Shkëlqim Cani/ Forcimi i auditimit dhe rritja e cilësisë së tij ndikojnë në konsolidimin fiskal

662
Sigal

Shtyllat që kjo konferencë fokuson si garantueset e një auditimi me cilësi të lartë, pra Standardet Ndërkombëtare të Auditimit, Etikën, Sigurimin e Cilësisë dhe Mbikëqyrjen Publike, dëshmojnë ndërgjegjësimin që profesioni i audituesit në Mesdhe dhe në Shqipëri ka për rolin dhe përgjegjësinë e vet publike. Kuadri ligjor dhe rregullator i profesionit të audituesit në Shqipëri është në linjë me direktivën e auditimit ligjor të BE-së (direktiva e tetë). Për qeverinë shqiptare, një raportim financiar i saktë, i drejtë, i ndershëm dhe i bazuar në parime dhe standarde ndërkombëtare, përbën gur themeli për një mjedis biznesi të shëndetshëm dhe inkurajues për aktivitetet ekonomike dhe financiare. Në mënyrë të veçantë, këto ndikojnë në inkurajimin e Investimeve të Huaja Direkte, të cilat shihen nga qeveria shqiptare si një nga burimet kryesore të rritjes ekonomike të vendit. Për këto arsye, qeveria shqiptare po e adreson çështjen e përmirësimit të raportimit financiar përmes një strategjie që po zbatohet në bashkëpunim me Bankën Botërore. Vërejmë me kënaqësi që profesioni i audituesit, i inkuadruar nën organizatën profesionale IEKA, ka bërë hapa cilësore përpara, me gjithë kufizimet që rrjedhin nga specifikat e tregut në Shqipëri. Ky progres duhet të vazhdojë, pasi forcimi i auditimit dhe rritja e cilësisë së tij ndikojnë në konsolidimin fiskal, si dhe në lehtësimin e procesit të kreditimit të ekonomisë, duke qenë se autoriteti tatimor dhe bankat janë nga përdoruesit kryesorë të pasqyrave financiare, në kushtet e një tregu ende të pazhvilluar të kapitaleve. Përveç sa më sipër, ndonëse profesioni është i mbikëqyrur në mënyrë të pavarur dhe zbaton një sistem të përshtatshëm të kontrollit të cilësisë dhe investigimit, përsëri ka nevojë për përmirësime. Qeveria shqiptare sheh si çelës të rritjes së cilësisë së auditimit ligjor, forcimin e sistemit të sigurimit të cilësisë së profesionit, funksionimi i të cilit, në kushtet aktuale, duhet të garantohet kryesisht nga organizata profesionale e audituesve ligjorë. Në bashkërendim me hapat e kësaj organizate në këtë drejtim, qeveria shqiptare, në bashkëpunim me Bankën Botërore, po mbështet forcimin e sistemit të sigurimit të cilësisë së kësaj organizate, duke ndërtuar kornizën e brendshme rregullative në përputhje me standardet ndërkombëtare të auditimit dhe praktikat më të mira ndërkombëtare. Gjej rastin këtu të falënderoj Bankën Botërore për mbështetjen e saj nëpërmjet projektit REPARIS, i cili do të mundësojë reformimin e mëtejshëm të raportimit financiar, nëpërmjet ndërhyrjeve ligjore dhe institucionale që lidhen me hyrjen në profesion, rritjen e cilësisë së profesionit dhe të mbikëqyrjes së tij. Në analizë të fundit, në vizionin tonë, sigurimi i cilësisë së auditimeve ligjore, për vetë rëndësinë që ka për publikun, nuk mund të jetë fryt i përpjekjeve të veçuara. Kombinimi i kapaciteteve profesionale të organizatës IEKA për sigurimin e cilësisë me mbikëqyrjen e pavarur nga Bordi i Mbikëqyrjes Publike, do të prodhonte një sinergji, e cila do të sillte përmirësime cilësore në auditimin ligjor në Shqipëri. Ndërkohë, vetë profesionistët, anëtarë të organizatës, duhet të bëhen pjesë e kësaj strategjie duke investuar në njohjen dhe përdorimin sa më maksimal të Standardeve Ndërkombëtare të Auditimit, si nëpërmjet programeve të edukimit të vazhdueshëm, dhe në aplikimin e tyre në sistemet e brendshme të Kontrollit të Cilësisë. Më tej akoma, ajo kërkon angazhimin edhe të aktorëve të tjerë, siç janë organizatat e biznesit, tatimet, qendra e regjistrimit, etj., në një proces të madh që synon formalizimin e ekonomisë, rritjen e performancës dhe të transparencës.