Shkëlqim Cani/ Shifra e saktë e borxhit ndaj biznesit, në 30 nëntor, pas auditimit nga Deloitte

662
Sigal

*Ministër i Financave

Qeveria e dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit, siç kishte premtuar publikisht gjatë fushatës Z. Rama, vlerësoi maksimalisht situatën e rëndë ekonomike dhe borxhin e lartë publik, në të cilin mungonin si të paraportuar, komponentë të rëndësishëm. Ekzistenca e një borxhi të fshehtë, aq shumë të debatuar dhe, me të drejtë, kthyer në një shqetësim për biznesin, është një nga komponentët përbërës real të borxhit të shtetit. Ka edhe detyrime të tjera të buxhetit ndaj të tretëve, siç janë vendimet e gjykatave vendase dhe të huaja, detyrimet për rimbursime të TVSH-së dhe tatim fitimit të parapaguar, detyrime të pushtetit lokal, etj. Por në kushtet e presioneve të forta të krizës në ekonomi dhe të rënies së ritmeve të rritjes ekonomike, Qeveria zgjodhi me prioritet evidentimin e borxhit ndaj biznesit vendas dhe të huaj, për shkak edhe të pasojave negative që sjell ky mospagim për aktorë të tjerë të ekonomisë, si dhe potencialisht në kreditim, rritjen ekonomike, kreditë e këqija, punësim, gjendjen financiare, të likuiditetit të biznesit etj.

Në mënyrë që të shmanget çdo koment subjektiv dhe që procesi të ruajë transparencën dhe besueshmërinë maksimale sipas standardeve ndërkombëtare, ky evidentim iu caktua një shoqërie prestigjioze, e cila shprehu interesin për t’u përfshirë në këtë shërbim. Tashmë ne jemi në situatën kur, pas negocimeve me shoqërinë Deloitte, u miratua ligji dhe, që në datën 19 tetor, shoqëria Deloitte ka të gjitha të drejtat dhe detyrimet ligjore për të marrë informacionin e përcaktuar dhe të ndjekë procedurat në përputhje me standardin ndërkombëtar të auditimit mbi Shërbimet e Lidhura SNSHL 4400 “Angazhime për kryerjen e procedurave”, pjesë e Standardeve Ndërkombëtare të Auditimit. Qeveria dhe Ministria e Financave, si përfaqësuese e saj në këtë marrëveshje, janë të hapura ndaj publikut dhe tërësisht të angazhuara në një proces thellësisht transparent dhe ligjor, ku u është bërë thirrje edhe ish-titullarëve të Ministrisë së Financave të marrin pjesë në procesin e auditimit të këtij borxhi. Madhësia e borxhit, edhe pse e vlerësuar paraprakisht bazuar në disa tregues, mbetet për t’u certifikuar sipas standardeve ndërkombëtare. Shifra e saktë do të dalë vetëm pas përfundimit të punës nga Deloitte në datën 30 nëntor, si dhe disa proceseve verifikuese e rakorduese nga Ministria e Financave dhe ministri të tjera të përfshira në këtë proces. Ne jemi të bindur se kemi bërë zgjedhjen e duhur për të filluar saktësimin e borxhit shtetëror, i cili deri më tani i është referuar vetëm borxhit publik të brendshëm, të realizuar nëpërmjet emetimit të bonove të thesarit dhe obligacioneve dhe huave të nënshkruara me huadhënës të huaj. Por ne jemi thellësisht të angazhuar për të njohur edhe gropën tjetër, atë të paraportuar dhe që gërryen financat publike dhe private, si dhe reputacionin e shtetit dhe që përbëhet nga vonesat në pagesa dhe nga fshehja e të dhënave. Krahas Deloitte, Ministria e Financave po punon që, me publikimin e shifrës së Deloitte, të bëjë të njohur për publikun edhe komponentë të tjerë të borxhit, të cilat s’janë raportuar asnjëherë deri më sot. Kjo është një sfidë për vendosjen e disiplinës fiskale dhe marrjen e masave të forta për vënien e borxhit nën kontroll. Ky është mentalitet dhe metodë krejt e re pune e qeverisë sonë, që njeh me transparencë e guxim të gjitha detyrimet e saj ndaj biznesit e publikut, me dëshirën e vullnetin për të gjetur zgjidhjen brenda mundësive (edhe pse në hapësirë të kufizuar). Pas njohjes së borxhit ndaj biznesit vendas dhe të huaj, Ministria e Financave po përgatit të gjitha hapat e mëtejshme për mënyrën e pagesës, një proces që do të jetë po aq transparent, edhe gjithëpërfshirës, për të mos lejuar asnjë pagesë të faturave jo reale dhe të punëve të pakryera në mënyrë cilësore. Për të forcuar transparencën dhe punën sa më cilësore e me standarde, kemi komunikuar dhe jemi në komunikim të vazhdueshëm edhe me FMN-në e BB-në.