi për drejtimin tonë, e transparencës dhe partneritetit, e besimit se së bashku do të vazhdojmë rrugën drejt Bashkimit Europian.

*Ministër i Financave