Shano: Rënia e konsumit të karburanteve, shenjë e varfërisë

200
Rënia e konsumit të karburanteve, njoftuar nga Instituti i Statistikave, është një sinjal shqetësues për gjendjen e buxheteve familjare, për ecurinë e këtij sektori dhe buxhetin e shtetit, duke pasur parasysh se karburantet janë ndër mallrat me kontribut të rëndësishëm. Ekonomisti i njohur, Dritan Shano, u shpreh se ulja e tregtisë me pakicë të karburanteve me 5.2% është një lajm aspak i mirë. “Ky fakt lajmëron, thjesht dhe pa ekuivok, një ngadalësim të ekonomisë shqiptare dhe varfërim të familjeve shqiptare. Sidomos, kur bëhet fjalë për tremujorin e IV të vitit, ku njerëzit kanë tendencën të shpenzojnë më shumë, për shkak të fillimit të shkollës, festave të nëntorit dhe atyre të fundvitit. Njëherësh, lajmëron edhe ulje të ardhurash në buxhetin e shtetit. Karburantet janë një burim i rëndësishëm të ardhurash në buxhet, çka do të thotë pashmangshmërisht, më pak investime në ekonomi. Kjo për arsye, se pasi të jenë paguar rroga dhe pensione dhe interesat e borxhit dhe të koncesioneve e PPP-ve, ato që mund të shkurtohen janë vetëm investimet publike”, nënvizoi Shano. Sipas tij, kjo sjellje konsumatore, nëse vazhdon në këtë prirje, në kushtet kur modeli i rritjes bazohet tek rritja e konsumit, do të ndikojë negativisht dhe në modifikimin e parashikimeve dhe perspektivave makroekonomike e atyre buxhetore. “Në këto kushte, nëse edhe investimet e TAP dhe Devollit ngadalësohen në vijim, Shqipëria nuk do të ketë as rritje ekonomike aritmetike. Përveç uljes së shitjeve tek karburantet, INSTAT konstaton se ka një ulje prej 0.8% në shitjet e produkteve jo ushqimore, një sjellje konsumatore e pazakontë, sidomos në kushtet e festave të fundvitit, çka më bën të besoj se pavarësisht ndonjë rritje të shpenzimeve të kryera në këtë periudhë për dhurata apo udhëtime, apo për pajisje shtëpiake, familjet shqiptare kanë prioritizuar dukshëm shpenzimet e tyre drejt plotësimit të nevojave më bazike”, u shpreh Dritan Shano. Sipas tij, INSTAT raporton se rritja e shitjeve në grupin e Ushqimeve është rreth 11.3% për tremujorin e IV të 2017, vit më vit. “Në kushtet e uljes së shitjeve në dy grupet e tjera, kjo rritje në grupin e Ushqimeve, përveç karakterit sezonal tregon varfërinë e familjeve shqiptare, të cilat arrijnë vetëm të hanë, ato shpenzojnë kryesisht vetëm për ushqim, për të plotësuar vetëm nevojat bazike nga hierarkia e nevojave që ka njeriu i sotëm. E gjithë kjo situatë tregon sa e dobët, e pazhvilluar dhe primitive është ekonomia shqiptare. Përveç kësaj, nuk ka nevojë të jesh Maslou për të kuptuar se ky profil konsumi tregon se ardhurat reale të familjeve shqiptare kanë rënë në këto 5 vitet e fundit. Kjo për shkak edhe të mos rritjes së rrogave dhe pensioneve për një periudhë relativisht të gjatë, kundrejt rritjes së përvitshme të taksave që nga viti 2014, nganjëherë galopante, si në nivel qendror, ashtu dhe në nivel lokal në këto tri vitet e fundit”, nënvizoi Shano.