Sherefedin Shehu: Babëzinë e Ramës e ushqejnë biznesmenët e tepsisë

1000
U bënë 18 vjet që Rama po e mbush Tiranën me aq shumë kulla sa tani edhe investimet e Partneritetit Publik-Privat kanë filluar që të shpërblehen me kulla. Dhe ne vetëm heshtim. Të gjithë, po t’i pyesësh një nga një, nuk e duan Ramën, ndërsa të gjithë, në grup, pranojmë që të na kalërojë. Këtë e tregon heshtja politike dhe heshtja qytetare për PPP-në e fundit të tij. Edhe kullat e radhës Rama i shpalli si “…shëmbëlltyrë e ambicies…” së tij për Shqipërinë. Dhe këtë ambicie e duartrokitën shumë artistë që më parë e kishin kundërshtuar, ndërsa ne të tjerët, me heshtjen tonë, po e nxisim që ajo të bëhet realitet. Siç duket, Rama na njeh mirë të gjithëve, edhe opozitën edhe qytetarët, prandaj nuk pati ndrojtje fare që një maket teatri të rrethuar me kulla të na e shesë si “një teatër pa kullë”. Por bishti i doli më pas kur tha se projekti “…është pjesë e një propozimi PPP…” dhe modeli i PPP-ve të Ramës është shpërblimi i tepsixhinjëve ose me para nga buxheti ose me kulla. Unë i mbështes PPP-të e vërteta, por jo këto që po marrin peng Shqipërinë. Ato po e përqendrojnë biznesin vetëm në tepsinë e Ramës dhe po konsumojnë buxhetin e 4 Qeverive që do të vijnë. Tepsixhinjtë nuk ngopen me tenderët që i fitojnë vetëm ata, por duan kontrata që t’i ushqejnë për 10-15 vjet. Për këtë, ata zgjedhin një shërbim që duan dhe i bëjnë Ramës një “propozim të pakërkuar”, që vetëm mendja e tyre di ta pjellë, dhe i vënë emrin PPP. Pastaj Rama i falënderon që ju vajti mendja për këtë dhe ju lidh një kontratë që të paguhen nga buxheti për 10-15 vite të ardhshme për shërbime që mjafton vetëm të shkruhen në letër. Dikush tjetër nga tepsia, që do të lajë paratë, propozon të ndërtojë vepra publike, rrugë, aeroporte, etj. duke i dhënë “fajde” Qeverisë. Edhe kësaj ata i vënë emrin PPP, dhe groposin në të paratë e pista duke marrë peng buxhetin për 15 vite të ardhshme, i cili ju paguan atyre para të pastra sa 2-3 fishi i parave të shpenzuara në fakt. Disa të tjerë, po nga tepsia, shpikën edhe PPP-të që paguhen me kulla. Në fillim kontraktuan ndërtimin e stadiumit kombëtar duke marrë mbrapsht një kullë, por që është një grataçielë. Ndërsa tani tepsixhinjtë propozuan, “pa jua kërkuar Rama”, PPP-në e ndërtimit të Teatrit Kombëtar në këmbim të tre kullave që e rrethojnë atë. E ku mund të shkohet kështu? Vetëm në Republikën e PPP-ve ku duhet të heshtësh, të shtrëngosh rripin dhe vetëm të thërrasësh “Rroftë Mbreti!”.
Sigal