Komenti i Zef Preçit: Shfrytëzimi i pasurive kombëtare dhe lëshimi i koncesioneve në duart e kompanive nga parajsat fiskale

Post “Panama Papers”, Shqipëria përballë BE-së

Siç dihet, kompanitë financiare offshore në përgjithësi paraqesin tiparet e mëposhtme: 

1) orientimin primar të biznesit ndaj jo-rezidentëve; 
2) kërkesa të ulëta ose të moderuara mbikëqyrëse dhe financiare dhe/ose zbulim minimal të informacionit; 
3) ekzistenca e skemave tatimore të ulëta (të paspecifikuara) ose zero; 
4) sistemet financiare me asete dhe detyrime të jashtme jashtë përpjesëtimit me ndërmjetësimin financiar vendas; 
5) ekzistenca e përparësive tatimore shumë të veçanta dhe të kufizuara ose praktika të caktuara administrative që ofrojnë avantazhe selektive për planifikuesit e taksave, etj. 

Në këtë këndvështrim, nuk ka dyshim se kompanitë offshore janë një formë sofistikuar e grabitjes “me ligj” të pasurive natyrore strategjike, bankave etj, të vendit, duke përdorur ndikimin politik dhe interesat korruptive të politikanëve të ndryshëm. Ky problem është mjaft i mprehtë dhe shqetësues në vijimësi në vende me institucione të dobëta, të kontrolluara politikisht dhe mediokre si tonat. Kjo situatë bëhet edhe më alarmante në kushtet kur qeveria po shfaq një zell të tepruar për të transferuar në duart e oligarkëve funksione të rëndësishme të shtetit. Për rrjedhojë, përfitimet e ekonomisë sonë kombëtare në nxjerrjen e naftës, kromit, hekurit etj, deri edhe në sistemin bankar janë modeste dhe nuk justifikojnë shfrytëzimin grabitqar të këtyre pasurive, pa folur për dëmet ambientale të shkaktuara dhe rreziqet e tjera në të ardhmen. 

Gati dy vjet më parë, publikimi i “Panama Papers”, njërit nga skandalet më të mëdha globale të dekadës me fshehjen e taksave, pasurive të grabitura nga politikanët etj, shërbeu si nxitje për shumicën e qeverive të vendeve të BE-së dhe atyre demokratike për të vënë në lëvizje institucionet e drejtësisë, policisë, bankave dhe vetë qeverinë për rishikimin e kuadrit ligjor përkatës. Madje në atë kohë edhe autoritete të rëndësishme të qeverisë shqiptare u angazhuan publikisht për të ecur në të njëjtën linjë me një synim të qartë: Mbrojtjen e interesave të ekonomisë kombëtare dhe eventualisht kthimin në vend - në buxhetin e shtetit të fondeve të paligjshme të grabitura përmes evazionit fiskal, nëse kjo do të rezultonte nga hetimi. Për këtë qëllim, në fillim të nëntorit të kaluar, Parlamenti Evropian mori në shqyrtim një raport të plotë hetimor, i cili për nga rëndësia meriton një analizë të plotë e marrje në konsideratë edhe nga vendet aspirante për në BE. E në rastin e vendit tonë, siç konfirmonte jo shumë kohë më parë një raport zyrtar i KLSH-së, bëhet fjalë për më shumë se gjysmën e kompanive të huaja, p.sh. nxjerrjen e naftës, që janë kompani offshore dhe me probleme serioze në menaxhimin e kësaj pasurie strategjike të vendit. Po kështu edhe në disa sektorë të tjerë. Në fakt, mbas gati dy vjetësh, jo vetëm që nuk ka asnjë hetim serioz të fshehjes së fitimeve, të transfertave të parave jashtë vendit, por as ndonjë nismë ligjore për të stabilizuar gjendjen dhe për të ecur në të njëjtën linjë me vendet e BE-së në këtë fushë. Për sa i takon rikthimit në buxhetin e shtetit të fitimeve të paligjshme, as që mund të bëhet fjalë, e për fat të keq qeveria ka vazhduar lëshimin e koncesioneve në favor të kompanive offshore, dmth ka ecur në drejtimin e kundërt me angazhimet e para dy vjetëve. Gjatë kësaj periudhe, vendet e BE-së kanë proceduar me kufizimin e mundësive për përfitime nga ana e kompanive offshore nga fondet e komunitetit dhe për më tepër kanë hartuar dhe një “listë të zezë” me vendet prej nga vijnë kompani të tilla. Për ironi të fatit, në këtë listë bën pjesë edhe Shqipëria (shih: https://www.google.com/…/paradise-to-blacklist-eu-tax-havens). 

