Sherif Hoxha*/ Monopoli i ri me therjet e bagëtive. Konsumatori, në rrezik nga sëmundjet zoonotike

997
Sigal

AKU vë gjoba fiktive. Shërbimi veterinar në bashki, asnjë kompetencë për marrjen e masave

Po e nis me një pyetje shumë të thjeshtë: A konsumon mish të kontrolluar konsumatori shqiptar? Në kushtet aktuale përgjigja është JO, duke filluar nga 10 janari 2014. Kush është shkaku?

Sigurisht, me qëllimin e mirë për të përqendruar therjet në thertore, të cilat plotësojnë standardet higjienike, por edhe për të krijuar një MONOPOL të ri me therjet; duke lënë vetëm një pikë të afërt me Tiranën atë te Ura e Dajlanit; Ministria e Bujqësisë i mbylli të gjitha pikat e therjes, të cilat kishin mangësi për kushtet higjienike, por nuk dha asnjë alternativë tjetër, qoftë edhe të përkohshme për zgjidhjen e këtij problemi, pasi 6000-10.000 krerë në muaj që theren në Tiranë është e pamundur të përqendrohen në l ose 2 pika jashtë Tiranës.

Strukturat e bashkive dhe komunave e kryejnë shërbimin veterinar vetëm në njësi therje dhe thertore të miratuara nga AKU. Ligji përcakton funksionet e njësive të qeverisjes vendore, duke cituar: “ë”-Të kryejnë shërbimin veterinar në mjediset e thertoreve dhe të njësive të therjes, për kontrollin shëndetësor të kafshëve para dhe pas therjes, vulosjen e karkasave të mishit dhe lëshimin e certifikatës veterinar, që shoqëron mishin dhe nënproduktet e tij. “t”-Të njoftojnë autoritetin kompetent për sigurinë ushqimore për rastet, kur në thertore konstatohen shkelje dhe parregullsi në respektimin e dispozitave të akteve nënligjore, si dhe të rregullave të zbatueshme”. Ky ligj, nuk i jep kompetenca shërbimit veterinar në bashki për marrjen e masave administrative, apo çdo mase tjetër.

Sa më sipër, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, është struktura që ka kompetenca të plota veprimi, për marrjen e masave ndaj subjekteve të cilat nuk plotësojnë kushtet e higjienës, bazuar në Ligjin nr.9863, datë 28.1.2008, “Për Ushqimin”. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit është struktura përgjegjëse për hapjen, bllokimin apo mbylljen e subjekteve.

AKU ka bllokuar aktivitetin e shumë subjekteve që therin dhe tregtojnë mish, por kjo ka ndodhur “de juro”, sepse “de fakto” ato e kanë vazhduar aktivitetin e tyre dhe nuk kanë patur kontrollin e asnjë institucioni, duke rrezikuar seriozisht shëndetin e konsumatorit. Bazuar në Ligjin e Ushqimit, AKU merr masa administrative për subjektet që tregtojnë mish të freskët pa kontrollin e shërbimit veterinar (vula në karkasë, certifikata veterinare). Kjo gjendje qe lejon tregtimin e mishit pa kontrollin veterinar dhe duke rrezikuar shëndetin e konsumatorit nga sëmundjet zoonotike, si dhe duke mos zbatuar legjislacionin në fuqi, ka ardhur si rezultat i mbylljes së menjëhershme të pikave të therjes nga AKU; therjet i shpërqendroi duke u kryer vend e pa vend. Task forca e aktivizuar gjatë periudhës së fundvitit nuk bëri gjë tjetër përveçse krijoi një gjendje kaotike dhe regres në fushën e sigurisë ushqimore. Mbylli de juro shumë subjekte tregtimi dhe subjekte të therjes së kafshëve, të cilat de fakto vazhdojnë aktivitetin e tyre pa kontrollin e strukturave përgjegjëse për shërbimin veterinar, madje duke u kthyer pas në kohë, duke therur në dyqane e shtëpi private… Situata e krijuar nga drejtimi amatoresk i AKU-së është alarmante dhe më e rënda e krijuar këto 20 vitet e fundit, ku për ironi të fatit edhe Ministria e Bujqësisë drejtohet nga ministër- veteriner. Shpresojmë dhe besojmë, që gjendja të kthehet në normalitet, edhe pse do të duhej një “shkop magjik”.

Nga konstatimet tona të vazhdueshme vërejmë;

1. Subjekte, të cilat therin në ambientet e shtëpisë dhe mishi vjen i therur në subjektet e tregtimit i pakontrolluar.

2. Subjekte, të cilat therin në anekset e dyqaneve dhe janë pajisur me NIPT për aktivitetin e tregtimit të mishit.

3. Subjekte, të cilat therin në njësi therje dhe mishi vjen në subjektet e tregtimit i kontrolluar (kjo zë një përqindje shumë të vogël rreth 2%, referuar sasisë ditore të mishit të tregtuar).

Sa më sipër, AKU vazhdon ta tolerojë një fenomen të tillë, sepse të gjitha letrat dhe proces verbalet e lëna në subjekte janë fiktive, sepse edhe gjobat nuk vilen nga këto struktura. Në Ligjin e Ushqimit, neni, “Për procedurat e kundravajtjes administrative” përcakton si më poshtë vijon: “Kur inspektori i kontrollit të ushqimit dhe ushqimit për kafshë kërkon ndihmë, për shkak të zbatimit të detyrës së ngarkuar me ligj, ai mbështetet nga Policia e Shtetit, Policia Doganore, dhe ajo Tatimore”. Pra, nëse kërkon të zbatosh ligjin, rruga është e përcaktuar po në ligj, mbetet vetëm vullneti për ta zbatuar.

 *Inspektor në Bashkinë e Tiranës