Po në shkallë globale ç’po ndodh pas publikimit të “Panama Papers”? Shtypi botëror shkruan për ndërmarrjen e veprimeve institucionale nga vendet kryesore të botës së sotme, jo vetëm në kuadrin ligjor përkatës, por edhe për rikthimin në buxhetet kombëtare të shumave të konsiderueshme të parave. Kështu, sipas Rrjetit Ndërkombëtar të Gazetarëve Investigativë (ICIJ) më shumë se 500 milionë dollarë janë rimarrë nga autoritetet tatimore në mbarë botën pas botimeve të “Panama Papers”, botuar fillimisht në prill 2016. Vetëm Spanja mblodhi 122 milionë dollarë pas një hetimi mbi çështjet e banorëve të taksave, të cilët kishin rezervuar paratë në bankat offshore. Midis vendeve të përfaqësuara në të dhënat e “Panama Papers”, një total prej 15 vendesh - në tre kontinente - kanë bërë publike të dhënat mbi shumën e taksave të mbuluara nga autoritetet tatimore. Ky numër mund të vazhdojë të rritet me disa vende që ende po kryejnë auditime në bazë të informacionit “Panama Papers”. Në Kanada, janë duke u zhvilluar 123 auditime dhe disa hetime penale vazhdojnë, informon Agjencisë për të Ardhurat e Kanadasë. Koreja e Jugut gjithashtu njoftoi se ka rimarrë 1.2 miliardë dollarë në taksa këtë vit, edhe pse nuk është e qartë se çfarë përqindje lidhet drejtpërdrejt me “Panama Papers”. Korrikun e kaluar, agjencia gjermane e policisë federale njoftoi se kishte blerë të dhënat e “Panama Papers”. Agjencia ka kryer bastisje dhe ka ngrirë deri tani dy milionë euro. Autoritetet tatimore daneze gjithashtu kanë siguruar një pjesë të të dhënave të “Panama Papers” nga një burim i panjohur dhe po hetojnë 320 kompani dhe 500 deri 600 individë të lidhur përmes të dhënave në Danimarkë. Më herët në fund të 2017-s, themeluesit e firmës ligjore të Panamasë, “Mossack Fonseca”, u arrestuan për akuza të pastrimit të parave, pasi autoritetet bastisën selinë e firmës si pjesë e hetimeve në skandalin më të madh të rryshfetit të Brazilit, të njohur si Lava Jato.

Një nga zhvillimet më të rëndësishme të “Panama Papers” në vitin 2017 u zbulua në Pakistan korrikun e kaluar kur Gjykata e Lartë, me një votim unanim, largoi nga detyra kryeministrin Navaz Sharif. Në këto rrethana, personalisht inkurajoj ministrat e Drejtësisë dhe të Punëve të Brendshme, që në respekt të Kushtetutës së vendit, të përmbushin detyrimet e veta funksionale në mbrojtjen e interesave publike, përkatësisht të pasurive kombëtare strategjike të shtetit shqiptar, duke proceduar në hetimin përkatës dhe në nismat ligjore eventuale mbi bazën e informacioneve të “Panama Papers”.